Me rritjen e pagës minimale nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë në muaj, ose 149 lekë ora, Shqipëria i afrohet më shumë vendeve të tjera të rajonit, por sërish mbetet ndër vendet e fundit në Europë.
Me 1.2 euro fitime në orë, ose 1.37 dollarë amerikanë minimalisht, një i punësuar shqiptar ka fituar lehtë terren në rajon. Por, pavarësisht kësaj, diferenca është ngushtuar ndjeshëm.
Përpara vendimit të qeverisë për të ndryshuar pagën minimale në vend, vendim që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit që vjen, paga minimale në orë në vend ishte 137 lekë, ose 1.11 euro. Pra, me vendimin e ri, në rajon, Serbia do të vijojë të ketë një pagë minimale më të lartë se Shqipëria, por vetëm 3 cent në orë më të lartë.
Në Serbi, paga minimale në orë, e shprehur në fuqi blerëse fiksohet në 1.4 dollarë. Në Maqedoni, paga minimale në orë është 1.29 dollarë, Kosovë 1.2 dollarë dhe në Mal të Zi 1.27 dollarë.
Bosnje Hercegovina mban vendin e parë në rajon me një pagë minimale në orë, në 2.18 dollarë. Pavarësisht progresit dhe vendimit të qeverisë shqiptare për të rritur me 2 mijë lekë në muaj pagën minimale, Shqipëria vijon të jetë ndër vendet e fundit në Europë sa i përket pagës minimale, por sidomos pagës mesatare.