Tashmë është konfirmuar që Botërori i vitit 2022 do të zhvillohet në dimër (21 nëntor-19 dhjetor), pasi në një vend si Katari, nëse do të ishte luajtur në verë si zakonisht, do të kishte qenë e pamundur për futbollistët, por edhe për tifozët.
Jemi 4 vite larg startit të Kupës së Botës 2022 në Katar dhe do të jenë 8 stadiumet që do të presin kompeticionin më të rëndësishëm në botë. Impiantet po marrin formë dita-ditës.
Stadiumet janë në rrezen e 33 kilometrave, nga Doha dhe do të lidhen me metro dhe tramvaj, çka krijon mundësinë për të parë edhe dy ndeshje në ditë, nëse dëshirohet diçka e tillë.
Në të gjitha stadiumet po kryhen punime dhe Daily Mail ka prezantuar gjendjen e çdo stadiumi në këtë momente, me investimet gjigante dhe punën e pandërprerë, edhe pse problemet janë të mëdha dhe ka akuza pa fund për shfrytëzim skllavëror të punëtorëve.
Al Wakrah Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 22 km
Dizajni futurist i Al Wakrah Stadium është frymëzuar nga velat e barkave tradicionale të Katarit. Stadiumi ka një çati të lëvizshme dhe një sistem inovativ të ajrosjes, për të bërë të mundur që të luhet edhe gjatë verës, kur temperaturat janë vrasëse. Struktura e stadiumit është e përfunduar dhe po punohet për instalimin e çatisë. Është përfunduar edhe elektrifikimi i stadiumit.
Al Bayt Stadium – Al Khor City Stadium
Kapaciteti: 60,000
Distanca nga qendra e Dohas: 43 km
Një prej stadiumeve më të mëdhenj, Al Bayt do të jetë skenë e ndeshjeve deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Arena përfaqëson mikpritjen arabe dhe struktura ngjan si një tendë arabe, ‘bayt al sha’ar’. Në Katar temperaturat shkojnë deri në 30 gradë edhe në nëntor, ndaj çatia është e lëvizshme, për të mbuluar stadiumin. Punimet kanë ecur shumë mirë dhe stadiumi është thuajse i përfunduar.
Al Rayyan Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 22 km
Ky stadium, që do të përdoret deri në çerekfinale, reflekton kulturën e Katarit. Fasada pasqyron detaje nga Katari, nga natyra deri tek ekonomia e këtij vendi. Al Rayyan është afër shkretëtirës, ndaj jashtë stadiumit janë ndërtuar zona për tregti dhe bare në formën e dunave të rërës. Fasada ka nisur të kompletohet, ndërsa çatia prej xhami është vendosur.
Education City Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 11 km
Ky stadium është brenda Qatar Foundation, fare pranë qendrës së Dohas. Aty do të luhen ndeshje deri në çerekfinale, ndërsa pas Botërorit ky stadium do të bëhet qendra e Kombëtares së Femrave. Stadiumi ka formën e një diamanti dhe do të ketë nofkën “diamanti në shkretëtirë”, duke qenë se do të shkëlqejë edhe natën.
Al Thumama Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 12 km
Ky stadium frymëzohet nga ‘gahfiya’, një kapele tradicionale në Lindjen e Mesme. Është stadiumi i parë i Kupës së Botës që është dizenjuar nga një arkitekt arab. Organizatorët thonë që 80% e stadiumit është ndërtuar dhe po përfundon edhe struktura metalike e pjesës së sipërme.
Ras Abu Aboud Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 9.5 km
Në një risi për Kupën e Botës, ky stadium është ndërtuar nga 998 konteinerë anijesh dhe materiale të tjera që mund të çmontohen pasi të mbarojë turneu. Synimi është të përdoren sa më pak materiale dhe të reduktohet ndotja, ndërsa prej shkurtit 2019 do të nisë puna.
Lusail Stadium
Kapaciteti: 80,000
Distanca nga qendra e Dohas: 16 km
Është stadiumi më i rëndësishëm i turneut, do të shërbejë për ndeshjen hapëse dhe finalen, ndër të tjera. Dizajni nuk është zbuluar ende dhe punimet me pjesën e sipërme të stadiumit do të nisin së shpejti, ndërsa është kompletuar struktura nëntokësore dhe janë ngritur kolonat mbajtëse.
Khalifa International Stadium
Kapaciteti: 40,000
Distanca nga qendra e Dohas: 12 km
Ky është një stadium që po përdoret që tani dhe në maj u luajt Kupa e Emirit. Është stadiumi kombëtar, i hapur që në 1976 dhe është rinovuar totalisht për Botërorin.