MENU
klinika

Françeskani i Lum Shqiptar

Si u vra nga komunizmi shkodrani që u mor me çështjen e Çamërisë?

04.12.2018 - 17:58

Dy ditë më parë, Kisha mbarë kujtoi martirizimin e të lumit Atë Bernardin Palaj, priftit shqiptar që u vra për shkak se nok mohoi njohjet me meshtarët e tjerë “reaksionar” të cilët nuk pranuan që Kisha shqiptare të shkëputej nga Vatikani. Me këtë veprim, ata i hapën rrugë një kalvari plot vuajtje në të cilin kaluan thuajse të gjithë klerikët katolikë.

Françeskani shqiptar Palaj ndërroi jetë, sikurse një poezi botuar në vëllimin “Krishti vesh me t’kuqe” të autorit A. Dushi tregon:

Katërdhetë ditë n’hetuesi,

Mbi Atë Bernardinin patën hi,

Kriminela, që gja s’i ndali,

Si Elez Mesi e Nest Kopali.

N’atë kohë t;shkurtë e t’vështir,

U ba krezhma e këtij martir,

Që kur diq, veç zhgunin pleh,

I dhanë familjes për te.

Ndër sa e sa shkrime, poezi e studime të Atë Bernardin Palajt, gjejmë edhe “GREÇIA I KERCNOHET SHQYPTARVE TË ÇAMRÍS”, botuar në gazetën “Ora e Maleve”:

Këndojmë në fletoren greke “PATRIS” se Qeveria e Athinës kà dhânë nji vêndim në themel të cillit do të dergojë sà mâ parë në Epìr nji Komisjon, të cillit do t’i epet nji fuqì diktatorjale, me qellim qi me permbledhë nder ato vise nenshtetasit grek qi kan pasë ikun prej Azìs së vogel në kohen e luftës qi ndolli ndermjet të Angorës e të Greçìs.

E mirë, mâs të çpallunit e këtì vendim, filluene me u perhapë neper Greçì shum ndure lajmesh, e nder kto nji lajm, qi sikursè Shqyptarë qi nderohena me kênë, na i kà vereverte pikllue, trishtue zêmrat t’ona; duem me thânë lajmi i të perbartunit e nji pjesës së refugjatëvet në krahinen Çamrìs, shî në at pjesë krahinet fjeshtë shqyptare qi Europa e gjytetnueme e kà pà me udhë me e shkputë prej trupit të gjithmârshem të Atdheut t’onë, tui shkelë, tui dhunue kso doret të drejtat komtare të Popullit Shqyptàr.

Qeveria greke, per sà mûnd të parashihet, kà qitë ceken me e ndjekë pikë per pikë systemin e Mretnìs otomâne per shka i perket elementtave të ndryeshme qi bânojnë nder gjytete e nder fshatra të pushtueme me fuqì të armëvet e me pelqimin e Europës; e ket system barbar don me e ndjekë me qellim qi me i elenixue nji orë e mâ parë krahinat e pushtueme pà kurrnji të drejtë ligjore, tu’ u shporrun prej atyne elementave prej të cillave nuk múnd të presin, nuk po thomi bashke-pûnim, por nemostjeter nji të shtruem të plotë e të qetë sûndimit të saja e nji mohim të pernjimêndshem të ndîenavet komtare.

E per me dalë në skâj këtì qellimit të mrapshtë, ketì qellimit qi në asnji mëndyrë, nuk perkon me parimet gjytetnore qi na çpallen prej Shteteve ballkanike me nji prozopopè të neveritshme, Qeverria greke âsht tuj perhapë, nepermjet të fletorevet të veta, do lajme shqymit të rrêjshme, do lajme të cillat prej Europës bujare mêrren per të verteta, pà u perkujdesë faret me e shqyrtue burrimin e tyne e fillin e mësheftë qi mûnden me pasun në vetvedi.

Nder kto ditët e fûndit, âsht perhapë fjala kahë Preveza se në Çamrìn e pushtueme prej grekve kan ndollë disà vrasje, të cillat e kan turbullue qetsìn e vêndit.

Ky lajm i rrêjshem pershîn në vetvedi dye qellime, njeni mâ i odoptë e mâ i turpshem se tjetri: i pari qellim âsht me i skreditue Shqyptarët në faqe të Europës së gjytetnueme, tu’ ja paraqitë sikursé niers gjaksorë, niers barbar, niers qi nuk i binden ligeve shtetnore; i dyti qellim âsht me i friguemun, me kercnime gjitnduresh, Shqyptarët qi bânojnë në Çamrì per me mujtë, me kso mjete të liga, me i shlŷ sà mà shpejt me ikun prej asajë krahinë; e të ikmen, me ju konfiskue pasunienat, per me i perdà ndermjet të nenshtetasve të vet të atyne nenshtetasve qi do të perbâhen nder ato vise e të cillët sod valaviten në vorfënimin mâ të madhin.

Perfaqësojsi diplomatik i Shqypnìs në Athinë, tui parapàmun dyë qellimet e odopta qi Qeverria greke kà mujtë me pasun me perhapjen e lajmit të rrêjshem qi u permênd, kà protekstue me shum rrebtësì ke Krye-Ministri, Zot. GONATAS; por, zakonisht, protekstave të Shqyptarvet nuk i epet kurrfarë rândsiet, mâsi dihet prej të interesuemvet se Shtetet e Mdhaja të Europës nuk kujdesohen faret per mprojten e të drejtavet të Popullit Shqyptàr, të atì Popull, ne mrâm së mrâmit, kà tager me gjallnue si cillido popull tjeter.

