MENU
klinika

Albert Çaçi

Një G-20 e zbehtë

05.12.2018 - 09:02

Të shtunën e shkuar u mbyll në Buenos Aires takimi vjetor i G-20 i 2018.

Ky takim u mbajt në një situatë ndërkombëtare mjaft të komplikuar ku një sërë problemesh si lufta tregtare SHBA-Kinë, dalja e SHBA nga traktati i INF, një varg sanksionesh të vendosura për shtete te ndryshme, marrëveshja e klimës që ka ngelur në letër, problemet e emigracionit, luftërat në vazhdim po krijojnë një klimë mosbesimi të paprecedentë.

Duhet theksuar që nga takimii parë i G-20 të vitit 1999 në Berlin ky ishte takimi më i zbehtë pasi rezultatet e arritura jane minimale. Dhe ky fenomen tashmë është bërë një normalitet në takime të tilla ndërkombëtare.

Në qershor takimi i G7 në Kanada u mbyll pa deklaratë përfundimtare pasi Trump nuk pranoi ta nënshkruante, takimi i qershorit i BE për emigracionin u shpëtua në sekondat e fundit me një deklaratë evazive që nuk kënaqi askënd, takimi i fundit i OKB, po kështu u mbyll pa ndonjë rezultat konkret, takimi i nëntorit i APEC, traktati i koperimit Azi-Paqësor u mbyll pa kompromis.

Pra, bota aktualisht ka hyrë në një fazë të re zhvillimi të marrëdhënieve ndërkombëtare ku kontraditat janë rritur aq shumë saqë është shumë e vështirë të gjendet gjuha e përbashkët.

Kjo frymë karakterizoi edhe këtë G-20 të fundit. Hija e përsëritjes së dështimit spektakolar të G-7 në Kanada sillej rotull në të gjitha tavolinat e bisedimeve, Trump duke e kuptuar shumë qartë se përsëritja e atij akti do të minonte defitinivisht sensin e takimeve të tilla e ngriti stekën shumë lart.

SHBA në këtë G-20 bënë një presion të jashtëzakonshëm duke kërcënuar se nuk do ta nënshkruanin deklaratën përfundimtare nëse nuk merreshin në konsideratë 3 kushtet e tyre për klimën, proteksionizmin dhe emigracionin.

Në fund për të shpëtuar aparencën Macron, që udhëhiqte frontin anti-Trump cedoi, dhe një deklaratë e vakët pa asnjë lloj detyrimi u realizua në momentet e fundit për të mos deklaruar dështimin.

Për këtë do të mjaftonte një tregues teknik. Deklarata e 2018 përmban vetëm 3000 fjalë nga 5400 e viti 2017 dhe mbi 7000 fjalë ajo e vitit 2016 në Kinë ku mori pjesë për herë të fundit Obama. Pra kishte shume pak pika ku binin dakord dhe nuk kishin se ç’të shkruanin.

Por ishte trajtimi i çështjeve kardinale që dëshmoi nivelin e kontradiktave.

Një nga çështjet ku liderat botërorë janë impenjuar maksimalisht vitet e fundit ka qenë marrëveshja për klimën që në përgjithësi i kishte bërë të gjithë bashkë dhe që rezultoi me marrëveshjen e Parisit. Por Trump më 2017 deklaroi daljen e SHBA nga kjo marrëveshje duke e dëmtuar rëndë.

Në Buenos Aires Trump as që pranojë që të diskutonte për këtë çështje dhe kërcënoi se nuk do ta firmoste deklaratën perfundimtare nëse do të vendoseshin kushte për klimën. Dhe në deklaratën përfundimtare u përdor termi që shtetet do të impenjohen për të mbrojtur klimën pa dëmtuar rritjen ekonomike. Pikërisht atë që donte Trump.

Tema tjetër ishte proteksionizmi dhe lufta tregtare që po kërcënon gjithë tregtinë botërore. Trump nuk pranoi të citohej fjala proteksionizëm dhe me gjithë debatin më në fund u arrit që ky term që sot shqetëson gjithe botën të zhdukej nga deklarata përfundimtare dhe të zëvëndësohej me impenjimin për të reformuar OMC për të funksionuar më mirë.

I njëjti pozicion edhe për trajtimin e emigrantëve ku Trump me turmat pranë kufirit amerikan nuk do që t’i japë askush mend se si mund të trajtohet kjo çështje.

Me këto kushte që nuk e impenjonin praktikisht për asgjë SHBA, Trump pranoi ta firmosë deklaratën përfundimtare e cila në thelb pa këto tre tema që shqetësojnë aktualisht botën u shndërrua në një proces deklarativ.

Por nëse takimi shumëpalësh mund të konsiderohet pothuajse i dështuar, takimi i Buenos Aires rezultai mjaft efektiv për takimet dypalëshe, dhe kjo është ajo pjesë që Trump pëlqen më shumë.

