MENU
klinika

Letersia boterore

Rudiard Kipling – gjeniu polemizues

30.12.2018 - 11:47

“Fjalët janë droga më e fortë e përdorur nga qenia njerëzore”.

Rudiard Kipling, djali i ruajtësit të muzeut të Lahorës, lindi në 30 dhjetor 1865, në Bombei të Indisë. I mirënjohur në mbarë botën si krijuesi i “Librit të xhunglës” Kiplingu mbetet një nga mjeshtrit e penës më të diskutuar. Gjeni për disa, imperialist për disa të tjerë, shkrimtari britanik, gazetari, autori i romaneve, poemave dhe novelave, kryetemë të të cilave pati kryesisht Indinë dhe Birmaninë nën sundimin britanik.

“Njeri gjenial”, – sipas Henri Xhejmsit, “Profet i imperializmit”, sipas Xhorxh Oruellit, Rudiard Kiplingu mishëron influencën e Indisë në literaturën britanike. Lindur në Angli, Kipling kthehet në Indi në moshën 17-vjeçare për t’u hedhur në karrierën gazetareske në Lahor dhe Alahabd.

Shtatë vjet më vonë largohet nga atdheu i tij, edhe pse lidhja që pati me atdheun do mbetet një burim frymëzimi që spikat mes të tjerave tek “Libri i xhunglës” (1895) dhe “Kimi” (1901), apo tek poemat e ndryshme si për shembull “Mandalae” (1890) etj.

Nën penën e Kiplingut India përshkruhet si “brenda e jashtë”. Një dyzim origjinal, që mund të ishte si zanafillë e origjinës kontroverse mbi paragjykimet dhe militarizmin e pranishëm në veprën e Kiplingut, që nuk reshti së trazuari qarqet letrare të shekullit XX.

Gjithsesi, nuk qenë vetëm shkrimet mbi Indinë që shkaktuan turbullimet. Temat kryesore të veprave të tij janë: patriotizmi i flaktë, detyra e anglezëve faqe vendit të tij dhe fati imperialist i Anglisë.

Në vitin 1907, Kipling u nderua me çmimin Nobel, në moshën 42-vjeçare, duke u bërë kështu shkrimtari më i ri që rrëmbeu këtë çmim prestigjioz, po ashtu talenti i rrallë i tregimtarit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë angleze.

Nëpërmjet tregimeve të tij, ai transmeton një pasqyrë të jashtëzakonshme imagjinare, një vizion magjik dhe të mistershëm të Indisë, që e gjejmë tek shumë bashkëkohës të tij si E. M. Foster në “Rrugët e Indisë”.

Stili i shkrimtarit konsiderohet unik mes shkrimtarëve. Sintaksa që ai përdor nxjerr në pah një përzierje influencash, përfshirë edhe koknin (dialektin e Anglisë), zhargonin e shkollarëve, dialekte të larmishme indiane, si dhe Biblën.

Temat e ndryshme të përmbajtjes ishin një subjekt polemizues. Me mjeshtërinë e rrallë të stilit që ai bart, përmes novelave të tij nxjerr në pah jetën komplekse dhe të pangjashme të indianëve, duke romanizuar bukuritë ekzotike të vendit, të cilat ato vetë shpalosin një kristalizim të imperializmit.

Kiplingu konsiderohet si një nga romancierët dhe novelistët më të mëdhenj anglezë. Poemat e tij, më pak të njohura, dallohen veçanërisht nga mjeshtëria e vargjeve me rimë, si dhe përdorimi i zhargonit të ushtarit të thjeshtë britanik.

Ka shkruar ndër të tjera: “Libri i xhunglës”, “Kapiteni kurajoz”, “Njeriu që donte të bëhej mbret”, “Gunga Din”, “Kimi”, “Histori si këto”, poezitë: “Në mundsh”, “Njeriu i njëmijtë”.

Një fakt interesant lidhur me autorin është emri, të cilin e ka marrë nga liqeni Rudyrard në Angli.

Prekur nga një ulcerë e rëndë, ai vdiq më 18 janar 1936. Konsiderohet novatori më i madh në artin e tregimeve të shkurtra, poemat e tij mbeten popullore dhe mësohen në shkolla të ndryshme, ndërsa një pjesë e mirë e novelave konsiderohen si klasike të letërsisë britanike.

Rudiard Kipling është laureati i parë anglofon, në kategorinë e shkrimtarëve. “Akademia e Suedisë, duke i atribuuar këtë vit çmimin Nobel të letërsisë Rudiard Kiplingut, uron t’i bëj nderimet e duhura letërsisë angleze kaq e pasur me fitore të shumëllojshme, po ashtu edhe gjeniut më të madh që ky vend ka dhënë në lëmin e rrëfimtarisë”, – shprehet Carl David af Wirsen.

Disa thënie të shkëputura nga veprat e autorit:

“Një femër është vetëm një femër, por një puro cilësore është një tymosje e mirë”.

“Asnjëherë mos shiko pas, se mund të biesh nga shkallët”.

“Ai që ecën i vetëm, gjithmonë mbërrin më larg se ata që ecin në turmë”.

“Imagjinata e një femre ndonjëherë është më e sigurt se siguria e një mashkulli”.