MENU
klinika

Zgjedhjet vendore

Kur do t’i shpallë PS-ja kandidatët për bashkitë?

26.12.2018 - 10:29

Partia Socialiste, sipas njoftimeve do të mbledhë një kongres paraelektoral ku dhe do të përzgjedhë dhe shpallë zyrtarisht kandidatët e saj për kryetarë të bashkive në 61 bashkitë e vendit.
Tre muaj para zgjedhjeve dhe dy muaj para hapjes së fushatës elektorale, shqiptarët do të mësojnë se për cilët do të votojnë.

Por edhe pse pjesa më e madhe e kandidatëve për kryebashkiakë do të kenë nisur nga fushata zgjedhore dhe puna në terren me shtabet elektorale, për disa të tjera pikëpyetjet do të vazhdojnë deri në kongres.

Pritet që për disa bashki të ketë dilema deri në fund, nëse do të ketë rikandidime apo jo të kryetarëve aktualë, njëkohësisht dhe presionet nga baza socialiste drejt qendrës së saj.

Ende Partia Socialiste nuk ka sqaruar se kur nis numërimi i mandateve të bashkiakëve të saj, disa prej të cilëve kanë tre mandate dhe nëse ata do të mund të rikandidojnë për një tjetër mandat.

Socialistët janë shprehur se rikandidimi i kryetarëve aktualë të bashkive që drejtohen prej tyre do të varet shumë dhe nga rezultati i ballafaqimeve para publikut, ku do të analizohet performanca e administratës që ata kanë drejtuar dhe realizimi i premtimeve të tyre elektorale.

Por një analizë e detajuar është bërë dhe nga sekretariati në PS, i përdorimit të fondeve buxhetore dhe të të ardhurave të tjera të bashkisë në funksion të komunitetit.