Shefja e Diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini do të presë të mërkurën e 19 dhjetorit të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim ky i cili njoftohet se do të jetë jozyrtar.
Pjesë e takimit jozyrtar do të jetë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama si dhe të gjithë homologut e tij në rajon.
Gjithashtu pjesë e takimit do të jetë edhe eurokomisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn.
Në takim, pjesë e diskutimeve do të jenë zhvillimet aktuale në rajon, duke marrë në konsideratë punën e bërë në vitin 2018 dhe parashikimet për vitin e ardhshëm.
Në vitin 2018, një perspektivë e qartë e Bashkimit Evropian, bazuar në meritat dhe arritjet, u riafirmua për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni gjithashtu miratoi Strategjinë e Ballkanit Perëndimor, duke sinjalizuar një angazhim të shtuar në rajon dhe një Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, samit ky i cili mblodhi së bashku të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së për herë të parë në 15 vjet.