MENU
klinika

leximi postmodern

Smartfonët po ndryshojnë aftësinë e të lexuarit

11.12.2018 - 11:51

“Leximi në smartfone po ndryshon aftësinë tonë të të lexuarit”, – shprehet neurologia Maryanne Wolf autore e librit “Lexues, ejani në shtëpi”…

Ta lëmë mënjanë mitin: nuk është aspak e vërtetë, se me smartfone lexojmë më pak. Krejt e kundërta, lexojmë shumë më tepër. Gjatë një dite, ne shohim miliona fjalë të shkruara në ekranet tona, ekuivalenti i një romani të shkurtër në ditë. Gjithsesi, ajo çfarë ndryshon është se si lexojmë.

Nuk jemi bërë për të lexuar

Amerikania Maryanne Wolf është neuroshkencore konjitive, profesoreshë në Universitetin e Los Anxhelosit. Aktualisht një nga studiueset më autoritare në aspektin e të lexuarit dhe të njohjes, e cila, sikurse në librin e saj të fundit “Lexues, eja në shtëpi”, na tregon se cilat janë rreziqet që mund të sjellë përdorimi i tepruar i smartfonëve në trurin tonë.

“Leximi, thotë Wolf, është një aktivitet relativisht i vonë në historinë e njerëzimit dhe vetëm këto dekadat e fundit është lehtësuar aksesi në lexim dhe alfabetizim.

Ndryshe nga aktivitetet e tjera, si të parët, të lëvizurit, të menduarit, të folurit, të lexuarit nuk është ende një aftësi e rrënjosur thellë në trurin tonë dhe varet në mënyrë rigoroze nga mënyra se si lexojmë.

Me fjalë të tjera, mund të jetë një kapacitet i brishtë, i nënshtruar ndaj ndryshimeve potencialisht të rëndësishme përgjatë kohës.

Çfarë do të thotë kjo?

Së pari, duhet të kuptojmë se çfarë ndodh në trurin tonë kur lexojmë, në një nivel njohës.

Brenda disa sekondave, kohë kur sytë deshifrojnë fjalën e shkruar dhe perceptojmë kuptimin e asaj që lexojmë, ndodhin shumë gjëra:

“Kur jemi të zhytur vërtet në atë që lexojmë, ne aktivizojmë një sërë procesesh që përfshijnë tërë trurin. Leximi fillon nga ajo çfarë dimë, mirëpo dedektivi i trurit tonë, si Sherlok Holms, nxjerr si përfundim diçka që shkon përtej asaj që thuhet.’’

“Leximi në thellësi nënkupton përpunimin e informacionit, për të formuar njohuri”, – shpjegon Maryanne Wolfe. “Leximi të fut në perspektivat dhe mendimet e dikujt tjetër. Ky proces kognitiv është fillimi i ndjeshmërisë. Po edhe i dhembshurisë”.

Lexojmë më shumë, por më keq

Nuk është e vërtetë se meqë kemi smartfone lexojmë më pak. Përkundrazi, është krejt e kundërta.

Sasia e informacionit të shkruar që lexojmë në përditshmëri është tejet i madh: mesatarisht, çdo person lexon përditë në smartfone: mesazhe, postën, artikuj, çaton, ekuivalentin e rreth 100 mijë fjalëve, në thelb një roman të gjatë.

Veçse, sasia e informacionit po rrezikon kompromentimin e aftësisë së trurit tonë për të asimiluar dhe për të përpunuar informacione komplekse, që kërkojnë një nivel të lartë vëmendjeje dhe mbi të gjitha të vijueshme.

Me fjalë të tjera, na ka humbur aftësia për të ashtuquajturin “lexim të thellë”. Na mungon durimi për të ngjëruar leximet e gjata dhe të vështira, si rezultat humbasim zakonin e njohjes me konceptet komplekse.

Në thelb, shpejtësia me të cilin marrim dhe konsumojnë informacion në ditët e sotme nuk është “i lirë”, por ka një çmim shumë të lartë, gjë të cilën e paguajmë në aspektin e zhvillimit konjitiv.

Nuk i kthehemi së dyti

“Nga një histori e lexuar në ekran, ne kujtojmë më pak detaje, madje edhe kuptimi është inferior. Megjithëse, siç tregojnë disa hulumtime, na krijohet ndjesia sikur dimë më shumë. Gjëja më e keqe e të kuptuarit është kompjuteri ose ekrani i smartfonit, më e mira një faqe e printuar, e-libra janë në mes”.

 Më e rëndësishme është fakti se nuk i kthehemi asnjëherë pas. Tashmë, kështu punon rrjeti, përmbajtja është krijuar në këtë mënyrë dhe nuk do të kishte kuptim të shpresojmë për një kthim në të kaluarën.

Ajo që nevojitet është të vetëndërgjegjësohemi për situatën e re dhe të përpiqemi të mos humbasim aftësitë konjitive që rrjedhin nga leximi i kujdesshëm dhe i plotë:

“Është e pamundur të kthehesh pas, por ndoshta mund të bëni një ndalesë për t’u ndërgjegjësuar se ku po shkojmë, për atë se çfarë po bëjmë me teknologjinë, si dhe për atë se çfarë po na bën neve teknologjia”, – paralajmëron ajo.

Lexojmë atë që duam të dëgjojmë

Po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që të rinjtë lodhen nëse përqendrohen në lexime komplekse dhe të thella, por ky nuk është një problem që ndikon vetëm tek të rinjtë. Edhe të rriturit kanë filluar ta çzakonohen me leximin e fjalive komplekse dhe të strukturuara, si rrjedhojë ata mësohen me përmbajtjen e një niveli të ulët:

“Gjëja më e tmerrshme është se nuk kemi më kohë për të reflektuar mbi vlerën e të vërtetës së asaj që ne lexojmë. Ne lexojmë gjërat e rehatshme, të cilat përputhen me atë që tashmë mendojmë, që përforcojnë, në vend që të sfidojnë, perspektivat tona. Pra, në fund arrijmë tek shprehja dëgjojmë atë çfarë duam”.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN