MENU
klinika

Fakte dhe Dokumente

Përvjetori i zgjedhjeve të para “demokratike”

02.12.2018 - 16:39

Nga Andreas Dushi/

Me datën 2 dhjetor të vitit 1945 u organizuan zgjedhjet e para në Shqipërinë e çliruar nga gjermanët, ku kandidonte vetëm një forcë politike, ajo e Frontit Nacional – Çlirimtar. Në këto zgjedhje, me votë “plebishitare” fitoi Fronti duke vendosur edhe de juro pushtetin të cilin de facto e kishte prej më tepër se një viti.

Nga fundi i ’44 deri në dhjetor të ’45, ishte bërë gjithçka që të luftoheshin të gjithë elementët që mund të përbënin rrezik për fitoren e Frontit, ku përfshiheshin grupet anti – komuniste, grupet zogiste dhe ato balliste, krerët e të cilëve u arrestuan, u vranë apo u internuan.

Mes këtyre grupeve ishte edhe një shoqatë krejt e vogël e quajtur “Bashkimi Shqiptar”, krijuar në Shkodër nga disa të rinj që studionin në Seminar për t’u bërë meshtarë. Të mbledhur sëbashku, shtypën disa trakte në të cilët, pak ditë para zgjedhjeve, u kërkonin njerëzve që të mos merrnin pjesë në votime apo ta hidhnin votën e tyre në “kutinë bosh”.

Sikurse dihet, atëherë votimi bëhej duke u dhënë njerëzve një top të vogël të cilin duhet ta hidhnin në kutinë ku ishte kandidati që ata preferonin. Duke qenë se ishte veç në kandidat, kutia tjetër quhej “kutia bosh”.

Për këtë shoqatë u arrestuan dhjetra vetë dhe u dënuan me pushkatim pesë: Atë Daniel Gjeçaj, rektori i Seminarit, Atë Giovanni Fausti, zëvëndës rektori i Seminarit, Mark Çuni, seminaristi që ideoi “Bashkimin Shqiptare”, Qerim Sadiku dhe Gjalosh Lulashi, miq që ndihmuan në përhapjen e trakteve. Dy të parët as nuk ishin në dijeni të shoqatës dhe u vranë veç pse ishin pjesë e hirearkisë kishtare, ndërsa tre të tjerët, më shumë se për shoqatën e krijuar, u dënuan pasi ishin praktikantë dhe besimtarë katolikë.

Prof. Afrim Krasniqi bën një “rezyme” të shkurtër të zgjedhjeve të këtij viti:

Subjekt zgjedhor nuk ishte PKSH, por Fronti Demokratik. Nuk votohej me fletëvotimi por me kokrra! Konkurrues, KQZ, monitorues, etj, ishte PKSH. Megjithatë janë zgjedhjet e para dhe të vetme 1945-1990 ku pati zëra kundër, refuzim të votimit, refuzim të kandidimit dhe refuzim të fushatës elektorale. Pasojat? Dihen. Ata që refuzuan u dënuan. U legjitimua “zyrtarisht” regjimi i ri, Shqipëria kaloi në sistem stalinist, grupi më liberal brenda FD u ekzekutua në vitet 1946-1947, dhe koncepti i demokracisë popullore u jetësua përmes modelit të partisë – shtet.

Në dokumentet e mëposhtme shihet se si Pushteti njhte ato elementë të cilët ishin kundër mënyrës se si zgjedhjet po organizoheshin dhe kandidatit të vetëm që paraqitej për votim.

Këto elementë ishin:

Tregtarët të cilëve u cënohej e drejta e të pasurit pronë private.

Katolikët, parimet e të cilëve nuk mund të pranonin instalimin e komunizmit.

Sikurse shihet, qysh në fillim kishte pakënaqësi që lidheshin me komunizmin, pasi shtresa tregtare dhe ajo intelektuale e dinin se sistemi ishte utopik, por asnjë nga përpjekjet e bëra para, gjatë dhe pas zgjedhjeve nuk vlejti e kështu, komunizmit i’u hap rruga të errësonte për thuajse gjysëm shekulli Shqipërinë.

 

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët