MENU
klinika

Nga The Economist

Një rrugëdalje nga “rrëmuja” e Brexit…

07.12.2018 - 15:37

Kryeministres Theresa May iu desh një vit e gjysmë për të arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropian. Dhe duket sikur Parlamentit të Britanisë do t’i duhet më pak se një muaj për ta hedhur poshtë.

Lufta e qeverisë për të arritur marrëveshjen ekspozon përçarjen që ka krijuar Brexit në zemër të demokracisë së Britanisë. Shumica besojnë se kompromisi i papërsosur i Mayt është më keq se status-quo. Si përfaqësues të zgjedhur të popullit, ata kanë çdo të drejtë ta pengojnë atë.

Paraliza e sotme është rezultat i paaftësisë së Britanisë për të përshtatur traditën e saj të demokracisë përfaqësuese me eksperimentet e saj më të fundit me demokracinë e drejtpërdrejtë.

Shumë argumentojnë se duhet të mbyllin sytë dhe të votojnë për marrëveshjen. Argumenti i tyre mbështetet në një supozim të gabuar: se shumica do të thotë që çdo marrëveshje që rezulton pasqyron vullnetin e popullit. Nuk është shumë e qartë nëse plani i Mayt e bën këtë.

Kryeministrja e ka bërë përparësi qëllimin për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë të njerëzve. Kjo nënkupton largimin nga tregu i vetëm, një humbje e madhe.

Sidoqoftë, është e qartë se marrëveshja e May është pothuajse në çdo aspekt më e keqe se ajo që tashmë ka Britania e Madhe, me të qenurit në BE. Barrierat e reja për tregti do të shkëpusin industrinë e saj të shërbimeve nga tregu më i madh dhe mund të dëmtojnë zinxhirin furnizues të prodhimit britanik.

May i ka kaluar dy javët e fundit në një fushatë virtuale, duke u përpjekur të bindë publikun për meritat e marrëveshjes. Ka folur edhe në një debat televiziv mbi planin e saj.

Rruga drejt një referendumi të dytë është e pabesë. Parlamenti do të luftojë për të rënë dakord mbi formën e saj. Humbja e rëndë për zonjën May mund të çojë në zgjedhje të përgjithshme, në të cilat të gjitha partitë do të paraqisnin plane të shkëlqyera, por të pamundura, duke shtuar ngatërresat. Refuzimi i marrëveshjes së Mayt do të rriste rrezikun e largimit pa marrëveshje fare, një fatkeqësi për Britaninë dhe fqinjët e saj.

Por BE ka një traditë për t’i bërë njerëzit të votojnë përsëri kur zgjedhin përgjigjen “e gabuar”. Një referendum i dytë do të shihej si një kundërrevolucion.

Rreziku është i vërtetë. Një referendum i dytë do të shkaktonte pakënaqësi dhe do të përshkruhej si “poshtërim kombëtar” dhe “mashtrim” ndaj atyre që votuan për t’u larguar.

Brexit shpesh krahasohet me një divorc. Nëse britanikët janë të vendosur ta shtyjnë, kjo është e drejta e tyre. Por tani që ata e dinë se çfarë do të thotë me të vërtetë Brexit, ata meritojnë mundësinë për të thënë nëse ende e duan atë.

The Economist

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN