Nga Eugent Kllapi/
Për të analizuar sa më mirë situatën mbi problemin e lahutës u munduam të hedhim disa nga tezat kryesore të problemeve që kanë ardhur si shqetësim të disa intelektualëve dhe njëkohësisht qytetarëve që janë të shqetësuar për regjistrimin e ‘’Guslës’’ si pjesë e pasurisë ndërkombëtare në UNESCO.
Për t’i përmbledhur mund të themi se kritika e parë dhe më kryesore bëhet për institucionet dhe indiferentizmit të saj për këtë element burimor të trashëgimisë kulturore shqiptare ku si fakt duhet të themi se ka disa pika:
- Hershmërinë burimore të instrumentit; meqë ‘Eposi i Kreshnikëve’ dhe baladat epike të trashëguara nga brezi në brez datojnë shumë më herët se të vinin sllavët pas shekullit të 7 ajo është e jona.
- Si pjesë burimore e jona është vjedhur si traditë.
- Serbia ka përfituar ndaj dobësive tona institucionale dhe na e ka vjedhur këtë element burimor.
- Meqë ne jemi shumë të hershëm në Ballkan, detyrimisht vendet sllave e kanë marrë nga ne a-priori.
- Vendet sllave që janë ngjitur me ne si Mal i zi, Kroacia, Serbia, Bosnja, ku kanë banuar dhe banojnë shqiptarë të asimiluar janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen nga këto vende si mënyrë dhe preteks. precedentë të tillë ka pasur dhe më parë (psh., fustanellat).
- Minsitria e Kulturës në Shqipëri është treguar e pazonja dhe indiferente, neglizhente ndaj kësaj vlere.
- Kihet rreziku që të merren edhe elementë të tjerë të trashëgimisë tonë kulturore siç është xhubleta, veshje dhe gatime.
Por nga ana e Serbisë kjo shihet ndryshe. Historia ka treguar se Serbia ka qenë shtet më solid dhe më i interesuar për të bërë diplomaci, politikë të jashtme, si dhe i jep më tepër interes e sidomos interes të veçantë për trashëgiminë kulturore. Dihet që si shtet i ngritur më shpejt që në shekullin e XVIII, ajo ka pasur mundësinë të ngrejë dhe institucione për çështjet e kulturës dhe ka regjistruar shumë më shpesh se Shqipëria, libra për trashëgiminë kulture ku futet edhe ‘’Gusla’’, kurse sipas studiuesit Brahaj, mirëfilli interesimi i shqiptarëve nis më pas në formë institucionale se institucionet serbe.
Në 1897 është botuar një fragment, pastaj një tekst i një gramatike shqipe, para 1912 në Itali, gjithë bota e huaj e studiuesve e njihte si ‘’Ciklë i Kreshnikëve’’ i serbëve. (duhet teksti, jo gojëdhëna në fakt dhe provë juridike).
1905 fraceskanët e Shkodrës, mbledhin eposin po ishte lufta ballkanike, botërore, 1920 nuk kishim në syrin e botuesve, botohen disa vjersha te Ylli i Dritës, ‘’Visaret e Kombit, ‘’Cikli i kreshnikëve’’ Pra siç shihet institucionalisht edhe një shekull para, ne jemi më të vonshëm dhe më të pa formuar për t’u përballur me vendet fqinje.
Kjo ngre si për detyrë dhe për përgjegjshmëri fajin e institucioneve për mos ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore.
Por nuk mjafton me kaq, serbët përveçse pretendojnë se ‘’gusla’’ është e tyre, ashtu si pretendojmë ne që është e jona, kanë dhe shumë këngëtarë meshkuj e femra, bëhen shkolla për ruajtjen e këtij elementi, bëhen koncerte dhe dokumentare, janë fituar me dhjetra e dhjetra çmime dhe Serbia pretendon se në shekuj ajo është pjesë e saj e trashëgimisë.
Kurse nga ana shqiptarëve për vetë faktin që të gjitha vlerat dhe normat shoqërore janë duke u zbehur, shikohet se pothuajse po zhduket si traditë. Institucionet publike nuk po i japin rëndësi.
Kjo sigurisht që jo vetëm është në dëmin tonë, por edhe nuk fiton pikë kundrejt promovimit dhe forcimit të kulturës serbe për instrumentin e tyre.
Në të gjihë këtë analizë nuk kemi vënë re fort mirë se përveç zbehjes së elementëve kulturore të çfarëdo lloj treve, shikojmë se pas 1990 shumë instrumente, objekte janë zhdukur dhe zhduken dita-ditës. Problemi i lahutës zgjoi një ‘vjedhje të heshtur’ që bëjnë vendet përreth për të përfituar ndaj dobësisë së kulturës shqiptare.
Pas viteve 1990 shikojmë se kryqet e kishave të njohura si objekte të trashëgimisë kulturore vidhen, shumë ikona gjithashtu në kisha të ndryshme sidomos në jug të shqipërisë janë vjedhur. Nuk gjen më veshje autentike shqiptare por të ripërpunuara sipas punishteve moderne.
Kjo vihet re sidomos në veri të Shqipërisë, ku vlera e një xhublete kalon nga 2 mijë euro më e pakta në 10 mijë euro, varet se sa larg do të shkojë ajo në vendet e zhvilluara nga Shqipëria.
Ka me dhjetra e dhjetra objekte shtëpiake të blera nga të huajt, që nga komodinat, djepët, sëndukët, potruvet, e deri tek tavanet e shtëpive beratase të vjetra që kërkohen nga të huajt me mijë e mijëra euro.
Pra xhubleta mund të bëhet greke shumë shpejt serbe, kroate, malazese a boshnjake sepse ato interesohen më shumë për vlerat e tyre të përcjella nga lashtësia apo jo, ne jemi indiferentë me trashëgiminë tonë.
Jo pak herë janë kapur matrapazë, dhe vjedhës objektesh antike. Gjithashtu po vidhen ose dhurohen objekte të çmueshme antike, këto ndonjëherë në të kaluarën edhe institucionalisht. Gjithë kjo vjedhje, dëshirë për të zhdukur trashëgiminë kulture si të ngelur jashtë mode, si pjesë që nuk i duhet kulturës shqiptare është vetë shoqëria.
Vetë shoqëria nuk ka ndonjë afeksion të madh apo ndonjë përgjegjshmëri të madhe për vlerat e trashëgimisë kulturore. Brezi i ri nuk i kultivohet kjo por kultura moderne e gërshetuar me globalizëm, porse globalizmi në çdo vend të zhvilluar nuk shpërfil vlerat e trashëgimisë kulturore të vendeve të ndryshme, i përforcon ato.
Pra në një kuptim, përgjegjësit dhe neglizhentët jemi ne, po aq shumë sa dhe publikisht janë dhe institucionet.