MENU
klinika

Zbardhet diskutimi në mbledhje

Mbledhja e Kryesisë së PS/ Rama paralajmëron ndryshime të reja

30.12.2018 - 16:59

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Kryesinë e Partisë Socialiste për të bërë një rezyme të të gjithë vitit, ku foli lidhur edhe me ndryshimet në kabinetin qeveritar, ku theksoi nevojën e këtyre ndryshimeve pas protestës së studentëve.

Rama paralajmëroi se në janar do të ketë ndryshime edhe në nivele të larta të administratës.

Nga mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së PS-së, bëhet me dije se Rama ka paralajmëruar anëtarët e Kryesisë se përtëritja e qeverisë do të pasqyrohet edhe në administratë, ku do të largohen drejtorë të rëndësishëm.

“Përtëritja e qeverisë do të pasqyrohet edhe në nivele të larta të administratës, ku përfshihen drejtorë të mëdhenj dhe drejtues rajonalë në qarqe”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e kryesisë së PS-së.

Në mbledhjen e Kryesisë së PSsë, Rama vendosi të ndryshojë më shumë se gjysmën e kabinetit të tij. Nga 14 anëtarë të kabinetit të tij, kreu i qeverisë vendosi të ndryshojë 8 prej tyre.

Përmes kriterit “5 vjet ministër”, Rama vendosi të largojë ministrat: Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Lindita Nikolla, Mirela Kumbaro dhe Niko Peleshi.

Pavarësisht se nuk kishin 5 vite në qeveri, nga aty u largua edhe zv/kryeministrja Senida Mesi dhe ministrja për Sipërmarrjen, Sonila Qato.

Zgjedhjet
Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, që zgjati për 60 minuta, Kryeministri Rama kërkoi që nga fillimi i janarit të nisë menjëherë puna për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Sipas burimeve, përmes një vendimmarrjeje të Kryeministrit Rama, është kërkuar që Kryesia të mblidhet në mënyrë periodike çdo muaj deri në Kongresin e PS-së të 23 marsit, ndërkohë që, sipas statutit, Kryesia mblidhet një herë në dy muaj.

Drejtuesve politikë në qarqe u është kërkuar të rrisin kontaktet me bazën dhe të respektojnë afatet organizative dhe ato zgjedhore sipas vendimeve të Asamblesë Kombëtare. Përgatitja për zgjedhjet vendore në PS do të nisë që në ditët e para të muajit janar.

Sipas një vendimi të Kryesisë së PS-së mësohet që në 4 janar do të nisë mbledhja e Këshillave të Koordinimit në territor. Këto takime do të jenë periodike deri në mbledhjen e Kongresit të PS në javën e tretë të muajit janar.

Në Kongresin e PS-së, i cili është caktuar të mbahet në 23 mars, do të prezantohen edhe kandidatët e së majtës për zgjedhjet vendore Kryeministri Edi Rama paralajmëron se pas ndryshimit në kabinetin e tij qeveritar, në janar do të ketë ndryshime edhe në nivele të larta të administrates të 30 qershorit.

Kryeministri Rama u shpreh në Asamblenë e PS-së se fitorja nuk duhet diskutuar në zgjedhjet vendore, duke theksuar se edhe ndryshimet në qeveri janë bërë në funksion të maksimizimit të rezultateve.

Hapja e PS-së

Një javë më parë, drejtuesit politikë të PS-së në 12 qarqe kanë raportuar para Kryesisë aktivitetin politik dhe elektoral gjatë këtij viti. Nën sloganin “Partia Socialiste e hapur për ty”, socialistët nisën fushatën e hapjes së partisë për të afruar të rinj, intelektualë, profesionistë, por dhe biznesmenë.

Synimi ishte që deri në fund të dhjetorit 2018, anëtarësia e Partisë Socialiste të shtohet me 30 mijë anëtarë të rinj, objektiv ky i arritur nga degët socialiste në të gjithë vendin.

PS-ja, sipas drejtuesve politikë, bëri verifikimin e anëtarësisë në çdo organizatë dhe shtrirjen e organizatave socialiste në të gjithë territorin.

Kreu socialist ka qenë kritik me drejtuesit politikë në qarqe gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të zhvilluar në muajin shtator, kur është shprehur për rezultate të dobëta elektorale në Tiranë dhe shumë pozitive në Fier.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN