MENU
klinika

Studiesi Zef Paci

Komunizmi sillet plot domethënie në hijedritë

19.12.2018 - 12:05

Profesori dhe studuesi Zef Paci, erdhi nëpërmjet një retrospektive të një ndërgjegjeje të pasur shoqërore bardhezi në Galerinë e Arteve të Bukura.

Nëpërmjet kontrasteve bardh e zi, që lëshon mesazh dhe nëpërmjet hijeve ku ngjiz dritë, dhe dritë ku ka errësirë, shfaqet në bardhezi një ekspozitë që sfidon ngjyrat.

Fare mirë nga e shkuara dalin domethënie të së sotmes, dhe e sotmja nuk mund të kuptohet po nuk ktheve kokën pas, aty ku mbrujtjen ndërgjegjet shoqërore në varësi të sistemeve politike. ‘Jeta e përditshme politike’ e një regjimi që ndryshe quhet totalitarist, në peshën e një diktati që në përditshmërinë e atëhershme dhe në të sotmen mohohet.

Kjo quhej diktat që lartëson njeriun, dhe kjo erdhi me plot mesazh në këtë ekspozitë. Regjimi i dikurshëm erdhi në këtë ekspozitë nga një arkiv i tërë fotografik të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në një hulumtim nga studiuesi Paci.

Kjo ekspozitë u prezantua fillimisht në qendrën për Hapje dhe dialog, dhe në një projekt ‘’Procesin’’ FAB u rrëfye nga studentët e arteve.

Si punë e zgjeruar dhe e një hulumtimi të imtësishëm të studiuesit për të parë, jo vetëm jetën politike të asaj kohe, ekspozita solli jetën e thjeshtë të një populli që në pamje të parë jepte normalitet.

Këtu shfaqen dy cikle imazhesh, ajo e sferës politike dhe e jetës së përditshme. Por fare mirë jeta e përditshme ndikohesh në shumë mënyra nga jeta politike.

Në jetën e përditshme në dokumentar shfaqen njerëz të thjeshtë. Më shumë dalin në pah turma të shumta ku individi nuk kuptohet, punëtorë të devotshëm, jetimë, fëmijë, shtretër me fëmijë, mure që të sjellin në mendje një cikël të mbyllur politik që quhet izolim i plotë nga gjithë hapësira tjetër ku ka ndryshueshmëri politike.

Nga këtu shikohet punëtori i galerisë sa dhe i kazmës në një kolektiv ku vetvetja nuk ekziston, por ekziston masa e disiplinuar për plotësimin e nevojave, kumtin e parrullave që sistemi lëshon dhe dirigjon nëpërmjet shumë atopolanteve dhe folësve që shprehen në cikël.

Në këtë këndvështrim këto situata janë proces i një prove të së vërtetës, një promemorie e një jetë dualistike në vetvete, me atë çka duan dhe atë çka janë duke refuzuar atë çka duan.

Këto foto megjithëse bardhezi vijnë si një histori që i mbivendoset fakteve historike dhe ai e solli më të qëndrueshme mendimin e asaj kohe. Dhe fare mirë studiesi i shikon këto gjëra në imtësi për të sjellë një mesazh të fortë të mënyrës sesi jetohej në kontrast me si jetohet sot.

Nga ana tjetër ai identifikon vlera të çmueshme në aspektin e një realiteti imazhologjik në kohë, sepse pavarësisht indokrinimit dhe dogmatizmit të njeriut, subjektivitetit që del në pah autori, ruhet një gjurmë e një çasti, e një fragmenti kohe, që në fenomenologji futet në rrugën e elementit të provës historike.

Kjo provë nxjerr njeriun e ri socialist, njeriun idealistik, dualistik dhe mbinjeriun e përsosur sipas vetes së tij, por të mbyllur në rrethime që rrëzon kullën e asaj që njeriut i duket nga një masë që i lëshon diktat dhe dirigjohet nga një diktator. Dhe në këtë kuptim ai sjell turma, spitalet, jetën, por dhe vdekjen.

Në këtë ekspozitë nuk mungon dhe figurat më të diskutuara të Shqipërisë, ajo e ish diktatorit, udhëheqës Enver Hoxha, por edhe udhëheqësve të tjerë, të atyre që janë në krye dhe të atyre si Omari që presin vdekjen dinjitozë, në mos nuk e dëgjojnë dot dënimin që i pret.

Fotoja flet sa një psikologji bihevoriste mbi mënyrën sesi pozicionohen njerëzit, si sillen, dhe si i nxjerrin vetë dramat e fshehura nëpërmjet kontrastit bardh e zi.

Kjo vjen me figurën e Koçi Xoxes në një tavolinë, për të paralajmëruar, dënimin e tij me vdekje.

Nëpërmjet objekteve të vendosura shtohen mesazhet që vetëflasin për kohën sot, por që duhet t’i kesh kaluar në shpatulla, në mendje dhe në vështrësi për t’i kuptuar më qartë. Midis kontrasteve të jetës së sotme dhe jetës së kaluar ka atë element bardhezi që sjell domethënien e mesazhit që do të përçojë vetë figura nëpërmjet procesit grafi.

“E kaluara është e pranishme edhe tek e sotmja, tek përvojat që trashëgojmë. Edhe në një farë mënyre nëse e shohim me vëmendje mund të jetë e vlefshme për të sotmen edhe për t’u orientuar edhe për të ardhmen”thotë Paci.

Ngjyrat sjellin një realitet të zjarrtë, dhe bardhezija sjell një realitet qenësor, atë të trishtimit, shpresës, vuajtjes dhe skamjes në errësirën që shpall dritë, ‘’sepse nga errësira ka gjithmonë dritë’’.

Nga Eugent Kllapi

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miti i industrializimit në Shqipërinë komuniste

Propaganda: Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën