Zef Mala lindi më 14 prill 1915 në lagjen Skënderbeg të qytetit të Shkodrës. Ishte publicist, themelues dhe kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe i Partisë Komuniste Shqiptare.
Në vitin 2002 u botua vëllimi “Vox Populi” nga të bijat, një përmbledhje e veprës së tij të shkruar. I cilësuar nga P. Zef Pllumi si njëri prej intelektualëve më ndikues të Shqipërisë së Re, është gjithashtu një ndër komunistët e orëve të para që ka shprehur pendim për kontributin për fitoren e kolerës së zezë që mbolli zi, lotë, gjak dhe helm në zemrën e një populli të shumëvuejtun.
Më 1933 kreu mësimet shkëlqyeshëm në Kolegjin Ksaverian të Shoqërisë së Jezuit në Shkodër. Në vitin 1934, vendoset të jetojë në Tiranë, publikon në gazetën “Besa” artikuj tematik mbi shoqëritë rinore dhe shkruan në rubrikën “Jetë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Shfaq mendime letrare për shkrimtarët italo-arbëreshë e bashkëkohorë si: E. Koliqi, E. Haxhiademi, etj. Në vitet 1935-’37 punon dhe si redaktor në gazetën “Arbnia” në Tiranë, bashkëpunon me revistat; “Minerva”, “ABC…”. Fiton një bursë shtetërore nga qeveria e Zogut për studime në Universitetin e Vienës në Fakultetin e Filozofisë e cila do t’i ndërprehej pas dy vjetëve më 1936.
Në vitin 1937 themelon grupin komunist të Shkodrës me ndihmesën e Vasil Shantos, Gjovalin Lukës, Niko Xoxit, Tuk Jakovës, Qemal Stafës, etj. Boton materiale propagandistike komuniste e analiza sociale për Shqipërinë. Kritikon sistemin monarkist dhe kërkon organizimin sindikal kundër regjimit të Zogut.
Kërkon përfaqësimin e krahut të majtë në parlamentin shqiptar. Në dhjetor 1938 boton organin politik të grupit komunist të Shkodrës “Buletini jeshil” që zgjati dy numra.
Në shkurt të 1939 hapet një gjyq i posaçëm për 73 njerëz të dyshuar për veprimtari komuniste dhe përhapje propagande, bashkë me N. Xoxin ishte i vetmi që mbajti qëndrim konseguent ndaj idealeve të veta. Mes të akuzuarve ishte Tuk Jakova, Vasil Shàntoja, Vojo Kushi, Branko Kadia, Emin Duraku dhe Qemal Stafa.
Dënohet me 10 vjet burg, burgoset në Mbreshtan të Beratit. Përfiton prej pushtimit italian duke u arratisur më 6 prill 1939 së bashku me Vasil Shanton, përpiqet të kalojë në Jugosllavi si azilant politik, por nuk e pranojnë.
Zef Mala u arrestua ditët e para të regjimit fashist. Në fund të vitit 1939 ai u arratis nga burgu, e për këtë shkak, autoritetet fashiste e dërguan për të vuajtur dënimin në Itali (Ventotene). Në këtë mënyrë, Mala nuk ishte i pranishëm kur u formua PKSH-ja.
Në korrik 1943 fashistët e sollën në Shqipëri dhe e dënuan me 14 vjet burg. Me kapitullimin e Italisë, në shtator 1943, Mala doli nga burgu dhe shkoi në çetën e Pezës, ku për shkak të sëmundjes së syve, nuk luftoi, por për pak kohë u mor me punë administrative.
Ia del të arratiset sërish dhe pasi shkon në Pezë, Myslymi e këshillon të strehohet në Tiranë ndër dajat e tij. Verën e 1944 pasi Zefi shprehet se çështja e Kosovës do të zgjidhej me anë të një plebishiti, Enver Hoxha kishte porositur Nako Spiron që Zefin nuk duhej ta nisnin në Kosovë, por duhet ta dekoronin me plumb kresë, duke bashkëndarë kështu të njëjtat merita dekoruese me Zai Fundon, Mustafa Gjinishin dhe Anastas Plasarin.
