Guvernatori, Gent Sejko, përjashtoi, për momentin, një ndërhyrje të re të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor. Ai tha se aktualisht tregu nuk ka çrregullime dhe lëvizjet reflektojnë faktorë sezonalë dhe ofertën e lartë të euros. Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 400 milionë euro këtë vit, në funksion të stabilizimit të kursit dhe rritjes së rezervës valutore.
Sejko nënvizoi se Banka e Shqipërisë beson te regjimi i lirë i kursit të këmbimit dhe ndërhyrjet eventuale mund të motivohen vetëm në funksion të objektivit të inflacionit apo korrigjimit të çrregullimeve të përkohshme.
Guvernatori tha se rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe kontributi më i ulët i shpenzimeve publike besohen t’i kenë ulur disi ritmet e rritjes ekonomike në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Për gjysmën e parë të vitit, prodhimi i brendshëm bruto ishte rritur me rreth 4%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe politika monetare stimuluese kanë dhënë efekte pozitive në ecurinë e kreditimit. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme në fund të muajit nëntor ra në 12.7%, duke shënuar vlerën më të ulët që nga viti 2011.
“Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit: e pastruar nga efekti i kursit dhe nxjerrjae kredive jashtë bilancit, kredia për sektorin privat u rrit me 4.9% dhe 4.5%, përkatësisht gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt. Gjithashtu, normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar stabilitetin e sistemit financiar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 12.7% në muajin nëntor, duke ilustruar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të sektorit bankar,” tha Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi të hënën mbledhjen e parë pas afro dy muajsh bllokimi, për shkak të vonesave në zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Norma bazë e interesit do të vazhdojë të qëndrojë në minimumin historik prej 1%, ndërsa Guvernatori tha se nuk pritet një rritje e saj përpara mesit të vitit të ardhshëm.