MENU

Shoqëria tradicionale

Pse gratë muslimane bëjnë dush pasi flitet për vdekjen?

11.12.2018 - 16:17

Përgjithësisht, në kulturat perëndimore, njerëzit flasin në mënyrë mjaft të kursyer për vdekjen, për të vdekurin dhe shumë më rrallë për arkivolin që simbolizon orendinë e fundme që i ndjeri merr nga bota e të gjallëve. 

Si rregull, arkivoli blihet nga të afërmit e të ndjerit dhe pothuajse në asnjë rast nuk mund të trajtohet si objekt që dhurohet. Në sytë e europiano-perëndimorëve një dhuratë e tillë do të dukej makabre.

Madje diskutimi ose të premtuarit e arkivolit si dhuratë do të dukej sikur ndjell mort. Në mjaft shoqëri europiane, njerëzit që i kanë në majë të gjuhës fjalët “vdekje”, “varr”, “arkivol”, “mort”, shihen si njerëz që ndjellin zi, si shpirtra të këqij, të cilëve duhet t’u shmangesh sa të mundesh edhe kur i ke të afërt.

Në shoqërinë shqiptare ka një numër të konsiderueshëm grash muslimane, të cilat kur dikush në bisedë flet për vdekje, veshje e orendi të ndryshme të ceremonialit mortor dhe sidomos për arkivolin, përpiqen të shmangen nga biseda të tilla dhe menjëherë bëjnë dush dhe lajnë të gjitha rrobat që kishin veshur gjatë një bisede nën hijen e zezë të vdekjes.

Veprime të tilla ato i motivojnë pak a shumë në këtë linjë arsyetimesh: “Fjalët për mortin, qefinet, arkivolin kanë hije të rëndë, e cila edhe kur të bie në rroba të lë shenjë që ndjell kob e mënxyrë”.

Ndërsa në shoqërinë kineze, veçanërisht në radhët e shtresave më të varfra të saj, deri në fillim të shekullit XX, arkivoli simbolizonte një nga dhuratat më të vyera. 

Sipas bestytnive të përhapura gjerësisht në rajone të ndryshme të Kinës, ku kufomat varrosen, i ndjeri që zbret në tokë pa arkivol bëhet lugat dhe vërsulet të zhvasë dhe të tmerrojë të gjallët.

Kësisoj arkivoli përfaqësonte një dhuratë që shpëtonte nga tmerret e llatarshme, jo vetëm të vdekurin, por edhe të gjallët, veçanërisht të afërmit e të ndjerit, deri edhe bashkëfshatarët ose banorët e lagjes.