Vendet diktatoriale nën efektin e mbylljes dhe në regjimin e sjelljes grupore po dhe të shoqërisë së ndrydhur nën efektin e forcës dhe diktatit kthehen në mostra për laborator.
Një vend i tillë për t’u analizuar mund të jetë edhe Shqipëria, e cila ka pasur një histori të vështirë në lidhje me pushtimet, diktatet dhe totalitarizmin e kohës së komunizmit.
Shqipëria, një vend i vogël i izoluar nga pjesa tjetër e botës, u shndërrua në laborator të vërtetë, ku udhëheqësit u përpoqën të ndryshonin popullin, kultura e së cilës nuk u përshtatej aspak.
Lufta e kulturave
Një kulturë, e aftë si mënyrë jetese dhe përfaqësuese, mund të sulmohet nga një kulturë tjetër, më e fuqishme, më e përhapur ose mbizotëruese. Këtu kemi të bëjmë me procesin e kulturimit që kanë pësuar, edhe pse në shkallë të ndryshme, popullsitë primitive dhe ato të kolonizuara.
Për shembull, kultura azteke, u zhduk brenda një periudhe shumë të shkurtër, pas ardhjes së spanjollëve. Shpeshherë i munduri, që është i detyruar të flasë gjuhën e ushtarakëve, mund të fitojë përparësi në këtë fushë: si romakët përballë “barbarëve” francezë, që birësuan zakonet e tyre ose kalorësit francezë që u mahnitën nga mënyra e jetesës së Rilindjes, gjatë luftërave të Italisë.
Në gjirin e së njëjtës shoqëri, një kulturë, këtë herë në kuptimin e veprimtarive intelektuale ose artistike, mund t’i mbërthehet një kulture tjetër dhe të ndërtohet pranë saj. Kemi të bëjmë kështu me kultura pararojë ose underground që, nga ana tjetër, nuk vonojnë të integrojnë, me anë të disa rregullimeve, brenda disa viteve, kulturën “e njohur”, “ligjore”.
Koncepti amerikan i “kulturë e masave”, përçuar nga televizioni, një herë të vetme bashkoi dy përkufizimet e fjalës “kulturë”, në përpjekjen e saj për t’u shtrirë në gjithë botën. Ndikimi i përfaqësisë mediatike të jetës amerikane është vërejtur në mënyrën e jetesës (veshje, ushqime, zbavitje, muzikë, sjellje, ideale …) dhe në atë që u quajt si humbje inteligjence, njohurie ose rafinim (për shembull, Disneyëorld e përshkruan si një Çernobil kulturor). Kultura e masës kritikohet gjithashtu edhe për mënyrën se si e shndërron kulturën “ligjore” në veprimtari zbavitjeje, dëfrimi dhe argëtimi për t’u harxhuar.
Kultura dhe shteti
Në gjithë shoqëritë moderne të themeluara mbi burokracinë, qofshin ato prej diktatori ose demokratike, individi duhet të jetë në gjendje të kuptojë rregulloret për t’iu nënshtruar të gjitha detyrimeve shoqërore, fiskale, ushtarake dhe shkollore, që i japin ritëm ekzistencës së tij. Pra, shkolla është e nevojshme për shtetin për t’u kuptuar dhe, si rrjedhim, për t’u bindur. Është më se e qartë se politika e Jules Ferry, që imponoi shkollën e detyruar nuk u diktua vetëm nga vullneti i mirë për të shpërndarë diturinë, por edhe nga nevoja për të rekrutuar një trup funksionari të aftë, për t’u kuptuar nga një popullatë e sapodalë nga analfabetizmi dhe “nga veçantitë krahinore”. Në qoftë se kuptimi i barazisë, autoritetit dhe të dallimit mësohen në gjirin e familjes (siç e prezanton Emmanuel Todd), konceptimi i Shtetit mësohet në shkollë.
Regjimi shqiptar e njihte gjithë rëndësinë e mekanizmit shkollor, sepse totalitarizmi nuk kërkon vetëm nënshtrimin e shtetasit, por edhe miratimin e përsëritur të një pëlqimi. Një “i egër” nuk mund t’i përkas një shteti modernë, rregullat e të cilit nuk arrin t’i kuptojë dot, një “mospërfillës” është i papranueshëm në një shtet me karakter stalinian.
Shoqëria shqiptare, pjesa më e madhe analfabete dhe bujqësore para lufte, ishte e gjitha e ndarë në klane, dhe shteti, qoftë otoman apo mbretëror, kishte shumë pak pushtet. Nga ana tjetër, fiset malësore të veriut jetonin sipas ligjit të tyre – Kanunit, dhe nuk i bindeshin askujt. Shqipëria nuk kishte qenë asnjëherë një komb dhe ndjenja e përkatësisë ishte, para së gjithash, vendore dhe fetare. Pas vitit 1945 u vendos sistemi i plotë shkollor dhe fshatrat e maleve u pajisën me shkollat e tyre. Në to përhapej kultura bazë si edhe një katekizëm stalinian që pati veçantinë, i vetmi në vendet e lindjes, të përzihej me një nacionalizëm të fuqishëm, deri në atë pikë sa ideologjia shqiptare u cilësua si “nacional-komuniste”. Nëse është kështu, a do ta dekretojë vallë arkeologjia zyrtare se shqiptarët e kishin prejardhjen nga Ilirët, popullsi e Antikitetit. Në të njëjtën mënyrë, vënia përpara rezistencës osmane fshehu bashkëpunimin e gjatë midis Portës së Madhe dhe shumë shqiptarëve që u ngjitën deri në rangjet më të larta, civile ose ushtarake.
Populli mësoi të lexonte dhe të shkruante nëpërmjet një propagande ngulmuese. Pjesët e leximit, shkrimet, këngët, vizatimet e fëmijëve ishin të mbushur me lavdinë e diktatorit Enver Hoxha. Historia ishte një vazhdim i portreteve me karakter biografik mbushur me lavdërime dhe me ngjarje të zgjedhura, që lajmëronin ardhjen e natyrshme dhe përfundimtare të komunizmit. Një anakronizëm i vullnetshëm përqaste vazhdimisht Skënderbeun, kalorësin mesjetar që përzuri osmanët, Enver Hoxhën që dëboi nga vendi i tij jugosllavët, sovjetikët dhe më pas kinezët. Për sa i përket historisë së partisë, ajo u shndërrua në një disiplinë të pavarur me një koeficient të fortë në provime. Madje, edhe në fushat shkencore ishte e detyrueshme të citohej partia dhe Hoxha gjatë orëve, si edhe të paraqisnin disa prej veprave të tij në krye të bibliografive të tezave. Pra, kultura ishte tejet e shoqëruar dhe e infektuar nga një ideologji parësore dhe përsëritëse. Sigurisht, bijtë e fshatarëve, barinjve, artizanëve, e punëtorëve përvetësonin njohuritë fillestare, por njëkohësisht mësonin, sesi të përshtatnin sjelljen në raport me kërkesat e regjimit dhe ishin të aftë t’i përdornin fjalët stereotipe të dogmave dhe të sloganeve, që zinin vend në edukimin politik.