Nga Andreas Dushi
Gjatë periudhës komuniste, një lëndë e veçantë e quajtur “Folklori Shqiptar” jepej nëpër shkolla. Me termin “folklor” përkufizohet e gjithë pasuria shpirtërore dhe kulturore e një populli me karakteristika të njëjta apo të përafërta. Por me kalimin e viteve dhe me evoulimin e shkencave të tjera, folklori i’u kushtua vetëm trashëgimisë orale të një populli të ruajtur ndër vjerrsha e tregime lirike dhe epike.
Pikërisht këto ishin dijet që ky libër synonte t’u përçonte nxënësve, me synimin që nëpërmjet krijimeve që burojnë nga shpirti i popullit tonë, ata të njiheshin me disa tradita si besa e dhënë apo disa fakte historike si pushtime a çlirime.
Në këtë të fundit, Partia ja doli të fuste hundët duke indoktrinuar me anë të propagandës disa prej elementëve thelbësorë me të cilët ajo mburrej. Fillimisht, lufta Nacional – Çlirimtare falë së cilës “atdheu kishte marrë 28 mijë dëshmorë” e duke vijuar deri në Kultin e Individit i cili lidhej drejtë për drejtë me udhëheqësin.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga teksti mësimor i cili flet për figurat kryesore të këngëve për luftën në fjalë:
Në qendër të këngëve për Luftën, populli ka vënë figurën e Partisë e të shokut Enver Hoxha si një e të pandarë.
Për skalitej e tyre, populli përdor zjarrin e zemrës dhe mjeshtërinë e tij artistike, prandaj në këngë ato jepen me tërë madhështinë e tyre, të dashura, të ngrohta e shumë të afërta me popullin.
Si meritë të madhe të Partisë, kënga nënvizon se ajo ka ditur të shtrojë me qartësi e të zgjidhë me guxim e urtësi tri detyrat kryesore…
Për Partinë, populli zgjedh fjalët më të bukura e më të ngrohta. Ai e quan atë Parti me famë, syshqiponjë, shqipe mali, yll e dritë, zemërluane e të tjera.
Sikurse shihet, para se të jepen këngët për lexim bëhet një parantezë e shkurtër e cila përgatit nxënësin për mënyrën se si duhet t’i kuptojë këngët. Ky mësim, pa përmendur propagandën e cila shihet qartë, ka edhe disa gabime shkencore.
Fillimisht, teksti i përket viteve ’70 që do të thotë se kishin kaluar diku 30 vjet nga lufta Nacional – Çlirimtare. Sipas folkloristëve, që një krijim të bëhet pjesë e trashëgimisë orale të një populli, duhet të ketë kaluar një periudhë të paktën një shekull nga krijimi i tij (në rastet kur i dihet data, pasi në rastet kur data nuk dihet, është e kuptueshme se ka kalaur kohë e gjatë).
Nisur nga kjo, dalim në konkluzionin se kënga ka një autor, me shumë mundësi të gjallë, i cili nuk mund të fshihet pas popullit, që e njeh mirë folklorin e për këtë, ka bërë krijime me tipare folklorike.
Duke përdorur informacionin e dhënë në mënyrë të mangët dhe shkrimtarët “fantazëm”, Partia dhe figura e Hoxhës ja dolën të bëheshin pjesë e historisë edhe në këtë mëyrë. Por sikurse çdo gjë e cila themelet i hedh në mashtrim, sot këto krijime shihen si qesharake dhe si fytyra e vërtetë e një sistemi oktapod i cili tentakulat synonte t’i kishte anë e mbanë.