Një nga elementët më thelbësorë në kulturën shqiptare është insturmenti i lahutës që mbahet si element i trashëgimisë kulturore autentike shqiptare, po aq sa edhe i vjetër.
Si instrument mendohet se ai është i kohëve antike dhe shoqëron këngët. Zakonisht këto elementë janë të natyrës epike dhe legjendare. Fare mirë këto këngë përfaqësohen nga ‘’Eposi i Kreshnikëve’’ apo ‘’Lahuta e Malcis’’ në Shqipëri.
Por ky instrument është bërë së fundmi mollë sherri në Ballkan midis shqiptarëve dhe popujve sllavë që jetojnë afër shqiptarëve si Mal i Zi, Serbi, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë.
Një përshkrim mjaft interesant për këtë problem me rapsodët e ka përshkruar edhe shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij ‘’Pallati i ëndrrave’’.
Ai hedh përshkrimin e tij sipas së cilës rapsodët e Bosnjë-Hercegovinës ishin të pandaluar nga Perandoria Osmane, kurse rapsodët shqiptare ishin të persekutuar. Ai jep dhe ngjarjen konkrete në familjen e Qyprillinjve ku goditen rapsodët shqiptarë nga adminsitrata turke.
Lahuta si instrument nominohet si element i trashëgimisë kulturore serbe në UNESCO. Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit të ‘Të kënduarit në shoqërimin e lahutës’ prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Kjo solli debate në mediat sociale dhe një shqetësim për shqiptarët ku mendohej se lahuta do të quhej si element muzikor ekskluziv serb.
Por nga ana tjetër është dhe fakti që elementi muzikor si instrument, lahuta, ose ‘’Gusle” është present në gjithë në shumë popuj sllave njësoj si në popullin shqiptar.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina kanë dalë në një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë që kënga me lahutë t’u njihet edhe vendeve të tyre.
“Regjistrimi nga Serbia nuk është ekskluziv por është i hapur për përgatitjen e një dosje të përbashkët në të ardhmen” – u shpreh në ‘’Wake Up’’ Ambasadori ynë në UNESCO, Ferit Hoxha.
Në këtë situatë ministria e Kulturës reagoi sot për lajmin e shpërndarë dje se UNESCO kishte pranuar se lahuta është trashëgimi kulturore jomateriale e Serbisë dhe jo shqiptare.
Përmes një sqarimi për mediat Ministria e Kulturës tha se: ‘Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare, por serbe’.
Sipas këtij nominimi “Gusle” ose lahuta në shqip prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit është pjesë e gjithë Europës Juglindore.
Nga delegacioni i Shqipërisë në UNESCO është vënë sërish në dukje se praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, etj.’’
Ministria e Kulturës së Shqipërisë tha se po bashkëpunon zyrtarisht me Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që duan t’i bashkohen.
Përdodrimi i lahutës është gjerësisht në Shqipërinë e veriut, sidomos në Malësinë e Madhe, të Mbishkodrës, në Malësinë e Hasit dhe të Gjakovës, Në gjithë hapësirën e Kosovës, konkretisht në Krujë, Lezhë, Mirditë, Pukë, Hot e Grud, Kelmend, Kastrat, Shkodër, Dukagjin, Postrribë, Shllak, Nikaj-Mërturi etj.
Por çfarë është instrumenti muzikor i lahutës
Në gjuhën e ekspertëve të instrumenteve muzikore quhet ‘’Instrument kordofon’’. I është i përbërë nga një dru dhe nga hark me fije kali të lyer me rëshirë, gjë që ndikon në tingëllimën dhe kryerjen e procesit të melodisë. E gjithë lahuta përbëhet nga një dru njëcopësh, nga panja, gështenja, lisi po në disa herë edhe nga kungulli etj., që përdoren masivisht në përpunimin e saj.
Fijet e tij përbëhen nga bishti i kalit, të cilat përdridhen dhe vendosen nga njëra anë e harkut në anën tjetër duke krijuar tension dhe duke e harkuar thuprën e harkut.
Kombinimi i drurit me harkun me fije kali sjell një cilësi të tingullit dhe kumbimit të këtij instrumenti.
Zakonisht në lahutën shqiptare ka pasur një kokë dhie të skalitur dhe kjo përafron me elementet e historisë së popullit shqiptar, dhia ka qenë element simbolik në trevat shqiptare.
Në gdhendje të tjera ka pasur elemente të tjerë simbolikë të kulturave të lashta si gjarpri, shqiponja, orës, vatrës, si dhe të mëvonshme me gdhendje të figurave kombëtare etj.
