MENU
klinika

Shën Mitri në Kalabri

Kolegji që formësoi mendimtarët shqiptarë

22.12.2018 - 18:36

Nga Andreas Dushi

Duke mos dashur të ndalem në data të thata e toponime jo të rëndësishëm, ju ftoj sot të lexoni diçka rreth një ishulli të kulturës shqiptare mes gjithë influencës së rilindjes italiane. Ky vend është kolegji i vogël i Shën Mitrit në Kalabri ku studiuan dy prej njerëzve më me influencë në mendimin, letërsinë dhe politikën shqiptare.

Në këtë vend, si në rrallë vende të Italisë, mësohej shqip nga profesorë shqiptarë të cilët kohë më parë kishin migruar në Itali. Atdhedashuria dhe dëshira e zjarrtë për t’i bërë mirë kombit nuk ishte shuar dhe as asimiluar, falë vetë pjestarëve të stafit akademik, por edhe sepse vetë shteti italian nuk kishte synuar asnëherë të influenconte me idetë e veta, duke e lënë në një autonomi të plotë mendimtare.

Kolegji i Shën Mitrit ishte vatra ku studiuan dy mendimtarë të mëdhenj shqiptarë, i pari arbëreshi i njohur Jeronim de Rada i cili me veprat e tij ja doli të hedhë bazat e rilindjes shqiptare dhe i dyti Luigj Gurakuqi, figura kombëtare me kontribut në politikë, letërsi, përkthim dhe mendimin estetik të Shqipërisë.

Pasi përfundoi studimet aty, de Rada shpesh shkonte dhe bëhej pjesë e leksioneve që studentët shqiptarë merrnin nga profesorët e tyre dhe, kur flitej për veprat e tij, vullnetarisht shpjegonte me pasion të madh gjithçka studentët donin të dinin.

Ndërsa Gurakuqi ishte një ndër studentët më të mirë, pasi arsimin në Shkodër e kishte marrë në gjuhën italiane si dhe për sa kohë qe student, thuajse gjithnjë ishte i mbyllur në dhomën e tij, rrethuar me libra duke studiuar aq sa filloi të dyshohej mos nuk mund të dilte për shkak të ndonjë sëmundjeje që kishte zbuluar tash së fundmi.

Dy kolosët, duke qenë në të njëjtin vend, takoheshin jo rrallë. Gurakuqi do të shkurante: “Kam pasë nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim de Rada. Tue u gjetë përpara t’amblit kangëtar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zanin e tij të fikët, qi bahej ma i plotë, e tue pa sytë e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin tue përmendë Shqipninë, gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë qi punoi sa e sa për atdhe!”

Sikurse duket marrdhënia  de Radës me Gurakuqin ishte si ajo e një mwsuesi me dishepullin, ndjekësin e tij tek i cili ai sheh mundësinë që puna e filluar, të vijojë.

De Rada dhe Gurakuqi përfaqësojnë dy periudhat më prodhimtare Kolegjit të Shën Mitrit, rëndësia e të cilit vijon të shihet në shkrimet e rilindasve, të ndikuar nga Kolegji apo nxënës të tij.