Më shumë se 100 vjet më parë, pikërisht më 1 dhjetor të vitit 1901, janë ndarë për herë të parë çmimet Nobel.
Qeveria franceze e asaj kohe kërkonte të vendoste një taksë shumë të lartë mbi pasurinë e Alfred Nobelit. Pas negociatave të zgjatura me qeverinë franceze dhe pas bisedimeve me familjen Nobel rreth çështjes së trashëgimisë, më në fund u bë e mundur dhënia për herë të parë e 5 çmimeve, aq sa Nobeli kishte lënë me testament.
Ceremonia për 4 prej tyre në Fizikë, Kimi, Mjekësi dhe Letërsi, u zhvillua në Stokholm ndërsa ceremonia e Çmimit për Paqe, u mbajt në Christiania, kryeqyteti norvegjez që më vonë do të emërtohej, Oslo. Kishin kaluar plot 5 vjet nga koha kur Alfred Nobel vdiq në San Remo, më 10 dhjetor 1896 në moshën 63-vjeçare.
Emrat e fituesve ishin mbajtur të fshehur.
Kur tre gjermanë të shquar erdhën me tren nga jugu dhe u akomoduan në Hotel Grand, Stokholm, u bë pothuajse e qartë se ata duhet të jenë fituesit të çmimit Nobel, transmeton ksp. Trafiku ndërkombëtar në atë kohë nuk ishte aq i madh dhe mbërritja e njerëzve të huaj përbënte lajm.
Më pas, tre fituesit hynë pa bujë, muzikë a duartrokitje siç është zakon sot. I pari ishte fizikanti gjerman Wilhelm Conrad von Rontgen, pastaj kimisti holandez Hendricus van t’Hoff, i ndjekur nga mjeku gjerman Emil Adolf von Behring dhe së fundi, ministri francez për të marrë çmimin Nobel në letërsi në emër të poetit Sully Prudhomme, i cili ishte i sëmurë.
Ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqe u zhvillua në Christiana (Oslo) në sallën e parlamentit norvegjez.
Çmimi u nda mes zviceranit Henri Dunant (themelues i Kryqit te Kuq ndërkombëtar), dhe francezit Frederik Passy (ekonomist dhe veprimtar paqeje).