MENU
klinika

Personalitete Shqiptare

Nikolla Jorga dhe shqiptarët e Rumanisë

08.12.2018 - 10:26

Komuniteti i shqiptarëve në Rumani ka dhënë një ndihmesë të madhe  për Shqipërinë si dhe ka nxjerrë atdhetarë të shquar që ee kanë nderuar atë.

Historiani i madh rumun me origjinë shqiptare, Nikolla Jorga, i njohur edhe si burrë shteti, është një nga figurat më të shquara të Rumanisë të këtij shekulli. Ai lindi në Botoshani të Rumanisë, në vitin 1871, nga një familje zejtarësh muratorë.

Të dhënat mbi prejardhjen e tij i kemi nga vetë N. Jorga, i cili në njërën nga veprat e tij të shumta, na thotë se gjyshi i tij i quajtur Jorgo, në shek. 19, me trastën e muratorit në krahë, erdhi nga Shqipëria, ndoshta nga treva korçare e Gorë-Oparit, dhe u vendos në Rumani duke ushtruar mjeshtërinë e muratorit.

Njeri i talentuar, me një kujtesë dhe vullnet të jashtëzakonshëm  për punë, ai u bë shumë shpejt shkrimtar i njohur, publicist, gojëtar, politikan dhe historian i përmasave të mëdha evropiane. Ai shkroi një bibliotekë me libra, që, sipas disa njoftimeve bibliografike, arrijnë në 1003 vëllime, 12.755 artikuj publicistikë dhe 4963 informacione.

Drejtoi mjaft gazeta e revista dhe trajtoi probleme në të gjitha gjinitë dhe fushat e historisë së letërsisë dhe shprehej në të gjitha gjuhët evropiane.

Si historian, ai sundoi historinë e mirëfilltë, atë kombëtare dhe botërore. Ai shkroi historinë e popujve të Ballkanit, duke u ndalur në atë të Shqipërisë dhe sidomos tek ajo e popullit rumun. Vepra kryesore e tij mbetet “Historia e rumunëve”, e shkruar në 10 vëllime gjatë viteve 1935-1939, që përfshijnë kohët më të hershme deri në vitin 1939.

Qe profesor i historisë në Universitetin e Bukureshtit, u bë doktor “Honoris Causa” i shumë universiteteve evropiane, anëtar i Akademisë Rumune të Shkencave, si dhe i disa akademive shkencore të huaja. Për dy vjet me radhë (1931-1932), Nikolla Jorga ishte edhe President i Kuvendit të Lartë të Rumanisë.

Njeri me përgatitje të lartë në fushën e historisë, si njohës i shumë gjuhëve të huaja, ai përgatiti dhe botoi shumë vëllime me burime dokumentare historike, monografi shkencore, me një shtrirje të gjerë kohore mbi historinë ekonomike, arsimore, ushtarake, politike etj. të Rumanisë, studime dhe punime sintezë mbi historinë e Rumanisë, të shteteve të Ballkanit dhe të historisë në përgjithësi etj.

Për historinë e popullit shqiptar, N. Jorga dha një ndihmesë të vyer. Në vitin 1915-1916, ai botoi në Bukuresht në gjuhë të huaj, disa vëllime me titull: “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shek. 15”, ku paraqet një material të pasur mbi luftën antiosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së ndritur të Skënderbeut.

Në kuadrin e kësaj pune të madhe kërkimore, në vitin 1915, ai zbulon në Bibliotekën Laurentiana të Firences, dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” (viti 1462) të shkruar nga bashkëpunëtori dhe këshilltari i ngushtë i Skënderbeut, kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli.

Më 1919, ai botoi në gjuhën franceze në Bukuresht, veprën: “Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar” dhe një vepër tjetër në Paris, më 1925, me titull: “Histori e shteteve të Ballkanit deri në vitin 1924”, ku çështjet e historisë shqiptare zënë një vend të dukshëm.

Vepra e Jorgos, e këtij dijetari të shquar, që bëri aq shumë për historinë e Shqipërisë, paraqet një interes të veçantë.

Në shenjë mirënjohje dhe respekti për ndihmesën, njohjen dhe propagandimin e historisë amtare, mbreti i shqiptarëve A. Zogu, në vitet ’30-të, i fali këtij shkencëtari të madh patriot, një truall dhe një banesë në qytetin e Sarandës, të cilën N. Jorga nuk e shfrytëzoi, por e la amanet, me testament, që banesa të kthehej në muze arkeologjik në shërbim të historisë amtare të kombit të vet të lashtë, të cilit i përkiste.

Si demokrat liberal që urrente diktaturën, në moshën 69-vjeçare, ai u vra në vitin 1940 nga forcat fashiste rumune të “Gardës së hekurt”, të cilat e masakruan duke e therur në mënyrën më barbare, kur ishte duke dhënë mësim në qytetin verior të Bukureshtit, në Sanaia.

Mihal Viteazul, u jep leje një numri të madh të emigrantëve, që vinin nga tokat bullgare të vendosen në Rumani. Ky është ngulimi i parë i një grupi kompakt të madh të vendosjes së arbërve në tokat e Danubit të Sipërm.

Këta ishin arbëreshët e Çerna Vodës dhe të fshatrave të banuara nga njerëz të këtij gjaku, që lanë vendin e tyre të pushtuar nga ushtritë osmane që po përhapeshin në të gjithë Ballkanin.

Këta ishin rreth 15 mijë vetë, të cilët pasi kaluan Danubin dhe familjet dhe pasuritë, u vendosën në tokat rumune, ku gjetën mbrojtje, bukë dhe përkrahje.

Ndërsa më vonë, në kushtet e përshtatshme të zhvillimit të luftës për çlirimin kombëtar, kushërinjtë e një gjaku me rumunët, siç i quante historiani i madh Nikolla Jorga, falë disa aftësive në gjuhë e tradita, u integruan shpejt në masën e gjerë rumune, duke nxjerrë nga gjiri i tyre luftëtarë trima e besnikë, mjeshtër e tregtarë të aftë, shkencëtarë, njerëz të artit e të kulturës, mjekë, arkitektë, profesorë, juristë, madje edhe burra të shquar shteti.

Le të përmendim periudhën e ndritur të sundimit në Moldovë, të Vasile Luput i mbiquajtur “Albanezul” (1634-1653), i lindur në fshatin Arbanasi afër qytetit Razgrad të Bullgarisë. Vasile Lupu – njeri i ditur dhe erudit, siç e quajti historiani francez Ubbicini, i dha popullit rumun të Moldovës, më 1646, Kodin e njohur të shkruar që mban emrin e tij.

Mateu i Basarab, princi i drejtë dhe njerëzor, ndoqi shembullin e tij në Vllahi, duke e shtypur këtë rregullore në vitin 1652, në shtypshkronjën e parë rumune që ekzistonte atëherë në Bukuresht. Po kështu, vlejnë të përmenden të 11 sundimtarët nga familja e njohur e Gjikajve nga Zereci i Përmetit, që sunduan shumë kohë në Moldavi dhe Vllahi, ajo e Gjergj Dukës etj.

Më vonë, numri i shqiptarëve në Rumani u rrit edhe me të ardhur të tjerë, që u shpërngulën nga fundi i shek. XVIII nga tokat bullgare, si 7 fshatrat që u vendosën si vijon: në Basarabi e Moldavi 4 fshatra dhe 3 të tjerat në trevat e Ukrainës etj.

Të gjithë këta arbëreshë, me përjashtim ata të fshatit Karakurt, që ruan edhe sot gjurmët e gjuhës shqipe, u shkrinë në mjedisin vendas mikpritës.

Por, periudha më e rëndësishme e historisë së bashkësisë shqiptare të Rumanisë shpaloset në shekullin XIX, kur nga të gjitha trevat shqiptare, vijnë edhe nguliten në këtë vend mikpritës, shumë bashkatdhetarë, ku të përkrahur edhe nga qeveria rumune, zhvillojnë një veprimtari të rëndësishme ekonomike-politike gjatë Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmendim patriotin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Naum Panajot Veqilharxhi, të vendosur në Breila, i cili mori pjesë në kryengritjen e Tudor Vladimireskut.

Ky u bë i njohur në Shqipërinë e Jugut, me botimin në vitin 1844, të abetares së parë shqipe të titulluar “Farë i ri Evetar Shqip për djem nismëtar…”, por që ra viktimë nga dora gjakësore e shovinizmit grek, që e helmoi më 1857; princesha dhe shkrimtarja e njohur rumune, me origjinë shqiptare nga Parga e Çamërisë, Elena Gjika, (Dora D’Istria); historiani i madh Nikolla Jorga; patrioti i njohur Nikolla N. Naço; patrioti matjan me reputacion mbarë ballkanik; mësuesi mjek i gjuhës shqipe në Mexhidie, Dr. Ibrahim Themo (1865-1945); poeti dhe patrioti i njohur Asdreni (1872-1947); mësuesi i matematikës Neofil Simoni nga Shkupi etj.

Shqiptarët e Rumanisë u bënë krahu i djathtë i Rilindjes Kombëtare dhe i Lëvizjes për Pavarësinë e Shqipërisë (1912) dhe më tej. Ata krijuan shoqëri kulturore shqiptare, botuan në gjuhën shqipe e rumune gazeta e libra, vepra letrare e historike, si ato të vëllezërve Frashëri (Abdyl, Naim e Sami), si dhe hapën shkolla shqipe në Konstancë, Mexhidie etj.

Ata kishin organizuar në Bukuresht edhe koloninë e tyre shqiptare, të cilën për një kohë të caktuar, në vitet ’30, e drejtonte vetë N. Jorga.

Gjatë kësaj kohe dhe më vonë, edhe sot kolonia shqiptare e Bukureshtit ka qenë një ndër vatrat më të rëndësishme të mbajtjes gjallë të shpirtit patriotik dhe liridashës shqiptar dhe punoi pa u kursyer, me çdo mjet, për fuqizimin e përpjekjeve dhe idealeve të Rilindjes Kombëtare dhe fitoren e Pavarësisë.

Studiuesit dhe historianët e sotëm shqiptarë e rumunë, si N. Çeakir, Xh. Maksuti, I. Dermaku, K. Vetëshesku etj., janë të njohur tashmë për studimet e tyre të hollësishme, mbi ngulimet patriotike të kësaj diaspore të Ballkanit, e cila qëndron në ballë të kësaj treve në fushën politike, shoqërore e kulturore, në dobi të forcimit të marrëdhënieve në mes dy popujve, shqiptar dhe rumun.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN