MENU
klinika

Sakrificat e popullit tonë!

Sa shqiptarë vdiqën në Luftën e Dytë Botërore?

03.12.2018 - 18:22

Lufta e Dytë Botërore ka qenë më e përgjakshmja, me më shumë viktima në sheshbetejat e saj se çdo luftë tjetër e mëparshme. 

Sipas përllogaritjeve të realizuara nga struktura statistikore të specializuara ndërkombëtare, në Luftën e Dytë Botërore u vranë rreth 60 milion njerëz, që përbënin 2.5% të popullsisë së botës të atyre viteve. Për shqiptarët, një tregues i tillë humbjesh njerëzore ka qenë 2.8%, pra 0.3% më i lartë se pasha specifike e humbjeve që pati njerëzimi në këtë luftë.

Përpjestimisht me sipërfaqen e tokës dhe popullsinë, populli shqiptar renditet ndër popujt me më shumë ndihmesë për mposhtjen e ushtrive pushtuese fashiste e naziste. Sakrificat që bëri populli shqiptar në luftë, për çlirimin e atdheut të tij dhe për çështjen e përbashkët të luftës kundër fashizmit, ishin jashtëzakonisht të mëdha. U vra ose u gjymtua 7.3% e popullsisë.

Edhe popuj të tjerë bënë sakrifica të mëdha në sheshbeteja, por të plagosurit mjekoheshin me profesionalizëm dhe në kushte teknike optimale.

Ndërsa ‘luftëtarët e lirisë’ së popullit shqiptar, edhe pas plagosjes duhej të përballonin dhimbje e sfida të rënda të mjekimit në rrethana jashtëzakonisht të vështira. Operacione të rënda pa narkozë që kryheshin në kasolle, në banesa të thjeshta fshati ose edhe në fushë të hapur.

Në mungesë të bisturive për të tilla operacione përdoreshin thika të zakonshme ose sharrë zdrukthtari e mekaniku. Në mungesë të alkooloit, plagët pastroheshin me raki, e cila ishte shumë larg alkoolit për nga fuqia e saj dezinfektuese etj.

GjatëLuftës së Dytë Botërore, shumica dërrmuese e ‘luftëtarëve të lirisë’ kanë qenë djem dhe vajza rë rinj nën 22 vjeç. Për të zhvlerësuar luftën e shumëanshme të popullit shqiptar, për t’i demoralizuar pjesmarrësit në këtë luftë, strukturat propagandistike të regjimit fashist u përpoqën të krijojnë e të përhapin opinionet se lufta e shqiptarëve kundër Italisë fashiste nuk ishte gjë tjetër veçse “aventurë kalamajsh” apo “kokëkrisje adoleshentësh”.

Nëse këto paragjykime do të shprehnin mundësitë e luftëtarëve për çlirim kombëtar, partizani me këmbë të gangrenizuara, (kliko linkun për të lexuar historinë e tij), që shihte vdekjen me sy, do të përjetonte shumë më pak dhimbje po të bënte eutanazi, qoftë edhe duke e vrarë veten me armë.

Këtij grupi partizanësh u mungonte pothuajse gjithçka për t’u quajtur formacion spitali, por nuk u mungonin aq pak plumba sa u duheshin për eutanazi.

Operacioni i sipërpërmendur dëshmonte simbolikisht se luftëtarët e lirisë e çmonin shumë jetën. 

Nga njëra anë luftonin me guxim të çartuar deri në vetësakrifikim në vijën e parë të betejave, në emër të dinjitetit të jetës në liri dhe nga ana tjetër, si krijesa humane përballonin dhimbje të jashtëzakonshme, në caqet e të pabesueshmes, për ta shijuar jetën në liri.

Për kirurgët që kanë operuar dhe operojnë në linjat teknike e mjekësore të normalitetit, operacioni i prerjes së këmbëve pa narkozë dhe me sharrë të thjeshtë druri, mund të duket i pabesueshëm, deri në kufijtë e të pamundurës, të ireales.

Në poezinë “Kushtim pionerëve të kirurgjisë së luftës”, të shkruar nga Gjergj P. Titani, ndër të tjera theksohet:

A do ta besojë sot kush

Se në një plevicë zgjyrë,

Me një sharrë të vjetër drush

Do sharronit ju gjymtyrë

Do të prisnit ju gangrena

Me një trimëri të çartuar

Si heronjtë ndër legjenda?!

Autori i këtyre vargjeve kur kryhej operacioni me sharrë drush ka qenë fëmijë 8 vjeç. Ai ndiqte spitalin partizan mal më mal sepse nëna e tij infermiere asistonte kirurgun në operacionet e dhimbjeve mbinjerëzore.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”