MENU
klinika

Interesat e Merkelit

Pse Gjermanisë nuk i “leverdis” Brexit pa marrëveshje?

23.12.2018 - 13:11

Gjeramania do të vuajë veçanërisht në rast të  Brexit pa marrëveshje, pasi ekonomia e saj e dominuar nga eksporti e lë atë shumë të ndjeshme.

Britania e Madhe është destinacioni i pestë më i madh për mallrat e saj dhe 750,000 vende pune varen nga marrëdhënia mes dy vendeve.

Koha po kalon me shpejtësi për kryeministren May dhe përpjekjet e saj për të siguruar një marrëveshje të Brexit deri në fund të marsit. Berlini ka krijuar ligje të reja për të mbrojtur bizneset e saj nga pasojat ekonomike të Brexit pa marrëveshje, dhe Kancelarja Angela Merkel, ka rënë dakord për disa masa të paparashikuara për të siguruar kompanitë.

Shefi i Dhomave Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, Eric Schweitzer, tha: “Brexit pa marrëveshje mund të sjellë pasoja masive për ekonominë gjermane. Duhet të jemi të qartë se çfarë do të thotë kjo. Më shumë se 750,000 vende pune në Gjermani varen nga eksportet në Britaninë e Madhe. Zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit janë në rrezik.”

Presidenti i Federatës së Industrisë së Gjermanisë, Dieter Kempf, tha: “Kanë mbetur vetëm tre muaj dhe askush nuk duhet të luajë lojëra”.

Instituti për Kërkime Ekonomike në Mynih e ka bërë të qartë se “eksportuesit e Gjermanisë janë të shqetësuar nga frika e një Brexit pa marrëveshje”.

Sasia e eksporteve të Gjermanisë në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë tashmë më shumë se pesë për qind që nga referendumi i vitit 2016.

Gjërat nuk po ecin aspak mirë, sepse marrëveshja e propozuar e Mayt, e cila u ra dakord me BE, deri tani nuk ka arritur të fitojë mbështetjen e politikanëve të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët do të votojnë për të muajin e ardhshëm. Afati i fundit për largimin është tani 100 ditë larg.

Të martën, kabineti qeveritar në Britani tha se kishte vendosur të niste përgatitjet për Brexit pa marrëveshje. Qeveria iu ka dërguar letra 140,000 firmave, duke u bërë thirrje atyre të bëjnë planet paraprakisht për Brexit pa marrëveshje. Mirëpo për bizneset ideja se mund të menaxhohet një Brexit “pa marrëveshje” nuk është e besueshme.

Në një deklaratë të përbashkët, Dhomat për Tregti të Britanisë dhe institucione tjera biznesore kanë thënë se “mungesa e përparimit në Uestminster nënkupton se rreziku për Brexit pa marrëveshje është duke u rritur”.

Instituti i Këlnit për Kërkime Ekonomike ka paralajmëruar se një Brexit pa marrëveshje mund të zvogëlojë eksportet gjermane në Britani të Madhe me 57 për qind.

Deputeti gjerman Hans-Olaf Henkel i ka kërkuar Brukselit të mendojnë për një marrëveshje të re të Brexit, pasi ai paralajmëroi “pasoja të rënda” në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë: “Do të ketë pasoja të rënda për Bashkimin Europian nëse Britania largohet. Le të mos harrojmë, sot Britania tashmë është konsumatori më i madh i Bashkimit Evropian, përpara Shteteve të Bashkuara, përpara Kinës “./konica.al