Ai e ka bërë të qartë disa herë se këto formate G-7, G-20, madje edhe vetë OKB janë shndëruar në organizma obsolete të tejkaluar nga koha.

Kështu gjithë vëmendja nuk ishte përqendruar tek deklarata përfundimtare, pasi të gjithë ishin të qartë se ajo nuk obligon më askënd por në takimin Trump- Xi Jiping për luftën tregtare midis dy vendeve.

Dhe të gjithë u lehtësuan kur u njoftua që midis dy palëve u ra dakord që fillimi i aplikimit të tarifave doganore të mos fillojë më 1 janar siç ishte planifikuar, por të shtyhet për 3 muaj.

Ky ishte lajmi më pozitiv i gjithë takimit të kësaj G-20 pasi nga nisja e kësaj lufte tregtare parashikohej që në 2019, të ulej GDP botërore me 1% (800 miliard USD) duke i dhënë rrugë fillimit të një krize të re ekonomike botërore. Jo se shtyrja për tre muaj e zgjidhi problemin por të paktën dha shprese se palët mund të ndryshojnë pozicionet e tyre.

Trump ishte mjaft i kënaqur që arriti të firmosë edhe marrëveshjen për NAFTA-n me Meksikën dhe Kanadanë duke iu imponuar kushtet e tij pas një beteje jo të lehtë dyvjeçare.

Dhe me të vërtetë Trump qe i vetmi që i realizoi të gjithë objektivat që kishte në këtë G-20. Të tjerët u munduan por nuk ia dolën dot përballë determinacionit të Trump.

I vetmi dështim i G-20 ishte anullimi i takimit Trump-Putin për shkak të incidentit të Kerç.

Në fakt rezultatet dypalëshe për marrëveshjet ekonomike nuk mund të mbulojnë një shqetësim shumë herë më të madh, atë të problemeve të traktateve bërthamore dhe armatimeve të shfrenuara jashtë kontrollit që po rrezikojnë seriozisht sigurinë e planetit.
Për këto do të diskutonin kryesisht Trump dhe Putin, dhe anullimi është kambanë alarmi për problemet e sigurisë të cilat siç po duken, po shkojnë drejt një loje pa rregulla me gjithë pasojat që ajo sjell.

Në fakt të gjithë po merren me afare ekonomike, por realisht që nga viti 1972 bota nuk ka qenë ndonjëherë në ketë niveli rreziku. Dhe mbi të gjitha lehtësia me të cilën po e marrin këtë problem është me të vërtetë impresionuese.

G-20 i këtij viti pati dhe një problem etik, ku princi i Arabisë Saudite Muhammad bin Salman, i akuzuar direkt për eliminim barbar të gazetarit të Washington Post Khashogi, takonte liderat e botës në prani të medias në një siklet jashtëzakonisht të madh të tyre.

I vetmi që e takoi dhe e përshëndeti pa asnjë problem, madje si të ishte në një takim sportiv, ishte Putini që ishte i interesuar për marrëdhëniet për OPEK- Plus ku determiniohet çmimi i naftës. Nga ana tjetër, do të ishte një ekzagjerim i madh të kërkoje nga Putin që të mbante një qëndrim parimor ndaj Salman për gazetarin e zhdukur, kur shumë gazetarë kaneë patur të njëjtin fat edhe në Rusinë e tij, ndoshta jo me metoda mesjetare të tipit saud.

Shkurt, takimi i G-20 dëshmoi edhe një herë nivelin e mosmarrëveshje që karakterizojnë sot botën.

Sa kohë ishte Obama, kishte një lloj dëshire për kompromise. Ardhja e Trump dhe aplikimi i politikës së tij Amerika First i ka ndryshuar komplet qasjet për problemet që shqetësojnë sot marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe është e kuptueshme që nëse SHBA, si shteti më i fuqishëm në botë do të kenë këtë politikë të jashtme, asnjë problem nuk mund të zgjidhet jashtë interesave të tyre.

Dhe Trump ia ka bërë të qartë si aleatëve dhe kundërshtarëve se America First nuk është një fiction por një program i kolauduar që do të aplikohet me çdo kusht, pavarësisht reagimet e të tjerëve.

Sidoqoftë kjo G-20 dëshmoi qartë se qëllimi i organizmit të saj tashmë ka ndryshuar, nga një organizëm ku diskutoheshin dhe merreshin vendime për problemet globale në një vend takimi ku të gjithë liderat e 20 shteteve më të fuqishme të botës, mund të takohen dhe realisht mund të arrijnë rezultate shumë pozitive dypalëshe.

Bota realisht po ndryshon dhe organizmat e ndryshme ndërkombëtare nuk iu ka ngelur gjë tjetër veçse tu adaptohen situatave të reja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fokusi kriza Rusi-Ukrainë

Samiti i G20/ Çfarë do të diskutohet?