MENU
klinika

Opinion

Ja si i shikon motivet e grevës një ish profesor i Shqipërisë!

15.12.2018 - 12:35

Nga Artur Elezi 

Disa nga frika, disa të tjerë nga injoranca, të tjerë akoma ngaqë nuk u intereson, shumëkush ka rënë në prehrin e populizmit dhe askush nuk po u thotë të vërtetën studentëve: nuk është vendimtare dhe madje sjell dëme ulja në bllok e tarifës, janë permirësime të rëndësishme por jo vendimtare për momentin bibliotekat apo sistemet online, po ashtu pjesëmarrja (me karar) e studenëve në administrim, e gjithfarë lloj kërkesash!

Asnjë nga këto nuk ngre cilësinë e arsimit të lartë! Duhet ulur numri i studenteve ne universitetet publike duke futur mesataren e lartë dhe një provim kombëtar hyrës, si dhe duhet ulur numri i pedagogëve duke përjashtuar ata që kanë futur duart në xhepat e shtetit apo të studentëve!

Vetting si fillim për rektorët, dekanët dhe shefat e katedrave: ish-ët dhe ekzistuesit! Besimi rifitohet duke respektuar cilësinë e produktit dhe jo duke ulur çmimin e tij! Njëherë e një kohë hanim fasule çdo drekë e bukë me çaj çdo darkë e flinim nga gjashtë vetë në krevate marinari në ca dhoma si biruca!

E megjithatë as nuk dyshonim e për më tepër respektonim thellësinë, seriozitetin dhe cilësinë e mësimdhënies! Kushtet ekonomike edhe mund të tolerohen për ca kohë, por jo besimi tek cilësia e instruksionit dhe vlera e diplomës!

 

Rektorë e dekanë që futen skutave dhe nuk ndihen as kur protestojnë studentët, as kur akuzohen për rroga të shumëfishta e pasuri të mëdha, as kur i thërret kryeministri, (b) ministra, ish-ministra, kryetarë partish, politikanë, pedagogë akuzohen për plagjiaturë dhe sus, nuk ndihen, pedagogë që akuzohen për rryshfete dhe nuk prononcohen!

E megjithatë çuditërisht diagnoza/zgjidhja është pothuajse unanime: ka probleme me ligjin e arsimit të lartë dhe duhen ulur tarifat e studentave se janë të papërballueshme! Komedi! Asnjë fjalë për rryshfetet dhe përvetësimet! Asnjë fjalë për plagjiaturën!

Konspiracion i plotë e i mirë-organizuar në heshtje nga ustallarët për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe ruajtur privilegjet në vazhdimësi!

Nuk e di ç’lidhje ka dhe si mund të amendohet ligji i Arsimit të Lartë që të adresojë fenomenet e mësipërme?

Ndoshta duhen rikujtuar njerëzia në ligj se:

Neni 1: E pahijshme të vidhen fondet publike nga administratoret e IAL-ëve.

Neni 2: Shitja e provimeve nga instruktorët e lëndës është fenomen negativ!

Neni 3. Provimet apo disertacionet që merren me kopje nuk quhen!