MENU
klinika

Po vejushat?

Si dalloheshin vajzat arbëreshe, ishin beqare apo të martuara?

18.12.2018 - 15:44

Ndër arbëreshët, që kanë banuar në Palazzo Adriano (Italia Jugore) deri në fund të shekulli XIX, statusi civil i vajzave dhe grave identifikohej qartazi dhe publikisht nga burimi ku ato lanin rrobat, ndër katër burimet fqinje të malit më të lartë që gjendej më pranë. 

Një studius i kualifikuar i traditave kulturore të arbëreshëve të Italisë, Xhuzepe Krispo, (Guiseppe Crispi) ka shkruar: “Është për t’u shënuar se në tri nga këto burime shkonin të lanin gratë e renditura kështu: në atë të mesit lanin vashëzat e pamartuara, në burimin e majtë lanin të martuarat, në të djathtin shkonin të lanin gratë e veja”.

Arbëreshët e Palazzo Adriano-s i lexonin simbolikisht qartë statuset e vajzave beqare, të grave të martuara dhe të vejushave, duke u nisur nga burimi ku ato lanin rrobat, edhe sepse më 6 janar të çdo viti, te burimi ku lanin vajzat e pamartuara, që në atë kohë konsideroheshin të virgjëra, organizohej ceremonia e bekimit të ujrave ose e shenjtërimit të madh në të cilën pjesmarrja e besimtarëve ishte massive.

Meshkujt mund të kërkonin për martesë më së shpeshti dorën e atyre që lanin në burimin e mesit (domethënë të vajzave beqare) dhe më rrallë të atyre që lanin te burimi në të djathtë (domethënë të vejushave).

Ndryshimi i statusit civil të vajzave dhe grave reflektohej menjëherë edhe në ndryshimin e burimit ku ato lanin rrobat. Sapo një vajzë martohej, ajo nuk mund të lante më rrova te burimi i mesit, por zhvendosej te burimi në të majtë. 

Një zhvendosje e tillë shprehte ndryshim të mirëpritur statusi civil të vajzave, të cilat shoqëria shqiptare e atëhershme i projektonte me gëzim si të destinuara të kryenin misionin kryesor më të fisëm, atë të nënës.

Ndërkohë, zhvendosja e një gruaje për të larë rroba, nga burimi në krah të majtë në atë të djathtë, konsiderohej fatkeq, sepse dëshmonte simbolikisht përkeqësimin e statusit të saj: ajo kishte humbur bashkëshortin, ishte shndërruar në vejushë.

Vështirë se gjendej ndonjë mjedis tjetër në hapësirën ku banojnë shqiptarët në Gadishullin e Ballkanit ose në diasporë, në të cilin tri burime të identifikonin simbolikisht fare qartë statusin civil të vajzave dhe grave, sikurse ka ndodhur ndër arbëreshët e Palazzo Adriano-s.