Nga Andreas Dushi
Fillimi i të shkruarit artistik në prozë daton shumë pas atij në vargje, prandaj konceptet që kjo mënyrë e të shkruarit solli, kanë ndryshuar në një periudhë jo aq të gjatë sa ato që solli të shkruarit në vargje. Për të kuptuar prozën, duhet të kuptojmë vargëzimin i cili në fillimet e tij qe epik dhe lirik. Sikurse studiuesit kanë vënë në dukje, në epikë flasin qoftë personazhet, qoftë autori, ndërsa në lirikë një gjë e tillë nuk ndodh.
Kështu vihet re se, sikurse studiuesi Ag Apolloni thotë, baza e romanit është në epikë. Sipas historianëve, fillimet e shkrimit në prozë datojnë që në shekullin e parë pas Krishtit ku si bazë u morën krijimet e antikitetit grek, por duke sjellë diçka të re e cila u quajt novelë që vjen nga fjala novellus e cila në shqip përkthehet “e re”.
Këtë mënyrë të të shkruarit e përdori Bokaço i cili me librin e tij trevëllimësh “Dekameroni” hedh bazat e rrëfenjave. Sikur të mos shkruhej në fund të secilës rrëfenjë morali (praktikë e letërsisë së Mesjetës), ato nuk do të dallonin prej tregimeve moderne.
Historikisht, romani lidhet me veprat e shkruara në prozë në frëngjisht, çka përfshinte edhe përkthimet nga gjuhët e huaja. Dikush që shkruante romane, ishte dikush që njihte mirë gjuhën vulgare frënge dhe dinte ta përdorte atë.
Mendohet se romani merr trajtat e atij që është sot në vitin 1615 kur Servantesi në Spanjë boton “Don Kishotin”, të parin përfaqësues të romaneve. Një shekull më vonë, romani do të zinte vendin kryesor në letërsi për të mos e lëshuar asnjëherë më.
Don Kishoti
Me veprat e letërsisë realiste, romani u përhap në masë aq sa njerëzit filluan të mendonin se jeta ideale ishte si ajo që jepej ndër romane. E kështu ato kërkonin realizimin personal të njëjtë me atë të personazheve që gjallonin ndër librat që lexonin. Të tillë njerëz që u ndikuan fund e krye nga romani filluan të njiheshin si njerëz romantikë.
Thuajse në të njëjtën periudhë lindi dhe u përhap edhe më në masë romanca në të cilën trajtoheshin tema të dashurisë, tradhtisë, xhelozisë e intrigave në çift. Kjo formë e tërhoqi shumë më tepër vëmendjen e lexuesve dhe të atyre që filluan të lexonin falë këtyre librave. Shumë u manipuluan (dhe vazhdojnë të manipulohen) prej tyre. Tanimë, këto njerëz njihen me termin romantikë që, në më pak se dy shekuj ka ndërruar kuptimin duke dalë edhe jashtë botës së librit.