Shqiptarët ngelen duhanpirës të “regjur”. Vendi ynë ka importuar 5.1 miliardë lekë (41 milionë euro) cigare gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave dëshmojnë se produktet e duhanit janë ndër produktet e konsumit më të importuara në vendin tonë. Për nëntë muaj, janë konsumuar rreth 2100 tonë cigare dhe duhan të ardhura nga importi.
Në vlerë, importet kanë rënë me rreth 6%, megjithatë kjo ka ardhur kryesisht si efekti i mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit me euron.
Në tremujorin e fundit pritet që sasia e duhanit të importuar të rritet edhe më shumë. Kjo sepse që nga data 1 janar do të hyjë në fuqi një tjetër rritje e akcizës për duhanin dhe nënproduktet e tij.
Shtimi i importit me akcizë të ulët në muajt e fundit të vitit, për të fituar më pas nga shitja e këtyre produkteve vitin e ardhshëm me akcizë të lartë është një praktikë e njohur në Shqipëri.
Aktualisht, akciza për cigaret është në vlerën e 5850 lekëve për 1 mijë copë; e thënë ndryshe, për një paketë me 10 cigare, çdo blerës paguan 58.5 lekë akcizë. Që nga 1 janari 2019, akciza do të rritet në 6 mijë lekë për çdo 1 mijë cigare (60 lekë për një paketë dhjetëshe).