Sipas listës së subjekteve pasive të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv për dhjetorin 2018, është mbi 119 mijë. Kjo shifër është më e madhe se ajo e dy muajve më parë, kur numri i bizneseve pasive ishte thuajse 114 mijë.
Pra, nga tetori në dhjetor, afërsisht 5000 biznese shqiptare kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin e tyre. Arsyet për kalimin në status pasiv mund të jenë të shumta.
Sipas studimit “Klima e biznesit në Shqipëri” i vitit 2017 nga Qendra Shqiptare për Kërkim Ekonomik, tregoi që “ekonomia gri” apo konkurrenca e padrejtë, barra fiskale, pasiguria dhe vështirësia për parashikimin e ndryshimeve në legjislacion, janë disa nga pengesat. Ndërkohë edhe që ndryshimet ligjore që ulën shkallën e regjistrimit të biznesit të TVSH në 2 milionë lekë dhe që fusin në sistem me mijëra biznese, mund të kenë shkaktuar mbylljen masive.
Në parim, kjo do të thotë thuajse çdo ditë dyert e 55 bizneseve mbyllen duke kaluar në pasive. Por, ndonëse ky numër shfaqet në shifrat zyrtare, praktika ka treguar një tjetër realitet. Bëhet fjalë për “lojën me NIPT-e”, një strategji që bizneset e të gjitha niveleve e kanë ndjekur prej shumë vitesh, duke përfituar nga legjislacioni në fuqi për procedurat e mbylljes ose pezullimit të aktivitetit.
Praktika e mbylljes së një NIPT-i dhe hapjes së një tjetri zhvillohej me synimin kryesor për tu larguar nga detyrimet e mëparshme, duke lënë te aktiviteti i mbyllur një seri detyrimesh apo gjobash të papaguara. Është pikërisht ky aspekti në të cilin paketa fiskale e vitit 2019 përqëndrohet më së shumti.
Me procedurat e reja, çelja e një NIPT-i të ri nuk do jetë e mundur nëse nuk mbyllet apo çregjistrohet NIPT-i ekzistues në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Gjithashtu, për të shmangur, keqpërdorimin e tarifave të ligjit dhe tatimit, një person fizik do të pajiset vetëm më një NIPT. Në rast se do iu duhet të hapin veprimtari të tjera, ata do kenë mundësinë e përdorimit të NIPT-eve sekondare që derivojnë nga NIPT-i kryesor.