MENU
klinika

Parashikimet OECD

Lufta tregtare do të frenojë ekonominë

05.12.2018 - 09:05

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) vlerëson se lufta tregtare dhe rritja e normave të interesit,  po ngadalësojnë ekonominë globale.  Organizata parashikoi se rritja e ekonomisë globale do të ngadalësohet nga 3.7% këtë vit në 3.5% në dy vitet e ardhshme.

Ngadalësimi  do të jetë më  i dukshëm në vendet që nuk janë pjesë e OECD, ndërkohë që shumë ekonomi në zhvillim do të pësojnë dalje të kapitalit, prej rritjes së normave të interesit në Shtetet e Bashkuara.

OECD uli projeksionet për vendet që do të rrezikohen si Brazili, Rusia, Turqia dhe Afrika e Jugut. Rritja e normave të interesit mund të bëjë gjithashtu që tregjet financiarë të riçmojnë rreziqet nën të cilat investitorët janë ekspozuar, duke sjellë një luhatje të madhe në tregje.

Lufta e plotë tregtare dhe pasiguria  që do të ndjekë,  pritet t’i heqë 0.8% rritjes së PBB botëror deri në vitin 2021. OECD la të pandryshuar projeksionet për SHBA në vitin 2018 dhe 2019, por uli vlerësimin e vitit 2020, për shkak të zbehjes së efektit të politikave fiskale.

Ekonomia kineze, do të ngadalësohet nga 6.6% këtë vit në nivelin më të ulët në 30 vite prej 6% në 2020-ën, prej luftës tregtare.

Për Eurozonën, perspektiva ishte më e zymtë krahasuar me Shtatorin, ndërkohë që ekonomia pritet të ngadalëoshet nga 2% këtë vit në 1.6% pas 2 vitesh,  pavarësisht politikave stimuluese monetare.