MENU
klinika

“Bashkimi” telefonik

Roaming me Kosovën do të hiqet në 15 qershor 2019

06.12.2018 - 13:08

Heqja e tarifave roaming të telefonisë mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të hyjë në fuqi në mesin e qershorit të vitit të ardhshëm. Komisioni Kuvendor i Veprimtarive Prodhuese miratoi sot ndryshimet në ligjin për komunikimet Elektronike, që i hapin rrugë rregullimit të tarifave roaming nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Kjo do të mundësojë heqjen e tarifave roaming për përdoruesit nga Kosova, por do të jetë njëkohësisht bazë ligjore për lidhjen e marrëveshjeve me vendet e tjera të rajonit.

Marrëveshja për heqjen e tarifave roaming u njoftua në fund të nëntorit, gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshja për uljen, deri në heqjen e plotë, të tarifave të roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të prezantohet këtë muaj në Sesionin Plenar të Grupit të Autoriteteve Rregullatore Europiane (BEREC). Vitin e kaluar, Bashkimi Europian ndërmori një hap revolucionar, duke hequr plotësisht tarifat roaming brenda Unionit.

Qytetarët e Bashkimit Europian mund të flasin me tarifat e operatorit të tyre, në të gjitha vendet anëtare. Komisioni Europian është bërë nismëtar që një praktikë e tillë të ndiqet edhe mes vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Ky proces ka qenë sfidues, për shkak të marrëdhënieve të vështira politike mes vendeve të rajonit, por edhe për shkak të interesave të ndryshme të secilit vend.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN