Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, me kërkesë të Beogradit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç pritet të flasin në seancë, e cila do të jetë e hapur për media dhe fillon në ora 21:00.
Thaçi para nisjes për në New York deklaroi se pavarësisht diskutimit në KS të OKB-së, transformimi i FSK-së në ushtri është proces i pakthyeshëm.
“Nëse Serbia është e shqetësuar nga krijimi i ushtrisë sonë, serbët e Kosovës ndihen të sigurt”, tha Thaçi.
Ai tha se duke formuar ushtrinë dhe duke arritur një konsensus të gjerë politik dhe civil mbi dialogun me Serbinë, Kosova kishte arritur “sukses të jashtëzakonshëm” në ditët e fundit.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të premten miratoi ligjet me të cilat FSK-ja transformohet në Ushtri të Kosovës. /Konica.al/