MENU
klinika

Prof.Dok. Lluka Heqimi për Pirro Dhimën

“Nuk kisha të haja”, doktori i përgjigjet Dhimës

03.12.2018 - 20:16

Kjo përgjigje i është dhënë katër vite më parë Pirro Dhimës, peshëngritësit të famshëm botëror, nga Profesor Doktor Lluka Heqimi, i cili për më shumë se 30 vjet ka qenë mjek sportiv pranë ekipeve kombëtare, duke nisur nga peshëngritja, mundja, futbolli, por edhe shumë sporte të tjera.

Doktor Lluka Heqimi ka marrë shkas kur në një intervistë për mediet greke, Pirro Dhima (Pirro Dimas) thoshte: “Unë Pirro Dimas nuk kisha të haja në Shqipëri se isha grek.”

Nga: Prof. Dr. LLUKA HEQIMI

Pirro ta duash Greqinë, por ne s‘të kemi asnjë borxh, përkundrazi. Në Shqipëri qave e qeshe për herë të parë, u rrite u bëre i famshëm. Mos i hiq vetes pjesën më të bukur të fëmijërisë dhe rinisë. Mos harro! Shqipëria të lau me flori, nuk ishin pak 15 medaljet e arta si peshëngritës, të bëri Mjeshtër Europe.

Ndjehem i detyruar t’i përgjigjem Pirro Dhimës, ndoshta për një arsye të thjeshtë njohjeje, si mjek sportiv, ku ai kaloi disa herë për t’u vizituar dhe analizuar si sportist. Prej teje Pirro ruaj kujtime të mira.

Ti ishe peshëngritës i madh i Shqipërisë. Kur kohët ndryshuan dhe ti u përpoqe për një jetë më të mirë, u shndërrove si ajo bima që transportohet në kubikë. Pra, ishe formuar këtu, në vendlindje.

Mos harro se ke marrë 15 medalje ari për Shqipërinë, disa prej të cilave atje në Greqi. Ke zënë vendin e katërt në Europë për të rritur dhe u bëre Mjeshtër i Europës, për peshëngritjen shqiptare.

Në Litohoro (Piereias) 25 km. nga Katerini, në këmbët e malit Olimp u njohe edhe me shoqen e jetës, Anastasinë. Lindët 4 fëmijë, vajzën tani 17 vjeçe, djalin 14, vajzën 12 dhe të voglin e pleqërisë 3 vjeç. Në këtë drejtim je treguar shqiptar i vërtetë.

Ty Pirro, nuk të ngatërron asnjë këtu te ne me minoritarin, sepse ti je himariot i lindur në Tiranë dhe, po të gërmosh historinë, do të gjesh në Himarë emrat e veriut të Shqipërisë, të njëjtat zakone këngë dhe valle.

Himariotët, para se të mësonin greqisht, dinin shumë mirë latinisht dhe italisht të paktën kështu thotë historia. Në një shkollë “Lykeio” Litohoro, mundet nga viti 1997, kur ishe kthyer një peshëngritës i famshëm i Greqisë, “si nga fshati i gruas” u përpoqe të nxish çdo realitet tonin.

– “Unë Pirro Dimas nuk kisha të haja në Shqipëri se isha grek” . Kështu pate thënë në atë shkollë, fjalët pezmatuan jo vetëm shqiptarët, arvanitasit, por edhe grekët vetë.

Unë që njoh mirë mensën e “KS 17 Nëntori”, e di se sa mirë ju kanë mbajtur me ushqime, megjithëse vendi ishte në krizë. Sepse vendet Pirro kalojnë kriza, siç po kalon dhe Greqia tani.

Ganimetin, “Momën kuzhinieren” shpirtmirë, ti nuk e harrove, i solle një “dhoro” të vogël, të cilën ajo e tregonte me lot në sy, duke kujtuar me shumë mall Pirron e saj, çamarokun.

– Unë Pirro Dimas nuk më jepnin shkollë se isha grek. Jo mor Pirro, në kohën që kam përfunduar ‘Fakultetin e Mjekësisë’, ka patur disa djem të mrekullueshëm të minoritetit që janë bërë mjek të zotë.

Ti personalisht nuk je shquar në mësime, megjithëse, po ta them, siç e kam thënë kudo, se gabuan me ty, duke mos të pranuar në ILKF ‘Vojo Kushi’. Ti mund të zemërohesh me disa shqiptarë, por kjo nuk të lejon të zemërohesh me të gjithë Shqipërinë.

Në stacionin televiziv “Mega”, në vitin 1992, të panë shumë shqiptarë, të cilët kuptuan se truku grek kërkonte që trajnerin tënd, Zef Kovaci ta bënte trajner italian.

pirro dhima greqi
pirro dhima greqi

Në vend të vëllait tënd për të përkthyer, kishte ardhur një grek që dinte italisht për ta përforcuar gënjeshtrën. Kaq inat na paskan, sa dhe emrin e Shqipërisë nuk duan ta dëgjojnë? Çudi!!! S`dimë t’u kemi bërë ndonjë të keqe kujt.

Pirro, ti ke emrin e madh të Pirro Burrit, Pirros tonë të Epirit, shqiptarit të madh, por ti gabon kur kërkon të bësh histori, sepse ti, kur flet për Epirin, flet për atë politik, ndërsa në të vërtetë, duhet folur për Epirin gjeografik.

