Bruceloza, një prej sëmundjeve më të rrezikshme tek kafshët, ka gjetur terren muajt e fundit edhe në qarkun e Beratit.
Dhjetëra bagëti janë infektuar nga kjo sëmundje, ndërsa një fermë në Urën Vajgurore është futur në karantinë, ndërsa gjedhët janë eleminuar.
Burime të brendshme në Drejtorinë e Bujqësisë në Berat thonë se shkak për rikthimin e sëmundjes është mungesa e kontrollit veterinar por edhe mungesa e vaksinimit në kohën e duhur të kafshëve.
Aktualisht flitet për 17 raste, por numri i kafshëve të prekura nga sëmundja e brucelozës mund të jetë edhe më i lartë, pasi kontrollet nuk kanë përfunduar në të gjithë qarkun.
Bruceloza është një sëmundje e rrezikshme pasi transmetohet nga kafshët tek njerëzit, nëpërmjet konsumimit të produkteve si qumështi, djathi, gjalpi etj.