Më 1944 Enver Hoxha urdhëron pushkatimin e tij, por Mala arrin t’i shpëtojë vdekjes. I cilësuar si antimarksist konfuz nga Enveri. Në dhjetor 1944 u dërgua për mjekim të syrit në Bari të Italisë. Në prill 1945 erdhi në Shqipëri. U emërua shef seksioni në Bibliotekën Kombëtare dhe më vonë drejtor i saj. Më 1946 arrestohet, dënohet me 10 vjet burg.
Motivi i dënimit: “Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me partinë komuniste jugosllave”.
Kryen 2 vjet dënim e lirohet me 19 janar të vitit 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koçi Xoxes.
Me urdhëresën e Kryeministrit nr. 21 datë 8.6.1949, pavarësohet si institucion Arkivi i Shtetit. Ky institucion e kishte vartësinë nga Kryeministria, drejtor u emërua Zef Mala, si themeluesi kryesor, si personalitet me kulturë e vizion, si njeri erudit e njohës i disa gjuhëve të huaja.
Në këtë detyrë, ai punon me pasion dhe profesionalizëm. Grumbullon fondet arkivorë të shpërndarë e të shkatërruar në gjithë Shqipërinë, bën kodifikimin sipas sistemit austriak. Bashkëpunoi me specialistët në arkiv; Injac Zamputti-latinisht, Sotir Papahristo-greqisht, Jonuz Tafilaj-osmanisht.
Zef Mala merrej vete me dokumentet gjermanisht-anglisht, ai krijoi fondet arkivore të Lumo Skëndos, Mirash Ivanajt, Mehdi Frashërit, Mustafa Krujës, Fishtës, Mëkëmbësit Jacomoni, Lef Nosit dhe të gjithë ministrave që u qenë konfiskuar arkivat.
Gjithashtu arkivoi kodikët e regjistrat e kishave të Elbasanit, Tiranës dhe shkresat zyrtare të Bashkisë të shkruara osmanisht etj. Bashkëpunoi ngushtë me Aleks Budën që asokohe ishte shefi i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave. Zef Mala për pasurimin Arkivit te Shtetit, nisi të blejë materiale të ndryshme me vlera të mëdha nga antikuaristët privatë si: Jashar Erebara, Teki Selenica.
Më 1950 përgatiti një dispencë historie për Institutin Pedagogjik “Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924”, e konfiskuar dhe e humbur. Po atë vit martohet me Afërdita Shahinin, nga kjo martesë i lindin dy vajza, Maria dhe Esmeralda.
Më 1955 arrestohet e dënohet me 5 vjet burg me akuzën “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim”, burgoset në burgun e Burrelit. Më 1958 një delegacion italian dërguar nga L. Longo i kërkon Enver Hoxhës lirimin e Zefit nga burgu, lejimin e tij për të shkuar në Itali.
Në vitet 1961-’64, internohet në Zvërnec të Vlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me: K. Trebeshinën, S. Gjokën, gazetarin F. Proko, etj. Aty shkroi një traktat filozofik prej rreth 140 faqe të cilin e mori me vete pas dënimit, ku është zhdukur në rrethana të panjohura.
Lirohet në vjeshtë (në nëntor) të 1964. Në vitin 1965 e thërret në takim kryeministri Mehmet Shehu dhe e paralajmëron: “Po të mos na ngacmosh, as ne nuk do të ngacmojmë më”. Ndonëse jashtë burgut në këtë periudhë, Zef Mala ishte në kontroll, lëvizje të kufizuara vetëm brenda Tiranës, me banim te rruga e Saraçëve.
Më 1977 internohet familjarisht për 5 vjet në Labovën e Zhapës, Gjirokastër. Më 15 korrik 1978, nga Labova e Zhapës shkruan një Promemorie emblematike drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ai vite më parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën.
Në zgjedhjet e vitit 1978 Zefi nuk pranon të votojë. E arrestojnë dhe e dërgojnë në Tiranë, ku ridënohet me 10 vjet burg. E vuan këtë dënim në burgun e Ballshit ku u verbua krejtësisht. Ecte me shkop dhe bashkëvuajtësit e ndihmonin për çdo nevojë” – kujton gazetari Foto Proko.
Më 26 dhjetor 1979, i sëmurë rëndë, i verbuar, ndërron jetë në spitalin burg të Tiranës