Kontakti me Hoxhën, duke qenë se nuk ka burime të shkruara dhe na është pohuar vetëm prej Abaz Fejzi Alizotit, bashkëkombës afro tetëdhjetëvjeçar, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka të ngjarë të ketë ndodhur në periudhën e gjysmës së parë të motit 1942, ndoshta kur ende E. H. nuk qe zgjedhur shefi i partisë së komunistëve dhe po ashtu i armatës së saj partizane.
Takimi mes Mustafa Krujës dhe Enver Hoxhës u bë në rrugën me emrin e sotëm “Siri Kodra”, në shtëpinë e një komunisti nga Libohova, emrin të cilit Alizoti nuk e mban mend. Ai pohon se, sipas asaj që i ka thënë i ati, Hasani, i cili ishte ndërmjetësi i realizimit të këtij kontakti, të dy bashkëbiseduesit vajtën në takim natën, në errësirë të plotë dhe biseduan gjatë. Megjithatë nuk ranë dakord për asgjë. Qenë në pozita shumë të kundërta.
Sipas GSH, kur Mustafai u ngrit të ikte dhe po dilte nga dera e dhomës, saktësisht duke filluar të zbriste shkallët poshtë, i tha Hasan Alizotit turqisht këto fjalë: “allta kellanen xhani ceksen”. Këto donin të thoshin: “Të fundit i daltë shpirti”. Kjo në turqisht nënkuptonte “Hiqe qafe këtë!”
Ndërkaq Hasani iu përgjigj: “I kam dhënë fjalën, nuk e bëj dot”.
Hasan Alizoti ishte këtë kohë prefekt i Beratit, pra nëpunës i caktuar ato çaste prej vetë kryeministrit Mustafa Kruja. Kur kishte mbërritur me këtë detyrë pati vënë re se qyteti i lashtë qe përfshirë në një aktivitet rezistence antiitaliane shumë të fortë, dalluar mjaft prej qyteteve të tjera. Për ta shuar apo dobësuar atë, sigurisht, e dërguan ata të qeverisë bashkëpunuese me komandën e trupave italiane të pushtimit, por ndërkohë rrodhën rrethana që i dhanë një drejtim tjetër qëndrimit të Hasan Alizotit.