MENU
klinika

Çfarë simbolizonte kjo?

Pse gratë rumune i lyenin fytyrën me mjaltë fëmijëve të mëhallës?

18.12.2018 - 17:12

Sikurse ndër popujt e tjerë, edhe ndër rumunët kanë qenë mjaft të përhapura besëtytni të shumëllojshme, sidomos deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. 

Veçanërisht në periudhën ndërmjet dy luftrave botërore, të shekullit të XX, në mjaft krahina fshatare të Rumanisë shikoje gra që u ofronin mjaltë në një rriskë buke ose i lyenin me mjaltë në fytyrë fëmijët e mëhallës. 

Ky “rit” tregonte se gra të tilla kishin të sëmurë në familje dhe mendohej se mjalti që ëmbëlsonte fëmijët “ëmbëlsonte dhe sëmundjen”, pra ndihmonte për të lehtësuar sëmundjen, për të shëruar të sëmurin. 

Edhe ndër shqiptarët e shoqërisë tradicionale, veçanërisht ndër ata që banonin në Shqipërinë e Mesme, ka qenë mjaft e përhapur mendësia se “në masën që gëzoheshin fëmijët ose të varfrit që qeraseshin me mjaltë ose me ëmbëlsira, po aq çliroheshin nga dhimbjet dhe vuajtjet fizike e shpirtërore të afërmit e sëmurë të njerëzve që qerasnin”.

Ndër rumunët e shoqërisë tradicionale kanë qenë mjaft të përhapura paragjykimet për fuqinë çudibërëse të bajgave në shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Të enjten e javës së madhe fshatarët bënin qahi dhe e hanin me bajga. 

Besohej se mizat e dheut, që hanin thërrime nga një qahi e tillë i ruajnë duart fshatarëve nga të mpirët. Gjithashtu, rumunët servirnin edhe çaj me bajga mëzi. Një çaj i tillë nuk përbënte fyerje për anëtarët e familjes ose për mysafirin. Besohej gjerësisht se çaji me bajga mëzi të ndalon të kolliturën, të shëron sëmundjet që provokojnë të kollitura që zgjasin disa ditë.

Përvoja jetësore tregon se, nën trysninë e besëtytnive, një çaj të tillë fshatarët rumunë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, ua ofronin edhe mjekëve të diplomuar në fakultetet e mjekësisë, për t’i shëruar edhe ata nga sëmundjet që shoqëroheshin më të kollitura për disa ditë.