MENU

Stalini dhe Pasternaku

Si grinden sunduesit sipas Kadaresë?

01.12.2018 - 16:50

Nga Andreas Dushi/

Në Panairin e Librit pak kohë më parë, nga vetë shkrimtari Ismail Kadare u promovua libri i tij i fundit “Kur Sunduesit Grinden” i cili trajton temën e misterit të telefonatës që Stalini i bëri Pasternakut. Kjo bisedë vetëm tre minutëshe, ndonëse kanë kaluar më shumë se gjysëm shekulli prej saj, vazhdon të ngjall interes akoma dhe sot, pasi janë dhënë pafund versione rreth saj.

Këto versione që qarkullojnë qysh ditën e telefonatës janë pjesa më e rëndësishme e librit të Kadaresë, me të cilin ai ka të paktën tre vjet që punon intensivisht dhe qysh kur telefonata ka ndodhur që kërkon të dijë atë çfarë realisht është folur. A ishte vërtet Pasternaku një shok i keq?

Kadare dhe botuesi i tij Bujar Hudhri

Shok i keq i kujt? I Osip Mandelshtam. Poeti Mandelshtam ishte arrestuar nga  sistemi i kohës dhe po proklamohej si armik i popullit për të cilin shkroi. Ai ishte mik me të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të kohës, përfshirë edhe Pasternakun e madh, por a ishte Pasternaku mik i tij?

Osip Mandelshtam

Sunduesi i Bashkimit Sovjetik Stalini telefonon Sunduesin e Letërsisë së Bashkimit Sovjetik Pasternakun dhe e pyet për Mandelshtamin. Çfarë përgjigjeje i jep ai? Është pikërisht kjo pyetja e cila ka me dhjetra versione të cilët jepen në librin e Kadaresë. Dy sundues me dy zotërime të ndryshme të cilët flasin për tre minuta. Por nuk mbaron gjithçka me kaq.

Çfarë përgjigjeje duhet t’i jepte Pasternaku Stalinit? T’i thoshte se e ka mik dhe nuk mund të bëjë nga këto armiqësi? Apo t’i thoshte se mirë ja ka bërë? Apo t’i thoshte “Nuk e njoh shumë dhe ne shkruajmë ndryshe?”.

Nëse vërtetë i ka thënë kështu, Stalini mund t’i jetë përgjigjur “Je shok i keq!” dhe t’i ketë mbyllur telefonin, pa i dhënë mundësinë t’i thoshte tjetër fjalë. Ose ndoshta mund t’i kishte dhënë ndonjë përgjigje tjetër… Kush mund ta dijë tjetër përveç Stalinit dhe Pasternakut?

Boris Pasternak

Përveç tyre, gjithë të tjerët kanë folur dhe kanë thënë atë çfarë ato dinë, duke i dhënë Kadaresë “materialin” e nevojshëm për të ndërtuar skeletin e librit të tij. Në libër ka elementë autobiografikë, ngjarje e përjetime të vetë autorit dhe raportet e tij me shkrimtarë dhe me botues.

Kjo mënyrë ndërtimi dhe këto zgjedhje të bëra nga autori e kanë ngacmuar lexuesin aq shumë sa libri, ndonëse ka dalë në Panair ditën e tretë të tij, është shitur aq shumë. Gjithashtu kritika ka folur shumë mirë për të duke thënë se erdhi ajo çfarë lexuesit prisnin prej të madhit Kadare.

I madhi Kadare, një njeri shumë i thjeshtë i cili bisedon krejt modestisht edhe me mua, duke më këshilluar për të ardhmen në rrugën e letërsisë dhe duke marrë perceptimet e të rinjve për letërsinë në rrugën e së ardhmes.

“Kur sunduesit grinden” duhet të lexohet nga të gjithë ata që e kanë dëgjuar sëpaku njëherë emrin Kadare, pra nga të gjithë ata që e njohin letërsinë e vërtetë!