Shtetnit ballkanik e quejnë të eger Popullin Shqyptàr; por na, ndonsè nuk mûnd të thomi se në mjes të Popullit t’onë shkelxejnë dia e gjytetnimi i vertetë, mûnd të dishmojnë me fakta në dorë se egercienat e ndjekuna prej ânes së disà komevet fqîj nder viset e pushtueme në Shqypnì, jânë kênë e ndoshta jânë nenè sod kaq të rânda, kaq të mndershme sà Populli i yni, edhè me kênë i lànun në plotësìn e liries së vet, nuk kishte me mujtë kurr me i ndjekë deri në at shkallë barbarizmit qi kapercen ç’do ndîësi njerzore e bujare.

Kishte me kênë koha qi egercienat t’u shdukshin nji herë e per gjithmonë prej faqes së Europës, sidomos tuj mêndue se nder ditët e soçme nuk sûndohen popujt me egerciena, të cillat jânë mohimi i pà-dyshueshem i gjytetnimit e i perparimit, per arsye se sod, mâs parimeve shkencore e gjytetnore qi ndiqen nder të gjitha ânët e botës së gjytetnueme, nuk mûnd të perdoren popujt si kafsha të odobshme, si kafsha mî të cillat fuqia sûndimtare mûnd të ketë të drejtë me e shfryemun egercien e vet, sikursè t’ishin popujt e sûnduem frymorë të pàshise.

E mirë, posë kësajë dhûnë të turpshme qi Europa, shî në shekullin XX, guxoj me i bâmun nji Popullit të vogel, po, por kreshnik, nji Popullit qi kerkonte e lypte rispektimin e të drejtavet të veta komtare, të pshtetuna mî themele historike, etnike, gjeografike, sod heshtë mî pà-udhsienat qi kryehen në korrizë të Shqyptarvet qi ora e zezë i kà dënue me ngelë nen sgiedhen e robënies së huej; e me heshtimin e vet Europa sod, nen rrezhidhimin e gjytetnimit mâ shkelxueshem, pelqen, pranon, vulosë të gjitha pà-drejtësienat qi lirisht kryehen prej verduesave, prej rrenuesave të Atdheut t’onë kûndra atyne Shqyptarve të mjerë, të cillve ju mohue e drejta komtare.

Sido qi të thohet, deri sod Qeveria qandrore e Tiranës âsht prûe shum mirë e me nji taktikë dipllomatike fort të lavdueshme në faqe të Shtetevet qi kemi per rreth, kaq sà mûnd të dishmojmë, pà droje gabimit, se këtyne kurrnji herë nuk kà pasë guximin me i dhânë ndoj shkak, sado të vogël, pà-kënaqësiet a egercimit; madje mûnd të thomi se, per me prue ç’do idhnim a trazim, kà ulë kryet e kà heshtë para sà intrigave e sà nenkâmcave qi prej Shteteve fqîj jânë kryemun në të dashtunen Shqypnìn t’onë. A kso doret Shtetet fqîj do t’a veqisin vullndetin e mirë e miqësin e Shtetit Shqyptàr?

Populli i ynë dëshëron me pasë relacjone miqsore e tregtare me popujt fqîj; por per me i mâjtë e per me i permirsue kto relacjone të dobishme e njerzore, lypim qi Vllaznit t’onë, të cillët sod banojnë nder vise shqyptare qi gjinden nen sûndimin e tyne, mos të mêrren neper kâmë e mos të mndêrohen me nji system sûndimit kaq të shtêrngushem e kaq të rrebtë sà me i detyrue me ikun, tui lëshuemun pasuniet e veta.

Shteti Shqyptàr, ndonsè i quejtun i eger, i rispekton plotësisht të drejtat e të gjith njatyne elementavet të ndryeshme, qi tuj banue në Shqypnì, perbâjnë minoritetin, ndonsè kto të drejtá Vllazneve t’onë nuk rispektohen as në Jugo-Sllavì as në Greçì, kaq sà në asnjenen nder kto dye Mretniena ata nuk kan kurrnji shkollë në giûhen amtare.

Gregofonët e Shqypnìs kan të çiluna, nder vênde t’ona mâ teper se 40 shkollna, kû mësohet giûha greçishte: shkollna qi jânë të majtuna prej Shtetit Shqyptàr, a mâ kjartas me folé, qi jânë të majtuna me të hollat e Popullit Shqyptàr, të atì Popull qi sod pson në vorfënimin mâ të madh, të atì Popull qi sod kà nevojë per shumimin e shkollavet të veta.

Po i siëllena prà, në êmen të popullit Shqyptàr, Fuqieve të Mdhaja të Europës per me ju lutë, me u perkujdesue per gjênen e mjerueshme në të cillen gjinden Vllaznit t’onë e Çamrìs, tuj e shternguemun Qeverin e Athinës mos me perdorë masa të pà-drejta kûndra atyne Shqyptarve, qi edhè psè nuk ndîgiojnë me u elenixue, kan tager me gjallnuemun nder vênde të veta e me i shfrytuemun per ndjehsì të veten, pasunienat me të cillat Perendîa kà dashtë me i paisë.

Nuk dihet përse, ama komunizmi ndjente një lloj urejjtjeje për shqiptarët që e donin Shqipërinë, pa dallim feje a krahine. I tillë ishte edhe Atë Bernardini i cili jetoi me nder për atdhe e fe dhe vdiq duke i çelur rrugë shenjtërisë po për këto ideale!

/A.D

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët