MENU
klinika

Pse ndodhte kjo?

Në disa zona të Shqipërisë, fëmijët nuk këndonin, nuk qeshnin…

17.12.2018 - 19:32

Buzëqeshja simbolikisht përcjell mesazhe komplekse, me kuptime të ndryshme, të nuancuara e deri krejt të kundërta ndër anëtarët e grupimeve shoqërore fare të vogla.

Në vijim, paraqitet shqyrtimi i disa mesazheve kryesore që përcjell buzëqeshja në disa kultura ose nënkultura:

1. Anri Lëfevër ka shkruar se në shoqërinë franceze dhe në mjaft shoqëri të tjera, sidomos të periudhës së konsumit, buzëqeshja është simbol i gëzimit, i lumturisë. Gjithashtu, në mjaft kultura buzëqeshja apo qeshja shpreh gjendje të mirë të shëndetit fizik dhe mendor.

Spiritualisti i shquar i shekullit XX, Osho, për këtë çështje, ndër të tjera ka shkruar: “Edhe shkenca mjekësore konfirmon se qeshja është një nga barnat më të mira dhe më atyrore që natyra mund të na ofrojë”. 

2. Buzëqeshja ose e qeshura e shtirur, artificiale, ndër anëtarët e mjaft kulturave dhe nënkulturave reflekton të tjera gjendje shpirtërore. Shpesh qeshja ose buzëqeshja “stampohet” në fytyrat e vartësve me ose pa dëshirën e tyre, për të shprehur respekt të imponuar e deri servilizëm ndaj eprorëve. Një buzëqeshje e tillë e formaton fytyrën e vartësit si një maskë hipokrizie.

3. E qeshura apo buzëqeshja, sidomos në situata të trazuara psikokulturore, mund të shprehë edhe gjendje të rëndë stresante, brengë traumatizuese në nivelet e shpërfytyrimit.

Friedrich Nietzsche ka shkruar se ndër gjithë krijesat e gjalla, njerëzit janë ata që vuajnë më shumë, sa që për të përballuar këtë vuajtje, u detyruan të shpikin të qeshurën. “Njerëzit e plagosur thellë, kanë një buzëqeshje olimpike, sepse kanë vetëm atë për të cilën kanë nevojë”.

4. Në shoqërinë tradicionale shqiptare, veçanërisht në segmentet e saj që banonin në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, disa fëmijë nuk këndonin. Qeshnin ose buzëqeshnin shumë rrallë, nuk merrnin pjesë në lojëra të ndryshme gazmore me bashkëmoshatarët. Ato angazhoheshin vetëm me lojëra serioze, kryesisht me karakter luftarak.

Modele të tilla sjelljesh identifikonin simbolikisht fëmijët jetimë, pa baba, pa nënë ose pa të dy prindërit. Këta quheshin fëmijë të rritur në zi. Sipas traditave zakonore, jetimët, vetëm pasi martoheshin, mund të qeshnin e të këndonin si gjithë të tjerët.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”