Nga arabishtja – El, ut; nga frëngjishtja e vjetër – leut; Nga italishtja – liuto; Kroatisht – leut; Greqisht – lavuto; Rumanisht – lauta, alauta; Në bullgarisht – lauta, llauta; Gjermanisht – laute; Shqip –lahuta.
Në lahutë këndojnë rapsodët që dallohen për një sërë elementësh. Në radhë të parë qëndrimi i tyre që do të pozicionojë epikë, këndmi i tyre sjell gjithashtu një epikë të theksuar në mimikë, vargje si dhe tingulli rëqethës nga nota të larta në ato të ulta, gjë që sjell dhe përqëndrimin e mesazhit. Ata improvizojnë madje i krijojnë vetë këngët e tyre legjendare.
Ata u këndojnë njerëzve legjendarë si udhëheqës, njerëz të mbizakonshëm, apo hyjnive. Këto këngë këndohen në kuvende e oda burrash dhe në vende me rëndësi të madhe publike.
Si mund të ketë qenë?
Dihet që në kulturologji çdo qytetërim në mijëvjeçare ka dhënë e ka marrë cdo element kulturor, që nga gjuha e deri tek shkëmbimet kulturore materiale. Qytetërimet e vjetra kanë dhënë qytetërimeve të reja dhe e kundërta.
Hipoteza e parë lidhet me lashtësinë e popullit shqiptar. Populli shqiptar si më i vjetër dhe autentik mund ta ketë pasur më parë këtë instrument muzikor, kurse popujt sllavë që kanë ardhur rreth shekullit të 7, mund të kenë marrë nga kultura shqiptare edhe këtë objekt muzikor.
Ekziston edhe hipoteza që qytetërime shumë të vjetra kanë pasur këto objekte kulturore dhe i kanë dhënë nga një qytetërim në tjetrin. Qytetërimet e zhvilluara u kanë dhënë gjithmonë qytetërimeve më të vonshme.
Në këtë kuptim, që nga kufiri me Indinë deri në Shqipëri e më tutje, ka pasur objekte kulturore si Mandolina, Klarineta, madje dhe çiftelia, apo objekte të tjera që kanë krijuar procese shndërrimi dhe janë rinovuar sipas kulturës së vetë popujve ku janë vendosur.
Elementi i muzikantit ka qënë gjithashtu shumë i vjetër, në histori mbahet mend rapsodi këngëtar Homeri, deri tek rapsodët shqiptarë apo sllavë, që nga këngëtarët në Mesapotaminë e vjetër me këngëtarët lirikë apo epikë të saj.
Në elementët simbolikë të kafshëve shikojmë se si elementi i Shqiponjës apo i gjarprit, i dashit, i dhisë janë shumë të hershëm.
Gjithashtu vetë gjuha dhe elemtnët etimologjikë gjuhësorë kanë dhënë dhe kanë marë midis kombeve. Së fundmi, elementë paganë të tatuazheve me yje diej, zogj etj janë shfaqur si në Kroaci, Bosnjë, Maqedoni apo Shqipëri, madje dhe kjo ka pasur debat.
Në këtë kuptim ndërkulturor çdo element kulturor në art jepet dhe merret, nuk ka kombësi dhe origjinë.
Kjo do të thotë që edhe instrumentet tanë muzikorë janë marrë nga kultura më të hershme dhe më të zhvilluara e gjithashtu elementë të tjerë Shqipëria mund t’ua kenë dhënë popujve të tjrë gjatë pushtimeve të gjata. Dihet edhe fakti që shumë instrumente janë të Azisë së afërt apo të largët.
Ekziston mundësia pra, që lahuta të jetë marrë vonë nga vendet sllave dhe të jetë përvetësuar nga këto kultura më të hershme, edhe si Shqipëria. Por edhe elementi i mënyrës epike i të kënduarit. Nuk është ndonjë ndodhi e madhe në kulturologji që shumë elementë të merren dhe të jepen edhe në të ardhmen, por të mos pranohen që janë marrë.
E rëndësishme për shqiptarët është që këto vlera të jashtzakonshme të identitetit kombëtar, jo vetëm të ruhen, por të promovohen dhe të regjistrohen gjithashtu në organizmat ndërkombëtare si vlera kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të mos neglizhohen.
Koha ka treguar që kultura shqiptare po kalon drejt një degradimi të vlerave të rëndësishme shqiptare dhe një vështirësie për t’u ruajtur, mirëmbajtur dhe promovuar gjë që sjell herë pas herë irritim shoqëror e kombëtar.
nga Eugent Kllapi