MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

Kur kaligula të shfaqet në trajtën e Jezu Krishtit

29.12.2018 - 15:23

Të gjithë po merren me formën dhe me detajet, por gati askush me thelbin.

Edi Rama thotë se kjo është përgjigja e tij ndaj shuplakës së fortë të studentëve, ose kthimi i faqes tjetër, pas kryqëzimit politik të qeverisë së tij nga një valë protestash.

Opozita zyrtare duket e kënaqur, sepse, sipas saj ikën një palë hajdutë për t’u zëvendësuar me të tjerë, që do të thotë se edhe tek kabineti i ri ka plot material për të sulmuar. Të paktën deri në verë që janë zgjedhjet. Më vonë, shohim e bëjmë, ndoshta do të dalin përgjime të tjera…

Ndërsa, shtypi po krahason cilësitë e ministrave dhe po merret me lotët e atyre që ikën dhe të atyre që erdhën. Si për të na shpjeguar një fenomen, që nuk e kishim ditur, se njerëzit qajnë, si kur gëzohen shumë, ashtu dhe kur hidhërohen fort.

Duke shmangur faktin tronditës që kjo është një qeveri tërësisht private, ndërkohë që pararendësja e saj ishte pothuajse e tillë, por gjithsesi jo në këtë derexhe.

patozi-konica.al
patozi-konica.al

Kur dihet botërisht se edhe në rendet fillestare të organizimit politik të njerëzimit qeveritë kanë tentuar gjithmonë të jenë sa më përfaqësuese. Dhe ka një logjikë të hekurt që e ka kushtëzuar ndër shekuj këtë aksiomë. Nevoja për të ndarë, si meritën, ashtu dhe përgjegjësinë në administrimin e pushtetit.

Unë jam i bindur se, sado që ua kanë shpifur pafund këtë vend, një shqiptar që shkon të votojë Partinë Socialiste, nuk ka parasysh vetëm Edi Ramën, dhe anasjelltas një demokrat nuk ka në mendje vetëm Lulzim Bashën. Ndryshe, çfarë kuptimi do të kishte hierarkia apo karriera politike si mekanizëm që çon përpara shoqërinë?

Shqipëria është republikë parlamentare, por edhe mbretëri klasike apo republikë presidenciale po të kishte qenë, abuzimi me pushtetin e të parit nuk do të mund të justifikohej kurrë në këto përmasa.

Kam thënë para ca kohësh që me këtë trend të pandalshëm regresi, do të ishte më realiste që të kishim një parlament vetëm me një dhomë e guzhinë. Sepse nuk ka nevojë që të kemi 140 deputetë dhe 15 ministra, kur mund të kishim vetëm 2 apo 3 udhëheqës të gjithëpushtetshëm, të cilët thjesht dhe vetëm i emërojnë të gjithë të tjerët.

Nuk dua të ndalem fare në cilësitë e ministrave të rinj, jo thjesht se disa prej tyre nuk i njoh fare. Dhe ky është një tregues kuptimplotë.

Por se jam i bindur që ndryshimet e djeshme në qeveri janë pasqyrë e degradimit të një politike arkaike dhe tribale, që praktikisht e ka kthyer Shqipërinë në një sulltanat primitiv kësaj ane të Europës, e cila nga e saj pretendon që na monitoron rreptësisht.
Një vend që është i detyruar t’i bindet verbërisht trilleve të shefit të madh, të cilit de jure vetëm haremi nuk i lejohet me ligj.

Pati shumë njerëz që e kepkuptuan ironinë time me 2 prurjet e reja të qeverisë me origjinë nga Kosova, kur shkrova dje se prej andej sot është më lehtë të importosh ministra, se sa patate. Unë kam shumë vlerësim dhe respekt për të gjithë shqiptarët, pavarësisht vendlindjes së tyre, dhe nga kjo qasje nuk përjashtoj apriori as ministrat e rinj.

Por problemi është se ata të dy nuk janë votuar në Shqipëri për të na qeverisur. Pas tre vjetësh, nëse Edi Rama do t’i fusë në listën e Partisë Socialiste, nuk kam asnjë shqetësim që t’i pranoj të bëhen edhe kryeministra apo presidentë të Shqipërisë.

Edhe prania e tyre si zgjedhje personale e kryeministrit është një karshillëk i neveritshëm që i bëhet një shoqërie gati të dorëzuar ndaj një sistemi të degjeneruar politik. A mund të më thotë njeri se çfarë ndryshimi do të kishte që në qeveri të kishim edhe 3 afrikanë dhe 4 eskimezë, mjafton që Presidenti Ilir Meta t’u kishte aprovuar kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare?

Sepse këtu gati po pranojnë të gjithë se kryeministri bën ç’të dojë me qeverinë e tij, sepse medemek ai ka fituar zgjedhjet. Dhe kjo ndodh ngaqë në këtë vend realisht nuk bëhen zgjedhje, por thjesht votime.

Sepse privatizimi fillon nga partitë politike, të cilat janë shndërruar praktikisht në ndërmarrje biznezi me një pronar të vetëm.

Dhe rezultatet kanë qenë mbresëlënëse, hierarkia politike nuk ka më asnjë vlerë, qeverisja në ekip tingëllon një shaka e hidhur, dhe gati askush nuk çuditet që listat e deputetëve, ministrave apo drejtorëve të rëndësishëm, në rastin më të mirë, i harton një njeri i vetëm, ndërsa në rastin më të keq, i njëjti person, por në bashkëpunim me njerëzit e shtëpisë.

Dhe ironia e padurueshme është, se ndërkohë që ti ke ndërmend Kaligulën, perandorin e famshëm romak, që emëroi senator kalin e tij, të shfaqet në ekran Edi Rama i përdëllyer dhe të thotë që ka marrë rolin e Jezu Krishtit, të cilit po i re në njërën faqe, të kthen tjetrën.

Ndaj nëse duam të shohim në sy të vërtetën, duhet të pranojmë se sot në këtë vend njerëzit nuk janë të lirë që të zgjidhen dhe të zgjedhin, duke e kthyer Shqipërinë si Sizifi në pikën e nisjes së demokracisë.

Është kjo arsyeja se përse pothuajse në të gjitha protestat refuzohen gati një lloj si qeveria, ashtu edhe opozita zyrtare.

Sepse me sa duket kjo shoqëri ka nisur të kuptojë se për të shpëtuar nga korrupsioni, padrejtësia, arbitrariteti, arroganca dhe abuzimet e përbindshme me pushtetin, duhet të rrëzojë fillimisht këtë sistem të kalbur politik, që po na mban peng të gjithëve prej vitesh.