MENU
klinika

Administratori i Flamurtarit

“Skaner për financimin e klubeve shqiptare”

05.12.2018 - 16:58

Që klubet shqiptare të futbollit kanë probleme financiare, kjo nuk nuk është e re. Së fundmi, në lidhje me këtë cështje, ka folur administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, që për të disatën herë ka theksuar se në Shqipëri duhet të ndryshojë sistemi për funksionimin e futbollit.

Në një intervistë për mediet në Vlorë, ai ka bërë pak ironi për çështjen e pagesave dhe më pas është shprehur se duhet të ndërtohet ekonomia e futbollit në fund. Ai ka kërkuar që të bëhet një skaner në lidhje me financimin e klubeve shqiptare, nga vijnë të ardhurat e tyre:

“Flamurtari është i vetmi ekip në Shqipëri në këto pesë vjet që jam unë, që ka probleme pagash. I vetmi ekip jofunksional jemi ne. Të gjithë të tjerët po lulëzojnë. Thirrja ime është e thjeshtë: nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë këtë punë në Vlorë, e dorëzoj që sot ekipin.

sinan idrizi dhe leli
sinan idrizi dhe leli

Nuk flas për kafexhinjtë dhe ata që shtyjnë ditën në ‘Lungomare’. Të ndërtohet, së pari. ekonomia e futbollit, të kalohen në skaner klubet shqiptare, nga financohen, nga vijnë të ardhurat, pastaj flasim për korrektësi në listpagesa. Është një gjë që nuk funksionon. Nuk funksionon TVSH-ja, tatimi mbi pagën, asnjë.

Kërkoni sistemin, si funksionon ky sistem, a ka një futboll që ecën në shinat e kapitalizmit, apo jo? Kur thashë se kjo është ekonomi, është një fabrikë, një pjesë ish-futbollistësh që tani janë komentatorë studiosh, filluan me historitë: ‘Sinani e kupton futbollin si një fabrikë’.

Futbolli është një fabrikë, që ka bilance, ka hyrje-dalje. Jemi në vitin e pestë dhe kam bilancet e mia. Janë paguar 10.870.000 euro dhe as faleminderit nuk thonë, por dalin këto historitë që thonë se janë vonuar pagat. Po, pagat janë vonuar dhe do të vonohen, sa të jetë ky sistem.

sinan idrizi e Safet e Gjici me Ardjan Takaj
sinan idrizi e Safet e Gjici me Ardjan Takaj

Nëse sistemi nuk hyn në linjë, lojtarët nuk kanë pse të më presin mua. Pastaj kemi dhe këto ironitë e zevzekëve të facebook-ut. Unë nuk e financoj Flamurtarin, duke vjedhur pronat publike. Nuk financoj, duke mbajtur në hije bilancet, por që ka vonesa në pagesa”, – tha Idrizi në lidhje me çështjen e pagesave.

Në fund ai ka dhënë një koment edhe për humbjen me Kastriotin: “E kam thënë: ky është Flamurtar ‘Leninist’, që ecën dy hapa para dhe një hap prapa. Në fushën e Fushë-Krujës nuk mund të pritej më shumë. U luajt pjesërisht futboll dhe kundërshtari kishte ekip të mirë. Ekipi duhet të ecë më lart në kuptimin e seriozitetit në fushë”.  

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kryebashkiaku Leli pranë Flamurtarit

Gati “Vlora Sport”, Idrizi “thumbon” Gjikën