MENU
klinika

Protesta Studentore

Shkodër/ Studentë, prindër e pedagogë të bashkuar në protestë

07.12.2018 - 18:11

Nga Andreas Dushi\

Në orën 9 të mëngjesit, nga Fakulteti i Drejtësisë në Shkodër, studentët e të gjithë fakulteteve u nisën në marshim drejt Rektoratit në sheshin “2 Prilli”. Duke thënë me zë të lartë kërkesat e tyre, studentët më të bashkuar se asnjëherë më parë u mblodhën para Rektoratit ku protestuan në mënyrën paqësore për thuajse 2 orë.

E organizuar në mënyrë spontane, pa një drejtues, protesta mori përmasa deri edhe alarmante aq sa në një pjesë të saj, sikurse u tha nga një prej studentëve që mori fjalën, policia kërkonte shoqërimin e organizatorëve. Por organizatorët ishim të gjithë ne studentët e vend për të gjithë ne nuk ka në dhomat e paraburgimit.

Megafoni kalonte dorë më dorë e secili prej nesh bërtiste me zë të lartë problematikat e fakultetit ku studion, qysh prej mungesës së ngrohjes, mungesën e bazës materiale, tavanin që pikon dhe çdo shqetësim tjetër. Një zëri, të gjithë bashkoheshin në disa kërkesa, ku më e rëndësishmja ishte ulja e tarifave studimore.

Në një skenë të improvizuar mbi trotuarin buzë rrugës së bllokuar, një grua mori fjalën. Si nënë, si gjyshe dhe si qytetare, ajo shprehi shqetësimet e saj rreth gjendjes së krijuar nga tarifat e larta si dhe faktin se falë tyre, njëri prej fëmijëve të saj ishte detyruar të linte studimet në mes dhe të shkonte në emigracion për të siguruar jetesën e vet e të familjes.

Një familje e cila me zor siguron jetesën, si mund të sigurojë arsim me të tilla tarifa për fëmijët, të ardhmen e saj?

Tjetër person që mori fjalën ishte edhe Kryetari i Këshillit Studentor Shkodër i cili mohoi një lajm të rremë që ka kërcyer dje sa në degën e një mediaje qeveritare, në tjetrën ku thuhej se ky institucion, pas një takimi me rektorin Adem Bekteshi, kishte vendosur të mos vijonte protesta.

Në fund, prof. Arben Prendi, pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore tha se Qeveria luan duke e hedhur topin drejt universiteteve e këtyre të fundit nuk u ka lënë asnjë lloj autonomie. Sipas tij, tarifat duhen ulur, mesatarja për pranim në universitet duhet hequr dhe protesta duhet vijuar e mbështetur maksimalisht.

Edhe sot, Shkodra tregoi se di të protestojë e me kulturën e saj, të ngrehë zërin sa herë është e nevojshme dhe sa herë të drejtat e saj mohohen.