Edhe Skënderbeu ynë është quajtur Princi i Epirotëve. Shko e shikoje në Vjenë, armaturën e Heroit tonë Kombëtar. Nëse Greqisë ti i kujton Vorio Epirin, që kërkojnë disa qarqe greke ta sjellin në vëmendje, e ke gabim.

Po të kujtoj se në kohën e Perikliut të madh, Greqia ka qenë më pak se 1/3 e asaj të sotmes. Ne, fqinjëve tanë grek mund t’i kujtojmë Revolucionin për Pavarësinë dhe filantropët e mëdhenj shqiptarë, Çamërinë tonë, popullin e saj të shumëvuajtur dhe heroik, marrëveshjen e Fanarit, mallkimet e gjuhës shqipe, çkishërimet, helmimet e misionarëve të gjuhës shqipe dhe të kishës sonë, etj.

Këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë, se kështu shtypet e keqja dhe ruhet fqinjësia e mirë që dëshirojmë. Historia e Greqisë është e bukur, por më e shumta është mitike ndërsa ne shqiptarët kemi histori me të vërtetë heroike.

Mos të harrojmë Vangjel Zhapën rilindasin e “Lojërave Olimpike”, që grekët e tu e duan shumë, por harrojnë që ai është shqiptari që ka ndërtuar kisha, manastire, xhami e tyrbe.

Pa më thuaj Pirro, a ka ndonjë grek që bën xhami? Nga ana tjetër, ç’e shtyu këtë njeri të rilindë Lojërat Olimpike? A mos ish thirrja e të parëve tanë ilirë? T’ia lëmë këtë historisë se ka shumë për të thënë për ne shqiptarët.

Kur erdha në Greqi në vitin 1992 me Ylli Shehun për një ndërhyrje kirurgjikale në gju, ti na prite si miq. Më shumë anoje nga ne, se nga grekët, të paktën këtë përshtypje më krijove.

Kishe vuajtur, na the, në atë shtëpi bodrumi, ku tubat e ujërave të zeza i kishe gati mbi kokë dhe që shkarkoheshin me zhurmë kohë pa kohë. Na fole për punën e rëndë në ndërtim dhe llaçin që gatuaje me shumë mundime.

Për të gjitha këto sakrifica dhe atë vendosmëri të palëkundur për të arritur diçka në sport, u krenova me ty, të admirova. Por për t’u habitur, me kalimin e kohës ti njeri kaq i mirë dhe i famshëm, u bëre i çuditshëm dhe i pakuptueshëm.

Mendon se duhet të bësh politikë të tillë, që të jesh deputet i mirë për Greqinë? Por ti s’ke qenë kurrë politikan dhe propozimin për deputet duhet ta kuptosh mirë. Në këto momente krize, politikanët grek janë thuajse të urryer nga populli i tyre.

Elektorati thotë më mirë Pirron, që megjithëse nuk njeh politikën, do të jetë i drejtë dhe i mirë me ne, Pirron peshëngritësin e shekullit, Pirron që e kujton Londra me një stacion të metrosë, nga ku do të hyhet në sallën e peshëngritjes, në Olimpiadën, Londër 2012.

Edhe Greqia duhet të të bëj monument dhe e meriton, se në fund të fundit nga monumentet e lavdishëm është bërë dhe vetë ajo. Prit Pirro, prit i qetë dhe mos na “vringëlli armët”.

A nuk e kupton se të ka ardhur koha e dilemës më të ligë në jetën tënde? Pjesa më e “keqe” e Greqisë, nuk të duan për të ngritur pasha, sepse e dinë që ti nuk mundesh dot tani, por të duan që të jesh i besuar në melodinë Vorio-Epiriote, sepse ka shumë grekër që nuk e besojnë më këtë propagandë të dale-boje.

Prandaj, kur kërkon të flasësh, duke u kthyer nga ne, është mirë t’u drejtohesh atyre. Ne e dimë se çfarë është Vorio Epiri. Kjo daulle e çarë, e riparuar shumë here, vazhdon të bjerë duke lodhur më kot daullexhinjtë.

Pirro desha të kujtoj se dhe në ato kohë, kur nuk kishim shtet dhe Greqia mund të na uzurponte lehtë, ne shqiptarët e kishin nga një pushkë në shtëpi. Kur duhet shqiptari, nuk e turpëron veten për trimëri.

Pra, të paktit grekë të duan për të turpëruar. Nuk ka as një shpjegim tjetër, duhet t’i kthesh me turp ato që ke marrë me djersë. Tani, meqë ke kohë që je larguar nga Shqipëria, po të shkruaj një vjershë të Petro Nini Luarasit, të freskohesh pak, të bësh politika më të mira dhe me minoritarin, të kuptosh më mirë se kush jemi, kemi qenë e do të mbetemi ne shqiptarët.

Thonë s‘ditka Krishti shqip
Dhe shqip – fjale s‘pret prej nesh,
Vetëm në gjuhë greqisht
Të dëgjon e të mban vesh.

Po dhe Krishti ndë na thëntë
Se- “Jam grek, jakni pas meje”,
Do t‘I themi: – Pa mblidh mëntë,
Se Shqiptari s‘vjen pas teje!

Gjuhënë e kemi tënë
Të vjetërë dhe të vlyer
Nga perëndia ish thënë
Që ta ruajm të çkëlqyer.

Ironia e Petro Nini Luarasit
në poezinë “Kundër mallkimit
të gjuhës shqipe”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi i legjendës së peshëngritjes

Dhima: Në Shqipëri isha grek, në Greqi shqiptar