MENU
klinika

Buxheti i vitit 2019

Miratohet buxheti/ Dako i ‘rrëmben’ 6 vota LSI-së

21.12.2018 - 12:03

Këshilltarët e LSI-së bashkuan votat me socialistët në Këshillin Bashkiak, duke miratuar buxhetin e Bashkisë së Durrësit për vitin 2019.

Buxheti është votuar mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e radhës, pa praninë e asnjë prej 14 këshilltarëve të djathtë. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në qendër, mendohej se PS-ja nuk do të mblidhte votat e duhura (26) për të kaluar buxhetin.

Por ndryshe nga sa pritej, këshilltarët e LSI-së bashkuan votat dhe bënë të mundur kalimin e tij.

vangjush dako-konica.al
vangjush dako-konica.al

Partia Socialistë ka 16 këshilltarë në Këshillin Bashkiak dhe bashkë me aleatët shkojnë në 22, por sërish pa votat e LSI-së apo PD-së, nuk e bënte dot kuorumin. Në këto kushte, janë dashur me patjetër të paktën gjashtë vota të LSI-së për të miratuar buxhetin e ri (LSI ka 14 këshilltarë).

Buxheti ka marrë 27 vota pro, duke siguruar kështu kuorumin e nevojshëm për miratimin e tij. Ndërkohë, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan, me përjashtim të pikës 8 dhe 10, që u lanë për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme.

BUXHETI

Buxheti i vitit 2019 kap shifrën e rreth 23 milionë eurove, me një rritje 5.7 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2018.

Të pranishëm në këtë mbledhje mjaft të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, ishin vetëm 27 këshilltarë, nga 51 që ka në total Këshilli Bashkiak Durrës.

kolana e librave

Në sallën e mbledhjes kanë munguar anëtarët e Këshillit Bashkiak të PD-së, të cilët e kanë bojkotuar mbledhjen, si dhe disa anëtarë të LSI. Por pjesa e këshilltarëve të këtij subjekti politik që ndodheshin në mbledhjen e radhës kërkuan disa ndryshime të vogla dhe u pajtuan me buxhetin e hartuar nga bashkia, duke ngritur kartonin jeshil.

Ata bashkuan votat për t’u hapur kështu dritën jeshile projekteve të parashikuara nga Bashkia e Durrësit për t’u realizuar në vitin 2019. Bashkia e Durrësit ka hartuar për vitin 2019 një buxhet, ku pjesa dërmuese e investimeve fokusohen në infrastrukturë dhe turizëm.

Një numër i madh shkollash, çerdhesh e kopshte janë parashikuar të rikonstruktohen përgjatë vitit 2019, si dhe disa segmente rrugore që nuk u prekën nga investimet përgjatë këtij viti që po lëmë pas. Bashkia e Durrësit në buxhetin e ri ka parashikuar ndërtimin e një shëtitoreje gjigante përgjatë bregdetit te “Shkëmbi i Kavajës”, investim që kap vlerën e afro 4.5 milionë eurove.

Ndërkohë, pjesa tjetër e parave të buxhetit të vitit të ardhshëm do të shkojë për nevojat operative të bashkisë.

DISKUTIMET

Dy pikat që nuk u miratuan në mbledhje dhe u lanë për t’u diskutuar në vijim kanë të bëjnë me disa ambiente që do të jepen me qira.

Pika 8 ishte për miratimin e ndryshimit të pikës 1 të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.117, datë 16.11.2006, “Për miratimin e dhënies me qira të ambienteve të n.p.a, kati përdhe, të përshtatur në ambiente banimi, pronë shtetërore në lagjen nr.14, Shkozet Durrës.

Ndërsa pika tjetër kishte të bënte me miratimin e dhënies me qira të terrenit sportiv, që përfaqëson dy fusha tenisi me sipërfaqe 1420 m2, të ambientit godinë 1 kat me sip. 32.4 m2 dhe të sip.124.6m2, si dhe të disa terreneve sportive të tjera.