Ditën e sotme janë ngritur në protestë edhe banorët e Shijakut, ata të ‘Katër Rrugëve’ dhe Xhafzotaj.
Banorët janë bashkuar përsëri për shkak të infrastrukturës së rënduar të rrugës që lidh qytetin bregdetar të Durrësit me Shijakun.
Në shenjë revolte protestuesit bllokuan për disa minuta aksin rrugor dhe iu vunë flakën kazanëve të plehrave që ndodheshin aty pranë vendit ku zhvilluan protestën.
Ata kërkuan të merren masa urgjente për rikonstruksionin e kësaj rruge, që është kthyer në makthin e drejtuesve të automjeteve.
Ata thonë se, segmenti rrugor që lidhë qytetin bregdetar të Durrësit me Shijakun është tejet i amortizuar dhe bërë i pakalueshëm. Ky aks nacional vetëm pesë kilometra i gjatë po shkon drejt degradimit, pasi prej shumë vitesh në këtë segment nuk investohet.
Rruga Shijak-Durrës përshkohet në të dyja korsitë e saj nga banesa dhe biznese, duke u konsideruar ndër akset me përqendrimin më të madh të zhvillimit ekonomik.
Gropa, kanale, devijime, pellgje me ujë shoqërojnë segmentin përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Për ketë arsye banorët protestuan sot, duke i kujtuar kryeministrit Rama se nuk e mbajti premtimin që dha pak muaj më parë që konsistonte në përmirësimin e infrastrukturës në këtë aks rrugor.
Protestuesit thonë se gjatë drejtimit të automjeteve e kanë thuajse të pamundur të mos shkatërrojnë makinat e tyre nëpër gropa.
Nga “Kodra e Rrashbullit” e deri në afërsi të “Katër Rrugëve” aksi është totalisht i amortizuar dhe i pakalueshëm. Përveçse emërtimit, asgjë tjetër nuk ngjan më një rrugë nacionale.
Ky segment 5-kilometër i gjatë por mjaftë i rëndësishëm është lënë në harresë të plotë. Që prej ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës, rruga Durrës-Shijak duket se është anashkaluar nga autoritetet.