MENU
klinika

Personalitet francez

Psikoanaliza në mendimin e Oliver Marc

31.12.2018 - 13:05

Aventura e brendshme

A nuk lind çdo shkencë si dëshirë kolektive e epokës së vet? A nuk shpreh ajo kuintesencën e një çasti të historisë? Frojdi i përket një epoke të caktuar. Ai shpiku shkencën njerëzore, që epoka e vetë, e tronditur nga revolucioni industrial, priste ta ndiente së shpejti, shpiku atë që do t’i lejonte njeriut të vihej në qendër, kur ai e ndiente veten të tejkaluar, të flakur në periferi të vetvetes nga teknologjia që ai vetë sapo e kishte krijuar.

Lindja e psikanalizës

Ideja e pavetëdijes ishte njohur tashmë, në kohën kur Frojdi krijoi psikanalizën, por ai do të dijë ta shfrytëzojë me mjeshtëri të madhe këtë koncept të ri, që nuk mund të pranohej jashtë një rrethi intelektualësh dhe avangardistësh entuziastë. Shkencat humane në tërësi, të pritura pa shumë dashamirësi, ngjallnin dyshime dhe zgjonin frikëra të vjetra. Ato i dhanë njeriut të fillimit të shekullit dy plagë narcisike të mëdha: e para më 1871, kur Çarls Darvini botoi librin “Prejardhja e njeriut” dhe e dyta nga Frojdi.

Me gjithë kundërshtimet e shoqërisë ndaj psikanalizës, Frojdi do të krijonte shkollë: K. Abraham, C. G. Jung, E. Jones e të tjerë u mblodhën menjëherë rreth tij. Aventura e brendshme ishte në masën e asaj që luhej jashtë.

Shoqëria e parë psikanalitike e pa dritën në Vjenë dhe e dyta në Shën Petërburg më 1906. Si çdo shoqëri, ajo pati kontradiktat e veta, nga të cilat e para vuri përballë njëri-tjetrit Frojdin me Jungun. Më 1913, Jungu solli koncepte të reja, të zbuluara gjatë kërkimeve të tij, si dhe nga përvoja klinike e psikozave: nocioni i pavetëdijes kolektive, thelbi i përbashkët i njerëzve, i pasqyruar tek çdo individ dhe nocioni i arketipit që lind imazhe simbolike të përbashkëta, janë ndër më të rëndësishmet e këtij pasurimi.

Më vonë Lufta e Dytë Botërore dhe ngjallja e nazizmit, bënë që psikanaliza të emigrojë në Londër ku lind shkolla angleze: D. Ë. Ëinicot, pediatër dhe psikanalist që ka marrë në konsultë më tepër se 60 mijë nëna e fëmijë. Ai e pasuroi psikanalizën e fëmijëve të nisur nga Ana Frojd, e bija e Frojdit dhe Melani Klein.

Në Francë, psikanaliza u trondit nga zallahia e përçarjeve të përsëritura, nga të cilat më e rëndësishmja është bërë nga Zhak Lakan. Më në fund vjen Fransuazë Dolto, figura më e shquar e këtyre viteve të fundit.

Dhe nuk është diçka e rastit, që adhurimi i një pjese të madhe të publikut lidhet me psikanalizën e fëmijëve: kishte ardhur momenti të kuptohej, se mbi shëndetin e fëmijëve mbështetet e ardhmja e shoqërisë.

 

Si mund t’u përgjigjej kjo shkencë e individit dhe e kërkimit të Unit, të vetjakimit, siç e ka quajtur Jungu, kërkesave gjithnjë në rritje të burrave, grave e fëmijëve.

Psikanaliza dhe shoqëria

Sot shihet se psikanaliza duhet të luajë tri role në shoqëri: një rol klinik, të domosdoshëm për t’iu përgjigjur kërkesës individuale që rritet nga dita në ditë dhe ushqen fushën eksperimentale për njohjen më të thellë të njeriut në përgjithësi. Një rol kulturor, nëse ajo ushqehet me etnologji dhe mitologji, ajo pasuron të gjitha shkencat humane. Dhe një rol eksplorues: ajo duhet t’u drejtohet shkencave të tjera që të mos sklerizohet, thahet.

Psikanaliza i bën thirrje vetë subjektit dhe askujt tjetër, duke respektuar principin e lirisë.

Për shoqërinë e sotme rreziku mbetet kur lind fëmija. Një autonomi dhe ndarjet e përsëritura në vitet e para të jetës, shkaktojnë gjymtime më të rënda se gjymtimet fizike.

Bota moderne u kërkon foshnjave që të arrijnë rezultate fizike e psikike jashtë aftësive të tyre, duke i manipuluar si objekte dhe jo si qenie me kërkesa. Numri i psikozave të fëmijëve rritet nga dita në ditë.

Të respektohen nevojat kryesore të fëmijës, ky është projekti i psikanalizës. Ajo zotëron sot metodat parandaluese të psikozave dhe informacionin e duhur. Vetëm duke respektuar nevojat e fëmijëve shoqëria moderne mund të arrijë shkallën e qytetërimit që aspiron.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN