MENU
klinika

Kërkesa nga Rusia

OKB mban seancë lidhur me ushtrinë e Kosovës

16.12.2018 - 10:55

Rusia dhe vendet perëndimore nuk arritën të gjejnë konsensus lidhur me formatin e seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të caktuar për ditën e hënë që do t’i kushtohet krijimit të ushtrisë së Kosovës.

Derisa Rusia e Serbia kërkojnë që mbledhja të jetë e hapur për publikun, vendet perëndimore e kundërshtojnë një gjë të tillë. Kështu thotë një burim i dhënë agjencisë ruse shtetërore të lajmeve “Tass” nga Misioni i Përhershëm rus në Kombet e Bashkuara.

Rusia dhe Serbia kërkuan të mbajnë këtë seancë për shkak të situatës së krijuar kur Kosova vendosi t’i kthejë forcat e sigurisë në një ushtri të plotë, e cila bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 që parashikon vetëm praninë e forcave ndërkombëtare në Kosovë. Për këtë qëllim, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të shkojë në Nju Jork”, tha burimi.

Diplomati vuri në dukje se konsultimet mbi këtë çështje u mbajtën ditën e premte pas dyerve të mbyllura.

Grupi i vendeve perëndimore nuk e vinte në pikëpyetje rëndësinë e mbajtjes së këtij takimi, por sugjeroi formatin e dyerve të mbyllura. Asnjë konsensus nuk u arrit për shkak të këtyre pozicioneve të ndryshme. Dikush mund të krijojë përshtypje se partnerët tanë perëndimorë duan të fshehin problemin pas dyerve të mbyllura”, shtoi burimi. /Konica.al/