MENU
klinika

Albert Çaçi

Sfida e Katarit

08.12.2018 - 11:56

Javën e shkuar Katari ndërmori një veprim sfidant duke vendosur daljen mbas 58 vitesh nga OPEC (Organizata e vendve prodhuese dhe eksportuese të naftës). Në fakt Katari nuk është se ka ndonjë peshë specifike të madhe në prodhmin e naftës pasi ai prodhon vetëm 600 000 fuçi në ditë  duke qenë i 11-ti në renditje, por veprimi i tij gjykohet në një kontekst gjeopolitik.

Arsyeja zyrtare ishte se ai do të përqendrohet në prodhimin e gazit të lëngshëm LNG (pasi pozicioni gjeografik nuk e lejon të ketë gazsjellësa) ku jep 30% të prodhimit botëror ose 77 milion tonë dhe synon të arrijë në 110 milion ton brenda vitit 2023.

Por kuptohet qartë se nuk ishte kjo arsyeja kryesore, pasi asgjë nuk e pengonte të ishte akoma anëtar i OPEC dhe të vazhdonte strategjinë e prodhimit të gazit.

Ky veprim i Katarit padyshim që ka pasoja si në politikën globale të naftës por gjithashtu edhe në kuadrin gjeopolitik  në Lindjen e Mesme si dhe të marrëdhënieve intersunite.

Në  radhë të parë në fushën e politikes së naftës, OPEC tashmë është bërë një organizëm me dominim absolut të Arabisë Saudite, si prodhuesja më e madhe në botë me 11 milion fuçi në ditë. Aleanca e saj me Rusinë dhe vendet e tjera prodhuese të naftës që nuk janë anëtare të saj dhe krijimi i  organizmit të OPEC+PLUS e  ka zbehur përfundimisht rolin e prodhuesve të vegjël si Katari që jep vetëm 1,8 %.

Në vetvete nuk është se dalja e Katarit është humbje e madhe në terma të prodhimit, por nëse shembullin e tij do ta ndjekin edhe prodhuesit e tjerë të vegjël, atëherë ky do të ishte një problem i madh për të ardhmen e politikave dhe autoritetit  të OPEC.

Çmimi i naftës më datën 2 dhjetor  kishte një rritje prej rreth 5% pas njoftimit të një marrëveshjeje midis Putinit dhe Salman në Argjentinë, por  menjëherë lajmi i daljes së Katarit bllokoi rritjen e çmimit që dëshmon se veprimi i tij ka pasoja në politikën e organizatës.

Së dyti problemi ka një rëndësi të madhe gjeopolitike. Konflikti i Arabisë Saudite me Katarin zë fill në 2016 kur princi i ri Mahammad bin Salman i vendosi 13 kushte Katarit që ishin të papranueshme për të. Kushte që  fillonin që me mbylljen e Al Jazeera e deri tek mospranimi i një baze turke.

Katari i refuzoi dhe ndaj tij nisi e ashtuquajtura lufta e petromonakive. Nga Saudët dhe satelitët e tij u vendos një bllokim i paprecedent ndaj Katarit duke filluar që nga ndërpreja e marrëdhenieve ekonomike deri tek bllokimi i kufirit tokësor, madje ndaluan edhe pelegrinët katariotë për në Mekë.

Saudët ishin në prag të një invazioni ushtarak por qe ndërhyrja amerikane që bllokoi këtë iniciativë të çmendur. Nuk duhet harruar se në Doha ndodhet baza  amerikane e Al Udeidit, ku ndodhet komanda e SHBA për gjithë Lindjen e  Mesme.

Katari arriti në fakt ti bëjë ballë kësaj bllokade duke lozur me mjeshtëri në skakierën diplomatike.

Ai lidhi një aleancë të fuqishme me Turqinë e Erdoganit, që me një ligj special dërgoi 5000 trupa në Katar duke ngritur të parën bazë ushtarake jashtë Turqisë në Doha dhe duke përbërë një sfidë të vërtetë ndaj Arabise Saudite.

Turqia është një fuqi e rëndësishme ushtarake në rajon, dhe ndoshta ka probleme në një konfrontim me SHBA  dhe Rusinë por asnjë fuqi tjetër rajonale nuk mund të përballet me të.

Nga ana tjetër Katari qe i vetmi shtet që në momentin më  të vështirë ekonomik të Turqisë me rënien drastike të lirës iu gjend ne krah duke premtuar 15 miliardë dollarë investime, duke i dhënë  një dorë Turqise në stabilizimin e situatës ekonomike. Katari vazhdon marrëdhëniet e mira me Iranin dhe sidomos me Kinën ku nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme për gazin me gjigandin kines Petrochina.

Tashmë për Arabinë Saudite është bërë e qartë se Katarin nuk e nënshtron  dot.

Dhe pikërisht kur gjithë bota po merret me saudët për vrasjen e gazetarit Khashogi dhe pozicioni i saj në botë është dëmtuar rëndë, Katari kreu një hakmarrje të vogël duke dalë nga OPEC-U.

Të detyruar nga ky veprim , Mbreti saud  Salman e ftoi Katarin në Takimin e vendeve të Gjirit Persik duke i shtrirë më më fund dorën e pajtimit.

Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al Thani deklaroi, pa e fshehur faktin që ia doli që të mos i nënshtrohet saudëve  se, krizat gjithmone kalojnë,  por mënyra e xhestimit  të tyre lë gjurmë të thella  për dekada të tëra. Kjo ishte hakmarrje e Katarit të vogël por shume të pasur dhe  krenar ndaj arrogancës dhe miopisë gjoestrategjike të Saudëve .

Veprimi i Katarit ka edhe konsegueca në frontin sunit  ku në një situatë gjeopolitike mjaft të komplikuar ku si asnjëherë tjetër po verehet një konfrontim midis sunite dhe shitëve.

Nëse blloku shia me aksin Teheran Bagdat Damask Hesbollah, Huthi rezulton i konsoliduar, Arabia Saudite nuk po arrin të demonstrojë aftësi udhëheqëse në një dimension rajonal. Në mes të një konfrontimi të tillë me shitët të hapësh një konflikt inatcor me një nga vendet me influente në rajon sic është Katari (mbështetësi kryesor i Vllazërisë Muslimane) është një miopoi strategjike evidente.

Mbas defilimit të Egjiptit që për 40 vjet  udhëhoqi sunitët në skënën e komplikuar të  Lindjes së Mesme, drejtimi i sunitëve nga Arabia Saudite ka rezultuar disastroz. Mbas humbjes së sunitëve në Siri për shkak të mbështetjes së rebelëve të armatosur, mbas humbjes së influencës tek sunitët  në Irak, mbas rënies se Sadanit, mbas prishjes me sunitët e Libanit për shkak të mbajtjes peng të kryeministrit Hariri dhe tani mbas kësaj politike të çmendur ndaj Katarit, blloku sunit ndodhet më i përçarë se kurrë.

Dhe ky është edhe një problem shumë i madh strartegjik dhe për vetë politiken e SHBA që tek sunitët ka mbështetur politikën e saj për t’iu kundërvënë Iranit dhe në përgjithësi gjithë bllokut shia në Lindjen e Mesme.

Sfida që tani Katari ia kthen Arabisë Saudite, dëshmon qartë dështimin e politikës së forcës dhe konfrontimit që Saudët ndjekin prej më se një viti ndaj tij.

Për  të qenë një lider rajonal nuk mjafton të kesh vetëm para. Kërkohet të kesh të tjera cilësi, që fillojnë që nga një soft power efikas, tek një diplomaci e zhdërvjelltë, tek aftësitë dialoguese dhe natyrisht pastaj te mbështetur nga një potencë ushtarake.

Siç duket Arabia Saudite  me drejtuesit aktual nuk i ka këto veti. Inati, kokfortësia, miopia strategjieke te pengojnë të fitosh role të tilla lidershipesh rajonale që histroria ti jep vetëm në disa momente te caktuara dhe në rethana specifike gjeopolitike.

Mosshrytëzimi i këtyre momenteve të bën të zbresësh nga skena dhe tu japësh mundësi kundërshtarëve të tu të vegjël ose të mëdhenj që të sfidojnë hapur në momentin më të vështirë.

Ekzaktësisht  këtë bëri  edhe Katari me veprimin e fundit.

Albert Çaçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Aleati problematik