MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Pyetjet që po e “mundojnë” Britaninë…

29.12.2018 - 10:55

Ditë pas dite, javë pas jave, shumica e shtetasve britanikë mendojnë se trazirat e shkaktuara nga largimi i propozuar i vendit të tyre nga Bashkimi Evropian, nuk kanë ku të shkojnë më keq. Por, kjo po ndodh. Trazirat po kthehen në kaos; një krizë politike kërcënon të shndërrohet në krizë kushtetuese.

Ndërkohë, data e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja po afrohet. Janë më pak se 100 ditë derisa Britania e Madhe të largohet dhe për momentin nuk ka ndonjë marrëveshje që është e pranueshme për Parlamentin në Westminster dhe Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian në Bruksel.

Problemi filloi me votimin e referendumit 2016 për t’u larguar. Për fat të keq, pavarësisht planifikimit për vite të tëra, fushata e atyre që donin të largoheshin ishte e mbushur me mashtrime dhe pandershmëri.

Ata thoshin se negociimi i një marrëveshjeje tregtare me BE pas largimit do të ishte e lehtë. Vende të tjera anembanë botës do të rreshtoheshin për të bërë marrëveshje me Britaninë. Të gjitha gënjeshtra.

Bisedimet e Brexit vetë, u penguan nga paaftësia e ministrave të ngarkuar.

Për më tepër, politikat e kryeministres Theresa May e bënë punën më të vështirë. Ne duhet jo vetëm të largohemi nga BE, tha ajo, por edhe nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor. Ne nuk mund të pranonim asnjë juridiksion nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ne duhet të jemi në gjendje t’i japim fund lirisë së shtetasve evropianë për të ardhur në Britani të Madhe, për të mbledhur të korrat tona, për të mbushur boshllëqet në shërbimet tona profesionale dhe për të rritur begatinë tonë.

Një nga problemet qendrore që dilte nga kjo fëlliqësi e pakuptimtë ishte se si të shmangnim rikthimin e një kufiri të vështirë mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Një kufizim i tillë rrezikon Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998, e cila solli paqe në Irlandën e Veriut pas tre dekadave dhunë.

Britania tashmë ka pranuar që Irlanda e Veriut do të duhet të qëndrojë në bashkimin doganor derisa Mbretëria e Bashkuar të ketë përfunduar një marrëveshje tregtie afatgjatë me BE. Deri atëherë, duhet të ketë një politikë sigurimi, një “backstop”.

Është pothuajse e pamundur të negociosh një marrëveshje që është në interesin kombëtar dhe e pranueshme për nacionalistët e krahut të djathtë në partinë e saj.

Parlamenti e pezulloi votimin. Më pas May njoftoi se do të fliste me presidentët dhe kryeministrat e tjerë të BE-së për të marrë një lloj sigurie që mund të kënaqte kritikët.

Këta kritikë kanë vepruar gjithnjë e më shumë si një parti brenda një partie. Ata madje kërkuan një votë mosbesimi në udhëheqjen e saj të Partisë Konservatore. Ajo fitoi votimin me rreth dy të tretat e mbështetjes, por me autoritetin e saj të dëmtuar rëndë.

brexit theresa may konica.al

Ministrat evropianë e kanë bërë të qartë se nuk ishin të gatshëm të rihapnin marrëveshjen me Britaninë për rinegociimin.

Pra, çfarë ndodh më pas? Përkrahësit e Mayt mendojnë se ajo është e vendosur; të tjerët mendojnë se ajo është thjesht kokëfortë. Kritikët thonë se ajo po përpiqet të shtyjë çdo votim sa më afër datës së daljes që të jetë e mundur, në mënyrë që deputetët të mbështesin planin e saj.

A është shumica në favor të marrëveshjes së Mayit? A është Parlamenti totalisht kundërshtues për largimin pa marrëveshje? A duhet të përpiqemi të shtyjmë datën e largimit tonë të BE-së derisa të kemi zgjidhur se çfarë duam saktësisht? A duhet të ketë një referendum tjetër?

Një mjegull pasigurie politike mbizotëron në Britani pas Krishtlindjeve.

Vetëm katër gjëra duken të qarta. Së pari, Partia Konservatore do të ketë vështirësi në rritje. Së dyti, për të shpëtuar Mbretërinë e Bashkuar nga fatkeqësia, Parlamenti do të duhet të marrë një kontroll mbi procesin. Së treti, jeta jashtë BE-së, në çdo rast, do ta lërë Britaninë më të varfër dhe me më pak ndikim në botë.

Dhe, së fundmi, me çfarëdo rezultati, Brexit do të jetë një çështje “përçarëse” për vitet që vijnë.

Chris Patten, guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut dhe një ish.komisioner i BE për çështjet e jashtme, është kancelari i Universitetit të Oksfordit./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

Agonia e vazhdueshme e Brexit…