MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Një botë plot me Khashoggi…

04.12.2018 - 16:57

Vrasja brutale e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll tronditi gjithë botën. Shtatëdhjetë e tre gazetarë janë vrarë deri tani këtë vit, shpesh nga duart e atyre që ashtu si regjimi saudit, janë aleatë të SHBA.

Për dy muaj, vrasja brutale e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe pasojat e saj gjeopolitike ka dominuar titujt e lajmeve në mbarë botën. Por ky rast nuk është i vetmi. Në fakt, sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit, dhuna ndaj gazetarëve dhe mosndëshkimi për autorët janë dy nga kërcënimet më të mëdha për lirinë e medias.

Qeveritë shpesh i shpërblejnë gazetarët, duke përdorur mjete financiare ose lloje të tjera ryshfeti. Megjithatë, ata që refuzojnë të blihen, mund të pësojnë humbjen e të drejtave themelore ose shkatërrimin e reputacionit.

Për këtë qëllim, disa regjime autokratike imitojnë presidentin amerikan Donald Trump, duke i quajtur gazetarët “armiq” që shpërndajnë “lajme të rreme”. Kjo është shumë e  çuditshme për Shtetet e Bashkuara, një vend që historikisht ka patur mekanizma për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Burgosja është një mënyrë tjetër e preferuar për regjimet autokratike për të heshtur gazetarët që guxojnë të flasin të vërtetën.

Në Egjipt, Mahmoud Hussein i Al Jazeera është burgosur për dy vjet pa gjyq. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, gazetari jordanez Tayseer al-Najjar po vuan një dënim trevjeçar, i cili do të zgjasë nëse familja e tij nuk është në gjendje të paguajë gjobën prej 136,000 dollarë të imponuar për atë për një post që ai bëri në mediat sociale. Në Turqi, më shumë se 150 gazetarë janë burgosur që nga korriku i vitit 2016.

Nga një studim, 73 gazetarë janë vrarë deri më tani këtë vit dhe në 12 vende pesë ose më shumë vrasje të gazetarëve kanë mbetur çështje të pazgjidhura në vitin 2017.

Kjo përfshin jo vetëm vendet e dhunuara si Iraku, Somalia dhe Siria, por edhe vende demokratike si Brazili, India, Meksika, Nigeria dhe Rusia.

Vende të tilla, shumë prej të cilave janë aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, nuk “paguajnë” për veprimet e tyre. Në këtë kuptim, vrasja e Khashoggi dërgon një mesazh të fuqishëm.

Princi saudit, Mohammed bin Salman, besohet se ka urdhëruar vrasjen. Megjithatë, gazetarët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në vendet në zhvillim që përfitojnë ose varen nga mbështetja financiare nga Arabia Saudite po qëndrojnë në qetësi.

Edhe disa vende perëndimore nuk kanë reaguar. Trump, për shembull, ka deklaruar se ai e mbështet Arabinë Saudite, një aleat i SHBA, kryesisht për të mbrojtur marrëveshjet e armëve.

Ndër ata që kanë qenë të guximshëm për të folur, janë gazetarët palestinezë. Më shumë se 150 gazetarë të pavarur palestinezë kanë nënshkruar një peticion. Peticioni shkon përtej çështjes së Khashoggit, duke bërë thirrje për miratimin e “ligjeve të detyrueshme që mbrojnë gazetarët, garantojnë të drejtën e tyre për liri dhe ndëshkojnë ata që shkelin këtë të drejtë”.

Duke pasur parasysh se sa shumë po shtohen krimet kundër gazetarëve, dhe sa e rëndësishme është puna e tyre për shoqëritë tona, peticioni meriton mbështetjen e të gjithë qytetarëve ku liria e shtypit është e kufizuar ose nën kërcënim.

Daoud Kuttab, një ish-profesor Ferris i gazetarisë në Universitetin Princeton, është kreu i komitetit të lirisë së shtypit në bordin e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit.