Si sot në vitin 1871, është shfaqur për herë të parë premiera e operas ‘Aida’ e Giuseppe Verdi. Ai lindi në vitin 1813 dhe jetoi deri në vitin 1901.
Verdi është kompozitori më i njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Verdi u lind më 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqën qysh herët, por shkollimi qe i vështirë ngaqë kishte origjinë nga fshati dhe mungesë të mjeteve materiale.
Në moshën 18 vjeç dëshiron të regjistrohet në konservatorin e Milanos, por u refuzua për shkak se kishte kaluar moshën dhe se nuk zotëronte mirë pianon, për këtë arsye Verdi u detyrua që muzikën ta mësoj privatisht dhe njëkohësisht të punoj që të siguronte ekzistencën. Në saj të talentit të rrallë dhe zellit të madh Verdi arriti të kompensonte mësimet që do t’i bënte në konservatorio.
Meqë punonte si instrumentist në qytezën Buseto, arriti të krijonte operat e para që do të shfaqeshin në Milano. Ai përveç punës për ngritjen e tij profesionale, lexonte veprat e Hygos, Sherlit, Dymas, Shekspirit etj, e që këto do të bëheshin mbështetje për krijimin e libretove të operave të tij të njohura.
Xhuzepe Verdi jetoi në kohën kur populli i tij po luftonte për çlirimin dhe bashkimin e atdheut prandaj ky ishte dëshmitar dhe pjesëmarrës në këto luftëra.
Faza e parë e krijtarisë së Verdit frymëzohet nga këto ngjarje prandaj kjo etapë mund të quhet si etapa Revolucionare e Verdit. Gjatë kësaj kohe ai arrin suksesin e tij të parë me operën Nabukodonozor e cila me përmbajtjen e saj alegorike aludonte lëvizjen revolucionare të Rizorgjimentos (Rilindjes).
Që nga kjo opera emri i Verdit u bë simbol i kësaj levizje që shprehej me (VIVA Vitori Emannuel) rroftë Vitorio Emanueli mbreti i Italisë pra i brohorisnin mbretit të Italisë në vend të atij të Austrisë nën sundimin e të cilit ishte Italia. Korali nga opera Nabukodonozor këndohej si këngë patriotike nga masat italiane.
Pas suksesit të parë të madh radhiten operat e tjera të Verdit, i cili u bë i njohur dhe i popullarizuar jo vetëm në Itali, por edhe në Evropën e kulturuar.
Verdi dallon nga bashkëatdhetarët e vet, kompozitorët të cilët vite të tëra jetonin larg atdheut. Ai tërë jetën e tij e kaloi në atdhe lidhur me popullin si një patriot i vërtet, duke studiuar historinë, jetën dhe mbi të gjitha muzikën popullore dhe artistike të traditës nga e cila hoqi disa mungesa eventuale që vëreheshin veçanërisht në operat seria.
Ai beri sintezën e vetive pozitive të operës italiane, veçmas duke ruajtur traditën e bel kantos jo për qëllim në vete, por për shërbim të përmbajtjes.
Përmbajtja dhe muzika ishin të mishëruara me njëra-tjetrën, prandaj ai me vëmendje zgjodhi tekstet që do t’i kompozonte dhe bashkëpunoi ngushtë me libretistin Piave dhe me shkrimtarin dhe kompozitorin Arigo Boito.
Thelloi anën dramatike dhe psikologjike të karaktereve të protagonistëve të operave të tij. Muzika e tij mbështetej në gurrat e muzikës popullore prandaj u mbështet nga shtresat e gjera të popullsisë.
Edhe vetë Verdi është kompozitor nacional me vlera polinacionale. Qysh gjatë jetës së tij ai u bë i njohur dhe i popullarizuar si një ndër fytyrat më të njohura të vendit dhe të Evropës. Pleqërinë e thellë e priti të qetë dhe pa trazira. Vdiq në moshë të shtyrë më 1901.