MENU
klinika

Flasin për jetën dhe vdekjen

Si e takoi Zef Bunga në parajsë Ana Frankun?!

04.12.2018 - 16:49

Opera ‘Anne & Zef’, një produksion i Opera Spanga-s të Holandës, do të zhvillojë një tur shfaqjesh 4-ditore nga Tirana në Prishtinë. 

Nesër, më 5 dhjetor kjo opera do të shfaqet në Tiranë (Universiteti i Arteve), më 6-dhjetor në Kamëz (Pallati i Kulturës), ndërsa më 8 dhjetor do të shkojë në Gjakovë (Shkolla e muzikës) dhe më 9 dhjetor në Prishtinë (Kino Armata).

Në këtë shfaqje operistike, personazhi i parë do të jetë Anne Frank, e cila vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, ndërsa personazhi i dytë do të jetë Zef, një djalë shqiptar i ditëve tona, që është viktimë e një hakmarrjeje.

Ata takohen me njëri-tjetrin në parajsë, ku zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve kulturore. Anne është shkrimtare, Zefit i pëlqen të jetë aktor dhe të dy kanë probleme me prindërit e tyre. Ata i tregojnë njëri- tjetrit për jetën e tyre, gjë që i afron gjithnjë edhe më shumë.

Anne & Zef bazohet në ditarin e njohur me famë botërore të Anne Frankut. Muzika është krijuar nga Monique Krüs.

Ngjarjet zhvillohen në këtë mënyrë: 

Anne Frank është në Parajsë. Aty shfaqet Zef Bunga që mendon se e njeh atë. Ata flasin për jetën dhe vdekjen e tyre dhe se çfarë bënin kur qëndronin të fshehur. Anne shkruante ditarin e saj dhe Zef vepronte. Anne e pyeti Zefin nëse ai dëshironte të bënte diçka për të dhe së shpejti ajo ra dakord me të; Zef luante rolin e babait të tij, dhe Anne rolin nënës së tij.

Zef flet për Kanunin, gjakmarrjen dhe vëllanë e tij, Anne i tregon për kohën e saj në kampin Westerbork dhe atë të përqendrimit Auschwitz. Ata ankohen për prindërit e tyre dhe flasin për ëndrrat e tyre. Midis adoleshentëve krijohet një lidhje e veçantë.

Me pak fjalë, kjo është historia e operës për të rinj “Anne & Zef”. Pjesa e Annës do të luhet nga sopranoja shqiptare Anjeza Marku (2002), ndërsa baritoni Patrik Vjollca (1997) do të jetë në rolin e Zefit. Muzika do të luhet nga orkestra e përbërë nga muzikantë shqiptarë.

Regjisorja e operës, Corina van Eijk bën të ditur për mediat: 

“Të dy fëmijët kanë jetuar të izoluar deri në vdekjen e tyre, megjithatë ata takohen me njëri- tjetrin në kontekstin e lirisë absolute; në jetën e përtejme. Me këtë opera, duam të tregojmë se shumë pak ka ndryshuar që nga koha e Anne Frankut. Njerëzit janë ende të izoluar në vende për të cilat nuk dinë asgjë. 

Këta njerëz nuk shfaqen në lajme, megjithatë, historitë e tyre dalin në pah pas shumë kohësh, pasi ato kanë ndodhur. Falë Anne Frankut, ne tani dimë shumë më tepër për jetën e përditshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk është një temë e thjeshtë, megjithatë, për shkak të muzikës prekëse, e cila është kompozuar posaçërisht për këta këngëtarë të rinj, opera premton të jetë një pjesë emocionuese dhe tepër prekëse.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit